
Emigrimi në Amerikë
Hamid Ismajlaga (1894-1956) ka qenë i martuar me Hajlije Karamanagën (e bija e mulla Ismail ef. Karamanagës). Kanë pasur djemtë Mustafën-Cafin, Zejnelin, Xhavitin, Saninë, Rifatin dhe Fejzin, si edhe vajzën Bako Ismajlaga.
Babai i Hamidit, së bashku me djalin, në një lundrim përmbyten dhe e humbin jetën.
Pas vdekjes së burrit Bako Ismajlaga martohet për Hysein Kapllanbegun me të cilin ka pasur djalin Xhemalin. Kështu Hamidi dhe Xhemali ishin vëllezër nga nëna.
Hamid aga ishte detar. Një kohë ka emigruar dhe jetuar në Amerikë. Ishte në anijen e cila në fillim të dekadës së pestë të shekullit XX, para fillimit Luftës së Dytë Botërore, lundronte deri në Brindizi në Itali. Prej aty u lidh me disa italianë në port dhe vazhdoi lundrimin e gjatë me anijen ndëroqeane “Andrea Doria” një muaj e gjysmë deri në Nju Jork.
Hajlije Ismajlaga ka mbetur me gjashtë fëmijë. Jeta ka qenë e vështirë.
Motra ime Qothere Nimanbegu (1938) rrëfen:
“Halla e Xhavitit atëherë ka jetua me shumë zor. Djemtë kanë xan peshk. Peshkun e kan shtë në sallamur dhe e kanë hangër më vonë. Shumë i kanë ndihmue vllaznit e saj, axha Maliqi dhe baba jonë..”. Babai jonë e ka marrë për të punuar Mustafën – Cafin, djalin më të madhin të Hamidit dhe Hajlijes, në vitet kur Hamidi ishte në Amerikë.
Seferi
Babai tregonte:
- Në një sefer (viaxho, lundrim) ishim së bashku me Hamid agën (dhëndrin, ka pasur për grua Hajlijen, motrën e babait).
Ky nuk ishte punëtor i madh, shpesh pushonte pasdite.
Një ditë unë isha në maje të direkut të barkës për të rregulluar velat.
Hamid aga ishte zgjuar nga gjumi.
Për ta bërë të fliste, i drejtohem prej së larti (direkut): - Hamid agë, kape punën pak!
Hamid aga duke fshirë sytë më përgjigjet: - More Cano, pse të kemi ne ty?!
Disa fjalë të Hamid agës
“Nuk të vjen keq se po të lind vajzë, por nuk e din se kush po ta kollonis…”
“Derri e ka jetën e mirë, i japin me hangër shumë, por e ka jetën e shkurtër, vetëm një vjet…”
Valixhja nga Amerika
Hamid aga kur u kthye nga Amerika e kishte një valixhe të madhe me shkronja nga Nju Jorku.
Mesiguri më tepër se tridhjetë vjet ajo valixhe u shfrytëzua për pajë ose dhunti të nuseve.
Ishte e madhe, e fortë dhe nuk u dëmtua asnjëherë.
Djali i dytë Zejneli
Djali i dytë Zejneli, si djalosh u merrte me peshkim.
Unë atëherë isha shumë i vogël.
Gjithmonë shkoja te halla e Xhavitit (kështu e kemi thirrur).
Zejneli sa kishte ardhur nga gjonja e peshkut.
(Ai më merrte në prehrin e tij dhe më ushqente).
Një herë m’u vu e mbrapshta që të rrihesha me Isuf Elezagën.
(Një ditë më përpara e kisha rrahur djalin e tij, Ahmetin).
Vrapova të ikja.
Zejneli e vërejti këtë gjë, vrapoi dhe e ndali Isufin.
…
Beqo Behari
Beqo Behari jetoi në mesin e shekullit XX. Ishte rom (magjyp).
U dallonte nga të tjerët. I gjatë dhe i bardhë, më fuqi të madhe.
Thonin se ka mundur të bartë deri në katër thasë me çimento.
Në ato kohë, çdo pajë ose dhunti në Kala, është bajtur me valixhen e Hamit Agës nga Amerika.
Për t’i dërguar teshat deri te nusja ose dhëndri e kanë ftuar Beqo Beharin.
Para se është nisur me valixhe të Hamid agës në krahë, Beqoja në mes të oborrit ka kërcyer me përcjelljen e dajres, qemales dhe harmonikës.
…
Ka mbetur edhe një tregim për Beqo Beharin.
Në dekadën e pestë të shekullit të kaluar filluan të vijnë edhe turistët e huaj në Ulqin.
Në hotelin “KO-OP” (më vonë hotel “Galeb”) ishte një turiste e re.
Ajo u shoqërua me disa punëtorë të hotelit, por e pakënaqur tha:
“Këtu nuk ka mashkull për mua…”.
U kujtuan dhe ftuan Beqo Beharin.
Beqo Behari erdhi në hotel i veshur me petka të reja.
E njoftuan me gjermanen.
Kur mbetën vetëm në dhomë, Beqoja i tha:
“Ne do të shtrihemi në çardak…”.
Kështu Beqo Behari ua zbardhi faqen ulqinakëve.
Me gomar në pazar
Në moshën 55 vjeçare ka pasur gomarin të cilin e ka rujtuar vetëm për të dalur në Pazar. Gomarin e mbante mirë në ahër (bodrum) në fund të shëpisë trekatshe. Në Pazar u ndalonte së pari te miku i tij Lano Lunji dhe pishin kafe. Më vonë shkonte në kasaphane për të blerë mish te Sadik Lamoja. Gomari pushonte në vendin e caktuar afër mesgjahut. Kur vinte koha, Hamid aga i hypte gomarit dhe kthehej deri në Kala.
Dhe kështu disa vite derisa e sulmoi sëmundja e rëndë. Ndërroi jetë në spitalin e Dubrovnikut në moshën 60 vjeçare.
Në varrin e tij është epitafi:
“ Edhe unë kam qenë si ju,
edhe ju do të baheni si unë”.
Në fund:
Hamid Ismajalaga ka qenë ndër mërgimtarët e parë që shkuan në Amerikë. Nuk dihet se çka ka punuar. Kur është kthyer është folur për disa “libreza” me dollarë, por nuk dihet a ka pasur ndonjë pasuri…