90 kuota për kandidatët shqiptarë nga Mali i Zi në Universitetin e Tiranës për vitin akademik 2023/2024

Në takim me zëvendësministren e Arsimit dhe Sportit, Albana Tole, është biseduar për kuotat, procedurat dhe afatet për regjistrimin e studentëve shqiptarë nga Mali i Zi në universitetet publike në Shqipëri, si dhe nevojën e sigurimit të kuotave të posaçme për kandidatët shqiptarë nga Mali i Zi në programet e studimeve master dhe atyre doktorale

Ministri i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Fatmir Gjeka, dhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika, kanë zhvilluar të enjten (6 korrik 2023) një vizitë pune në Tiranë, ku janë takuar me zëvendësministren e Arsimit dhe Sportit, Albana Tole, dhe rektorin e Universitetit të Tiranës, Prof. dr. Artan Hoxha.
Në deklaratën për shtyp të Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave thuhet se Universiteti i Tiranës ka caktuar 90 kuota për kandidatët shqiptarë nga Mali i Zi që duan të regjistrohen në programet e studimit pranë këtij universiteti, në vitin akademik 2023/2024.
Rektori Hoxha ka thënë se studentët nga Mali i Zi janë të mirëseardhur t’i vijojnë studimet në UT, duke potencuar rëndësinë e cilësisë së arsimit të lartë.
Ndërkaq ministri Gjeka ka theksuar rëndësinë e arsimimit në fushën e avancimit të pozitës së popujve pakicë dhe bashkësive nacionale të pakicave të tjera me qëllim të sigurimit të pjesëmarrjes së tyre të plotë në të gjitha sferat shoqërore.
Në takim me zëvendësministren e Arsimit dhe Sportit, Albana Tole, është biseduar për kuotat, procedurat dhe afatet për regjistrimin e studentëve shqiptarë nga Mali i Zi në universitetet publike në Shqipëri, si dhe nevojën e sigurimit të kuotave të posaçme për kandidatët shqiptarë nga Mali i Zi në programet e studimeve master dhe atyre doktorale.
Gjeka dhe Nika e kanë falënderuar për bashkëpunimin dhe përpjekjet e vazhdueshme të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë në sigurimin e kuotave për studentët shqiptarë nga Mali i Zi. Po ashtu është theksuar rëndësia e bashkëpunimit të suksesshëm duke marrë parasysh rëndësinë e arsimit të lartë, si dhe proceset integruese të të dy vendeve. Në këtë kontekst, bashkëbiseduesit kanë konkluduar se arsimimi i të rinjve është faktor kyç për të ardhmen dhe prosperitetin e gjithë shoqërisë.
Pjesë e delegacionit ka qenë edhe Arben Xhurreta, u.d. i drejtorit të përgjithshëm të Drejtorisë për Avancimin dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Popujve Pakicë dhe Bashkësive Nacionale të Pakicave të Tjera në Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat