Filloi peticioni për ruajtjen e margaritarit nën Bjeshkët e Nemuna me moton: “Zë përkujtues për shpëtim të Liqenit të Plavës”

Plavë – Përfaqësuesit e rrjetit të organizatave joqeveritare nga treva e Komunës së Plavës kanë filluar firmosjen (nënshkrimin) e peticionit me të cilin nga qeverisja lokale kërkohet organizimi i nismës (iniciativës) për rivitalizimin e Liqenit të Plavës, kurse nga shteti i Malit të Zi të sigurojë mjetet për ato destinime.
“Me këtë iniciativë dëshirojmë të përqendrojmë vëmendjen në shkallmimin e Liqenit të Plavës, margaritarit tonë. Kërkojmë që qeverisja lokale të ngjallë iniciativën (nismën), kurse shteti t’i sigurojmë mjetet e duhura në mënyrë që nga shkallmimi të mbrojmë diçka që paraqet pasuri të jashtëzakonshme natyrore të tërë Malit të Zi”, thuhet në peticion, në të cilin në vazhdim shtohet se të gjithë duhet të ngrisin zërin që Liqeni i Plavës të mbetet i gjallë.
“Pa liqe nuk ka Plavë, pa liqe nuk ka turistë, pe liqe nuk ka zhvillim. Bashkërisht të bëjmë përpjekje. Mjetet duhet të sigurohen për shpëtim të margaritarit nën Bjeshkët e Nemuna. Ngrite zërin, zgjatja jetën Liqenit të Plavës – qëndro në ftesë për firmosje të peticionit”.
Studiuesi i njohur dhe gazetari Darko Jovoviq në artikullin e vet të botuar në të përditshmen “Dan” shkruan se ekspertët dëshmojnë se Liqeni i Plavës po zvogëlohet për shumë shkaqe. Së pari për shkak të pendës e cila vjen nga lumenjtë Luça dhe Grnçari, pastaj për shkak të çështjes së parregullt të kanalizimit në vendbanimet përreth Liqenit të Plavës, por edhe për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të njerëzve të cilit me aktivitetet e veta ndikojnë që liqeni të zvogëlohet.
Para disa vitesh është bërë studimi në bazë të cilit do të duhej të fillohet në procesin e ruajtjes së vlerave të cilat Liqeni i Plavës i bartë me vete. Studimi në fjalë ka dhënë direktivat e veta kryesore se cilat janë ato probleme për shkak të cilëve vjen deri te zvogëlimi i sipërfaqes dhe thellësisë së Liqenit të Plavës, në cilën mënyrë të zgjidhet problemi dhe sa do të kushtojnë shpenzimet e parapara të punëve. Në disa analiza është theksuar se vlera parallogaritëse e punëve në mbrojtjen dhe rivitalizimin e Liqenit të Plavës do të kushtonin rreth 16 milionë euro.
Nga Rrjeti i organizatave të përmendura nga treva e Komunës së Plavës konfirmojnë se ky studim edhe më tutje është vetëm shkronjë e vdekur në letër.
“E vërtetë është se këtu bëhet fjalë për investim bukur të madh, por nuk ka asi thesari me të cilin mund të paguhet bukuria e Liqenit të Plavës dhe rrethinës së tij. Të gjitha investimet rreth Liqenit të Plavës përmes aktiviteteve të shumënumërta dhe valorizimin turistik së shpejti do të ktheheshin. Këtë duhet ta kenë ndërmend ata të cilët vetëm deklarativisht përpiqen që Mali i Zi të jetë shtet ekologjik, sepse bukuritë natyrore duhet të jenë mbështetës kryesor i zhvillimit jo vetëm të Plavës, por dhe i tërë veriut të Malit Zi”, kanë theksuar në Rrjetin e OJQ-ve të Plavës.
Nga qeverisja lokale theksojnë se ata në kuadër të kompetencave të veta kanë ndërmarrë masat e domosdoshme në qëllim të rivitalizimit të liqenit. Mirëpo, siç theksojnë, për mbrojtjen e përhershme të tij janë të nevojshme mjete të mëdha materiale të cilat do të duhej shteti t’i sigurojë.
“Ne vazhdimisht e potencojmë këtë rrëfim, Qeveria e shtetit është ajo e cila është premtuar, duhet të gjejë mundësinë që të financohen projektet kryesore dhe ideore, në mënyrë që pastaj të fillohet me kërkimin e mjeteve nga dhuruesit e Bashkësisë Evropiane”, thuhet në informatën për opinion të qeverisjes lokale.
Se Liqeni i Plavës, me sipërfaqe momentale prej rreth dy kilometrash katrorë, vërtetë është i rrezikuar, nëpër punishte të ndryshme dhe studime shkencore ka konfirmuar plavjani Prof. dr. Marko Knezheviq, i cili bënë apel që për këtë çështje duhet reaguar së shpejti.
“Prej vitit 1913, kur liqeni ka pasur sipërfaqen prej rreth 5,4 kilometrash katrorë, sipërfaqja i është zvogëluar për 3,4 kilometra katror. Ky është alarm i mjaftueshëm për reagim të shpejtë, ka përfunduar konfirmimin prof. Knezheviq.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat