Vlerësimi i grave shqiptare nga të gjitha trevat, njëmision i pandalshëm

Edicioni i nëntë i Lëvizjes vullnetare “Gratë frymojnë vlera” mblodhi në Shkodër gra të suksesshme nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe diaspora, për t’u nderuar për kontributin në fusha të ndryshme të jetës

Shkodër – Shkodra mirëpriti të dielën, më 6 prill 2025, edicionin e nëntë të Lëvizjes vullnetare “Gratë frymojnë vlera”, një ngjarje që tejkalon kufijtë lokalë për të vlerësuar figurën e gruas shqiptare, kudo që ajo jeton dhe vepron.
Në një ceremoni të ngrohtë dhe të mbushur me emocione, u nderuan me çmime 11 gra të suksesshme, të cilat kanë dhënë kontribute të vyera ndër vite për qytetin e Shkodrës dhe më gjerë.
Moderatorja e këtij edicioni, gazetarja Kozeta Bruçi, theksoi se kjo lëvizje ka marrë përmasa mbarëkombëtare.
Lëvizja vullnetare “Gratë frymojnë vlera”, tha ajo, është një nismë që prej nëntë vitesh vlerëson publikisht gra të suksesshme, duke nxjerrë në pah punën dhe përkushtimin e tyre në shoqëri.
“Ky aktivitet është bërë tashmë një vlerë për gjithë shqiptarët”, u shpreh Bruçi.
Aktiviteti nisi me një minutë heshtjeje në kujtim të aktores së madhe Margarita Xhepa, e cila ishte pjesë e këtij aktiviteti për disa vite me radhë e që u nda nga jeta disa ditë më parë.
Një film dokumentar kushtuar jetës dhe veprës së saj u shfaq si homazh për figurën e saj të paharruar.
Farida Ramadani, drejtoresha dhe ideatorja e Lëvizjes “Gratë frymojnë vlera”, u shpreh se përkundër vështirësive financiare që shoqërojnë një nismë vullnetare, vlerësimi i grave është bërë një mision i pandalshëm.
Ajo në mes tjerash tha se këtë vit shënojnë promovimin e 88 grave që kanë lënë gjurmë në fusha të ndryshme, duke thënë se Shkodra është një galeri e gjallë vlerash.
Ajo tregoi përpjekjet e tyre, për të sjellë në pah çdo vit një figurë përfaqësuese nga secila fushë.
Ndër të ftuarat ishte edhe Arlinda Shoshi nga Peja, udhëheqëse e një spitali privat dhe ndër sipërmarrëset më të suksesshme në Kosovë, e cila ndau përvojën e saj në drejtimin e një ekipi prej 250 grave që kontribuojnë në shëndetin e pacientëve nga gjithë rajoni.
Nga Mali i Zi, e pranishme ishte Envera Dukaj, redaktore në programin shqip të Radio Televizionit të Malit të Zi, e cila falënderoi organizatorët për përfshirjen dhe vlerësimin që i bëhet gruas shqiptare edhe jashtë kufijve të Shqipërisë.
“Jam shumë e lumtur që jam pjesë e këtij eventi, ku festojmë arritjet dhe vizionin e grave tona të jashtëzakonshme”, u shpreh Dukaj.
Ndër gratë e vlerësuara foli edhe Xhoi Jakaj, figurë e njohur për kontributin e saj në arsim, media, në drejtimin e Burgut të Grave etj. Ajo theksoi se nga të gjitha pozicionet që ka qenë e angazhuar, nuk ka reshtur së mbështeturi vajzat dhe gratë në të gjitha zonat e Shqipërisë.
“Ne asnjëherë nuk duhet të presim që jetën tonë ta ndërtojnë as politikanët majtas, as djathtas. Ne duhet të punojmë që jetën tonë, të fëmijëve tanë dhe të familjeve tona ta ndërtojmë vetë”, tha Jakaj.
Ajo më tej shtoi se fuqizimi i gruas duhet të vijë nga vetë gratë, përmes mbështetjes së ndërsjellë dhe përfshirjes aktive në ndërtimin e shoqërisë.
Aktiviteti u shoqërua me disa valle popullore me veshje kombëtare nga nxënës të shkollës fillore “Dedë Gjon Luli” – Hot i Ri, si dhe me një interpretim poetik nga aktorja Drane Xhai.
Në përmbyllje, u ndanë 11 plaketa mirënjohjeje për Orjeta Cungun, Vitore Dedën, Anila Heton, Florinda Hilajn, Dila Vacajn, Diella Gjonin, Mirjam Dibrën, Albana Krajën, Marjana Jakinin, Rozi Sterkajn dhe Eridana Rusin, me motivacionin: “Për punën dhe kontributin ndër vite në qytetin e Shkodrës.”
Drejtuesja e lëvizjes, Farida Ramadani, iu drejtua zyrtarëve të Bashkisë Shkodër me një apel për mbështetje institucionale, në mënyrë që kjo iniciativë të vazhdojë të promovojë, përkrahë dhe vlerësojë figurën e gruas shqiptare në çdo cep ku ajo shkëlqen.

T. Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat