
Libri “Mbijetesa e shqiptarëve në Ballkan”, është vepra e dymbëdhjetë me radhë e gazetarit, publicistit dhe shkrimtarit të mirënjohur shqiptar Mr. Sc. Kurtesh Devaja. Libri u botua në Shtëpinë Botuese “Faik Konica” në Prishtinë, redaktor i të cilit është Nazmi Rrahmani, ndërsa recensentë Prof. Dr. Jahja Dancolli, Prof. Esat Kamberi dhe Prof. Lulzim Mjeku. Libri u shtyp në Shtypshkronjën “KOHA” në Prishtinë në vitin 2019 dhe përbëhet prej 338 faqesh.
Vepra në fjalë e autorit Kurtesh Devaja, është përmbledhje materialesh publicistiko-shkencore që flasin për mbijetesën e shqiptarëve nëpër kohë, në fakt personifikon trashëgiminë socialo-ekonomike e kulturore të shqiptarëve gjatë periudhave të ndryshme. Ajo është konceptuar si dokumentar në të cilin ngërthehen ngjarjet që e karakterizojnë mbijetesën e shqiptarëve nga antikiteti deri në ditët e sotme. Libri mëton që nëpërmjet udhëpërshkrimeve dhe kronikave, të cilat do të ndikojnë në tërësinë e vet, të jetë domethënës. Në fakt, mëton të hedhë dritë mbi të shkuarën tonë të paraardhësit më të lashtë, pellazgët, duke u ngjitur te ilirët, për të vazhduar me periudhën romake e bizantine, nëpër periudhën osmane, periudhën e Krizës Lindore dhe të Kongresit të Berlinit, kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, periudhën e Luftrave Ballkanike, kohën e pushtetit xhonturk, periudhën e pavarësimit të Shqipërisë dhe Konferencën e Londrës, periudhën e pushtimit dhe kolonizimit serb të trojeve shqiptare nga Jugosllavia titiste, periudhën e krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës në vitin 2008, si dhe ngjarje të tjera.
Brumin e lëndës së përmbajtjes së librit, autori Devaja e ka ndarë dhe sistemuar në parathënie, në 18-të kapituj të zbërthyer në nga disa trajtesa shtjelluese, dhe në bibliografi.
Faktet që sjell përbërja e lëndës dhe tematikës së librit, i takojnë historiografisë botërore sipas së cilës, shqiptarët ishin pjesë dardano-ilire, bashkë me Dardaninë dhe Epirin dhe me mbretëritë më të rëndësishme të antikitetit në hapësirat ballkanike. Libri nis me mbijetesën e pellazgo-ilirëve, e cila mbështetet në hulumtimet e autorëve (tanë dhe të huaj), për të vazhduar trashëgimine materiale që ruhet në gjithë trollin ballkanik, por edhe më gjerë. Duke iu referuar të kaluarës së Ballkanit dhe mbijetesës së shqiptarëve gjatë rrugëtimit të tyre historik, kjo çështje është shtruar në një dimension që reflekton edhe sot mbi qenien shqiptare, thekson autori Devaja. Ai në vazhdim shton se në shtjellimin e kësaj materie të rëndësishme, është mbështetur në burimet kryesore historike të botuara të Antikitetit dhe të Mesjetës duke i ballafaquar faktet njërin me tjetrin. Ai njëkohësisht thekson se libri “Mbijetesa e shqiptarëve në Ballkan”, është material i përzgjedhur i gjurmëve të caktuara të kombit shqiptar, jo vetëm në rajonin e Ballkanit, por edhe më gjerë. Kjo përzgjedhje e materialit që përmban libri dhe shtjellimi i ngjarjeve historike të kohës, e nxjerrin Kosovën pothuajse në një nga epiqendrat e zhvillimeve kryesore historike në Gadishull, që nga Mesjeta e këtej, mbi të cilat u jetësua edhe platforma politike e shqiptarëve, që solli pavarësia e Shqipërisë në vitin 1912 dhe Pavarësia e Kosovës në vitin 2008. Kuptohet, thotë autori Devaja, se nuk ka pretendime se ka arritur të mbledh gjithë materialin që ndodhet nëpër arkiva të cilat përbëjnë një thesar të gjerë historik, por se është përpjekur të sigurojë nga pjesët e rëndësishme, duke qenë i vetëdijshëm se ka mbetur edhe shumë e shumë hapësirë për studime të mëtejme.
Autori i librit “Mbijetesa e shqiptarëve në Ballkan”, mendon dhe shpreson që ky studim do të jetë sadopak kontribut për njohjen e një pjese të së kaluarës për mbijetesën e shqiptarëve, duke sjellë edhe elemente të reja. Autori Devaja thekson se kur ka filluar punën kërkimore-hulumtuese, nuk e dinte se do të gjente kaq shumë materiale për jetën e ilirëve-arbërve-shqiptarëve jashtë atdheut, ku një pjesë e tyre ishin të zhvendosur jashtë vendit të origjinës para shumë shekujsh. Në këtë kuadër ai ka hulumtuar bukur shumë edhe për rrjedhat historike nëpër arkivat e Vjenës, Berlinit, Bukureshtit, të Romës, Stambollit, Ankarasë, Sofjes, Tiranës e të Prishtinës, që japin shumë detaje sa i përket kësaj çështjeje.
Autori Kurtesh Devaja, bën me dije se është me rëndësi se ka arritur të marrë të dhëna të hollësishme që i bënin gjërat interesante. Në fakt ilirët-arbërorët-shqiptarët nëpër vende ku jetojnë sot, ruajtën me krenari identitetin e tyre. Kjo për arsye se shqiptarët kishin dhe kanë aktivitete në të gjithë botën, duke u nisur nga Bullgaria deri në Rumani, në Ukrainë e në Turqi, në Itali, në Greqi e vende të tjera.
Gjatë realizimit të këtij projekti, autori Mr. Sc. Kurtesh Devaja pohon se ka filluar me vizitat nëpër vendbanimet shqiptare, së pari në Itali, Turqi, pastaj në Rumani, Ukrainë, Bullgari, në Greqi e në vende të tjera të Gadishullit, ku ka më shumë shqiptarë, që sigurisht paraqesin një dimension të rëndësishëm që reflekton edhe sot mbi qenien kombëtare shqiptare. Në fakt, autori Devaja ka mbetur i befasuar kur ka hasur komunitete të organizuara shqiptare në Rumani, në Ukrainë, e në Bullgari, ndërsa sa i përket Turqisë, ai kishte njohuri edhe më përpara. Kështu filloi e gjitha, thotë ai, hapi i parë çoi tek i dyti derisa ka zbuluar se në vendet e përmendura ka ende shqiptarë të gjallë. E gjithë kjo i ka ndihmuar që të mbledhë aq më shumë informacione sa për të bërë disa cikle dokumentarësh e pastaj të botojë edhe libra.
Rrugëtimi hulumtues, autorin e librit “Mbijetesa e shqiptarëve në Ballkan” Mr. Sc. Kurtesh Devaja, e ka çuar gjithandej, edhe në Kroaci, Slloveni, në Austri e shtete të tjera që kanë të bëjnë me gjenezën e popullit shqiptar, gjithnjë duke konsideruar se njerëzit-akterët e gjallë për të cilët flitet në libër, do të pasqyrojnë të vërtetën – se çfarë do të thoshte të ishe shqiptarë jashtë vendit të origjinës, dhe padyshim se kjo do të jetë pjesa kulmore e identitetit.