Autoritetet malazeze planifikojnë të fillojnë prodhimin e dronëve pa pilot, në bashkëpunim me një kompani nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe seria e parë do t’i dhurohet Ukrainës, shkruan në një dokument të Qeverisë së Malit të Zi.
Qeveria ka theksuar se kjo nismë është në përputhje me orientimin strategjik të Malit të Zi dhe se, mes tjerash, ajo do të forcojë industrinë vendase të mbrojtjes.
“Do t’i përmirësojë kapacitetet e Ushtrisë në raport me NATO-n, do t’i mbështesë nevojat mbrojtëse të Ukrainës, si dhe do ta pozicionojë Malin e Zi si një furnizues të besueshëm të pajisjeve më moderne të mbrojtjes në tregun global”, sipas Qeverisë malazeze.
Se kur do të fillojë prodhimi, nuk dihet, e as sa para do t’i ndajnë autoritetet malazeze për këtë qëllim.
Në dokument thuhet se marrëveshja me vlerë deri në 15 milionë dollarë, do të mbështetet nga administrata amerikane e udhëhequr nga presidenti Donald Trump.
Përndryshe, këto janë paratë që SHBA-ja i ka ndarë për Ushtrinë e Malit të Zi.
Në seancën e mbajtur më 29 maj, Qeveria e Malit të Zi miratoi një “letër-qëllim” për të investuar në prodhimin e sistemeve të avionëve pa pilot (UAS) dhe zhvillimin e eksporteve nga aeroportet malazeze.
Kjo letër pritet të nënshkruhet së shpejti nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, dhe drejtori i kompanisë By Light professional IT services LLC., Robert J. Donahue.
Ajo do të jetë një hyrje në kontratën që do të duhet të nënshkruhet në shtator.
Aktualisht, Qeveria e Malit të Zi është duke punuar në një projektligj për prodhimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake, i cili duhet të jetë gati deri në fund të vitit.
(Kohapress/REL)