Stina e verës është ndoshta ndër stinët më të admiruara dhe preferuar për pjesën dërrmuese të njerëzve, sepse në këtë stinë ku rëndom dominon mot i kthjellët me temperatura të larta (shpesh dhe ekstreme), njerëzit zgjedhin që të shkojnë në pushime vjetore, të largohen nga rutina e punëve të përditshme që i shoqëron gjatë gjithë vitit. Dikush zgjedh që pushimet t’i kalojë në det, dikush nëpër vise bjeshkore, e shumë të tjerë në qytete dhe vende të ndryshme.
Në këtë stinë, vendeve, sidomos atyre bregdetare iu shtohet gjallëria. Ato “pushtohen” nga fluks i madh turistësh nga shumë vende të botës, e bashkë me fluksin, edhe rrëmuja nëpër qytete, trafiku në qarkullim rrugor, zhurma deri në orët e vona nga muzika e lokaleve, etj..
Megjithatë, stina e verës vazhdon të jetë stina më e gjallëruar, më e bukur dhe më me interes për të gjithë.
Ajo sjell mundësi për shijen e të gjithëve, për pushime sa më të këndshme. Në shumë qytete organizohen manifestime të natyrave të ndryshme, si kulturore, artistike, shkencore, etj., ku secili ka se me çfarë të zbavitet dhe ta kalojë kohën sa më bukur.
Stina e verës zgjon interesim të madh edhe për bashkatdhetarët tonë të cilët jetojnë dhe veprojnë prej shumë vitesh nëpër shtete të ndryshme të Evropës dhe botës, por që asnjëherë nuk i harrojnë rrënjët dhe vendlindjen e tyre prej nga kanë ardhur. Ata gjatë kësaj stine i takojmë kudo. I takojmë në Ulqin, në Malësi, në Plavë-Guci, në Krajë, e gjëkundi ku malli dhe nostalgjia për vendlindjen e tyre vërehet menjëherë, sapo të takohesh e të bisedosh me ta.
Dhe janë pikërisht bashkatdhetarët tonë të cilët gjatë stinës së verës ia shtojnë gjallërinë vendit, në të gjitha trevat shqiptare në Mal të Zi.
Ata janë të pranishëm pothuajse në çdo aktivitet dhe manifestim që organizohet gjatë kësaj periudhe nga shoqata dhe institucione vendore. I kemi nëpër dasma e ahengje të ndryshme, i kemi duke bërë pushime në plazhe të ndryshme, si në Ulqin, por edhe në brigjet e lumit Cem, dhe nëpër vise të ndryshme bjeshkore.
Duhet thënë se ata janë kontribuuesit më të mëdhenj ndaj vendlindjes së tyre ndër vite. Pasi që, nuk ka investim kapital në pothuajse çdo sferë, ku nuk ka venë dorë diaspora shqiptare, në mënyrë të organizuar, siç veprojnë përherë.
Mërgimtarët tonë janë të pranishëm edhe këtë verë në vendlindjen e tyre, ku çdo ditë rastis që t’i takojmë në rrugë, në shitore, në institucione, e në çdo aktivitet që organizohet në vend.
Duke iu dëshiruar atyre mirëseardhje, urojmë që pushimet verore t’i kalojnë në një atmosferë sa më dinamike, ndërsa porosia do të ishte që, asnjëherë të mos e harrojnë vendlindjen e tyre por t’i sjellin fëmijët në vatrën e të parëve të tyre, e kështu të ruajnë dhe të fuqizojnë lidhjet me vendlindjen e tyre, edhe më shumë.
t. u.