Ullishta në traditën ulqinake

Gazmend Çitaku

Qyteti më jugor i bregdetit të Malit të Zi është Ulqini. Duke pasur klimë shumë të volitshme dhe mbi 218 ditë me diell ka bërë që këtu të jenë të suksesshme shumë kultura bimore. Përveç kësaj, Ulqini si një ndër qytetet më të vjetra të basenit të Detit Adriatik, ofron një begati të madhe të trashëgimisë kulturo-historike si të asaj materiale ashtu edhe asaj jomateriale. Gjurmët më të vjetra të jetës në kalanë e Ulqinit çojnë deri në periudhën e neolitit e këtë e vërteton gjetja e figurinës Magna mater, që i takon kësaj periudhe kohore kurse e vërtetojnë edhe gjetjet e çekiçit të gurit nga fshati Krythë, andaj mund të pajtohemi se kemi të bëjmë me gjurmë që nga koha parailire dhe se këto gjetje Ulqinin e vendosin në hartën e ashtuquajtur neoliti i Adriatikut.
Banorët e Ulqinit përveç detarisë dhe shfrytëzimit të të mirave që ofron deti janë marrë edhe me aktivitete tjera që kanë të bëjnë me tokën. Në Ulqin është një shprehje e cila thotë: Nëse don me ja pa hajrin pareve të ndenjura, blej ullishtë. Pra, investimi në ullishtë gjithmonë ka nënkuptuar fitim të sigurt, andaj edhe ulliri është pema që më së shumti gjendet në Ulqin. Plantacioni më i madh dhe më i njohuri është ai që ndodhet mes Malit të Bardhë, Mavrianit dhe detit. Kështu prej Ullishtës së Ali Shahit, e cila ndodhet në fillim të Mëhallës së Re, e deri te Kroni i Zanave në një distancë prej 7km gjenden afro 80000 rrënjë ullinj vjetërsie të ndryshme duke filluar prej atij me mesataren 1892 vjeç (ndodhet në Bisht) e deri në ata që janë disa qindra vjet të vjetër. Në pjesën e Krruçit, Salçit dhe Braticës gjenden afro 10000 rrënjë ullinj po të të njëjtës moshë.
Ulliri është pemë e bekuar. Së bashku me fikun përmenden në librat e shenjta: Bibël dhe Kur’an. Në Bibël përmendet shumë herë kurse në Kur’an përmes sures 95:1 “Pasha fikun e ullirin”. Babai i mjekësisë Hipokrati, vajin e ullirit e preferon si ilaç për më shumë se 60 sëmundje kurse mjekësia moderne njeh veçoritë e veprimit antibiotik me anë të të cilit 126 mikroorganizma patologjik nuk mund t’u bëjnë ballë kombinimeve me ekstraktin nga gjethi i ullirit andaj edhe është lista shumë e gjatë e sëmundjeve që mund të shërohen me këto preparate, madje për disa sish ka edhe fakte të forta shkencore.

Mbjellja e ullirit
Rripi bregdetar prej Budvës e deri në Ulqin ka ullishtën më të vjetër në Mal të Zi. Kur e themi këtë e vërtetojmë edhe me vjetërsinë e ullinjve më të vjetër të këtij rajoni siç janë: Ulliri në Mirovicë (Tivar) 2245 vjet, ulliri në Valdanos (Ulqin) 1892 vjet, ulliri në Ivanoviq (Budvë) afro 2000 vjet. Duke mos pasur metodë të saktë për përcaktimin e vjetërsisë dhe duke u bazuar në moshën mesatare vijmë në përfundim se këta mund të jenë edhe më të vjetër se mosha që u nënshkruhet. Por, kohës së fundit, sipas një studimi të bërë në vitin 2015 nga ana e Universitetit të Pylltarisë nga Stambolli, ku marrin pesëdhjetë kampione nga trungjet e vjetra të ullinjve (25 në Ulqin dhe 25 në Tivar) konstatojmë se në Ulqin kemi dy ullinj shumë të vjetër: mosha mesatare e njërit shkon 1892 vjet dhe ndodhet në Valdanos (1450-2250), si dhe një tjetër i vjetër në Krruç që mosha mesatare i shkon 1713 vjet (1519-2035 vjet) dhe është pronë e Gjevana Vukmarkoviqit. Trungje të ullinjve të vjetër kanë edhe Edin Buzuku 1314 vjet, Agim Dragovoja 1291, Xhaudet Cakuli 942 etj. Pra, Ullishta e Ulqinit qenka shumë e vjetër. Meqë këto troje kanë qenë të banuara me fiset ilire atëherë logjikisht i bie se, popullsia lokale, pra, ilirët janë të parët që i sollën, i mbollën, i punuan dhe u kujdesën për këto fruta të bekuara, duke filluar që nga shek. V p.e.re. Shumica e këtyre trungjeve të ullinjve janë kazana (tre e më shumë trungje në një rrënjë) të llojit të verdhë (zhutica).
Në përtëritjen e ullishtës dhe shtimin e numrit të trungjeve të ullinjve kanë marrë pjesë edhe pushtuesit e ndryshëm të këtyre territoreve duke filluar nga romakët, venedikasit, osmanët dhe deri në ditët e sotme. Një variete tjetër karakteristike për Ulqinin janë ullinjtë që vendasit i quajnë shatorra e të cilët kanë një kurorë të bukur në formë dardhe dhe lartësi 4-5m. Kjo variete u nënshkruhet venedikasve, të cilët kanë sunduar Ulqinin në periudha të ndryshme kohore por më së gjati dhe pa ndërprerje nga viti 1421-1571.
Edhe gjatë periudhës së sundimit osman (1571-1880) kujdes i veçantë është kushtuar kultivimit të ullirit dhe në këtë periudhë me siguri e bartur si traditë nga më herët thuhet se: nëse një djalë ka dashur të martohej, ka qenë i obliguar të mbjellë një bylyk me ullinj. Kjo edhe mund të mos qëndrojë si e vërtetë, mirëpo vetë fakti se sot kemi një numër të konsiderueshëm të ullinjve me një diapazon vjetërsie, duke filluar prej disa mijëra e deri në disa qindra vjet të jep një bindje të fortë se duhet të ketë qenë e vërtetë.
Sipas madhësisë dallojmë këto lloje trungjesh: kazana, fishkulla, shatorra. Kurse sipas prejardhjes dhe llojit të frutës: ullastra, të verdhë, italian, vlonjat, frank dhe të egjër.
Mbjellja e ullinjve bëhej me ndarjen e filizave të rinj nga trungjet e kazanave. Këto filiza që priteshin ishin të një madhësie deri në 2,5m. Ato mbilleshin në gropa të thella 80cm dhe të gjëra deri 1m. Shpesh janë përdorë edhe degë të vjetra të ullirit të cilat era apo ndonjë aksident i ka thyer. Ato përgatiteshin me latushë para se të futeshin në gropë. Mbjellja bëhet gjatë vjeshtës ose në fillim të pranverës gjer në gjysmën e marsit, gjithmonë duke pasur kujdes që hëna të jetë e plotë. Kur hëna është e re besohej se nuk zënë rrënjët.
Nëse dikush dëshiron të formojë një bylyk të ri, ai së pari i formon sofat, çon muret e thata dhe pastaj në distanca prej 5m hap gropat ku duhet t’i mbjelli ullinjtë. Brenda gropave të hapura vendosen 3-4 gurë në mënyrë që verës të mbajnë rrënjët freskët si dhe fidani të marrë kahje të drejtë.
Ullinjtë që nuk prodhonin rregullisht, ullishtarët e vyeshëm i shartonin. Shartimi bëhej në dy mënyra: në trung ose në bulë. Shartimi në trung është metodë më e vjetër dhe praktikohet më shpesh kryesisht në muajin mars. Shartimi në bulë është proces më preciz andaj këtë lloj e praktikojnë vetëm ata që e konsideronin veten ekspertë dhe kryhet në muajin maj.
Shpesh gjatë mbjelljes pronarët e rinj, pranë rrënjëve të ullirit kanë vendosur gjëra të vlefshme e më së shpeshti monedha të kohës. Kjo është përcjellë me një ceremoni gjatë së cilës në formë rituali pronari e fal ullirin në mënyrë që ai t’ ia kthejë me frute në të ardhmen. Kohë më parë, gjatë periudhës së Covid-it në vitin 2021 H.Ç., pasi që kishte vendosur t’i mihë vetë ullinjtë, ai në shtatë rrënjë të ndryshme kishte gjetur shtatë monedha prej të cilave dy janë identifikuar si “2 solda” të periudhës veneciane çka përafërsisht edhe mund të hamendësojmë vjetërsinë e atyre dy rrënjëve, e që shkon në shek. XV. Pra, ajo që të parët tanë thoshin se gjatë mbjelljes kanë lënë gjëra të vlefshme kjo edhe qëndron, sepse është vërtetuar me gjetjet e viti 2021.

(vazhdon në numrin e ardhshëm)


Deri para disa vitesh ulqinakët kanë pasur edhe një zakon që ka qenë i lidhur me besëtytni magjike. Për të pasur një prodhim më të madh ullishta, ulqinakët, në ditën e Shëngjergjit shkonin në ullishtë pa lindur dielli. Me vete ata merrnin nga një kaçile (shportë) me petulla dhe një sëpatë. Kur mbërrinin në bylyk, shkonin pranë çdo trungu ulliri e sidomos pranë atyre që nuk kishin kokrra. Ndaleshin para tyre dhe bënin një ritual që kishte këtë ecuri: Më i riu çonte sëpatën me qëllim që ta presë ullirin dhe pyeste “A ta pres”?, kurse tjetri i përgjigjej “Mos e prej se vjetës tjetër ka me ba kokrra. Lene edhe simjet”. Pastaj e vendosnin nga një petull pranë trungut duke thënë: “Hajt me bereqet të ri Shën Gjergjit tjetër”.
Ata të cilët kishin ullishtë zakonisht konsideroheshin njerëz të pasur. Shpesh bylyqet nuk i kishin në të njëjtin vend, por të shpërndara në vende të ndryshme të ullishtës. Bylyqe të mëdha konsideroheshin ato që kishin mbi 100 rrënjë ullinj. Kishte pronarë që kishin edhe deri në 10 bylyqe e më shumë. Të njohura ishin ullishta e Ali Pashë Kasmit 2000 rrënjë ullinj, pastaj deri në 1000 rrënjë ishin ullishtat e: Ali Shahit, Gjergj Gjylit, Salë Ficit, Can Briskut, Pjetrushi i Jakut, Beqir Pasha, Jonuz Milla, Duli i Haxhimollës, Nuti i Adem Manit, Erif Bilali, Mulla Beqiri dhe Lito Begu.
Përveç ullishtës private, bylyqe ullinjsh kanë pasur edhe Vakfi, Kooperativa bujqësore, xhamitë, kisha katolike dhe ajo ortodokse. Vakfi kishte rreth 2000 rrënjë ullinj, kooperativa bujqësore 4500 rrënjë, gjashtë xhami nga 80-150 rrënjë, kurse tri kisha (dy katolike dhe një ortodokse) gjithsej kanë 260 rrënjë ullinj.
Pronën e Vakfit e kanë themeluar dy motra nga Kalaja. Këto dy jetime kanë pasur në trashëgim 1000 rrënjë ullinj, e të cilat meqë kishin mbetur pa u martuar ato ullishtën e vet ia dhurojnë xhamisë si Vakëf, me dedikim që një pjesë e fitimit nga kjo ullishtë të drejtohet në ndihmë vajzave të varfra dhe jetime për kompletimin e pajës, pastaj për varrosjen e personave “të shkretë”, mirëmbajtjen e xhamive etj.

Disa mikrotoponime të ullishtës
Ullishta zakonisht është identifikuar përmes bylyqeve të pronarëve, andaj edhe dallojmë këto toponime nga ullishta: Limani, Mëhalla e Re, Ana e Malit (nën Malin e Bardhë), Bashbylyku, Ke të Cankës, Lugu i Xhemiles, Dheu i Kuq, Kodra e Qershisë, Kasolla e Karrxhive, Luk Çalyqe, Mendra, Hija e Mendres, Kroni i Thatë, Kroni i Begut, Qafa, Bishti, Valdanosi, Rruga kryq, Mavriani, Kodra e Zyfit, Kroni i Vakfit, Ullishta e Ali Shahit, Ullinjtë e Begut, Ullinjtë e Pashës, Bylyku i Pjetrushit Mrikës, Haxhi Mollës, Mollabeqirit, Vakfit, Efendisë, Shaletës, Marë Zenjines, Kroni i Detarve, Kroni i Sal Kikes, Faqja e shullanit, Rrafshi i Sutës etj.

Krojet në Ullishtën e Ulqinit
Në të kaluarën rrugët që kalonin nëpër Ullishtë kanë qenë pothuajse gjatë gjithë trasesë të kalldrëmuara dhe në distanca respektive ekzistonin kroje të ndryshme, të cilat ulqinakët e pasur i kishin ndërtuar si të mirë publike – vakyf. Ulqinakët e pasur kanë pasur zakon që të ndajnë mjete për kalldrëmimin e rrugëve, ndërtimin e krojeve si në qytet ashtu edhe në ullishtë. Por, ulqinakët kanë ndarë mjete edhe për ndërtimin e të mirave tjera kolektive në mënyrë që emri i tyre të kujtohet edhe pas vdekjes. Ulqinakët këtij veprimi i kanë thënë hajrat por edhe vakëf. Kështu, përmes kësaj bamirësie në Ulqin e rrethinë dikur kanë ekzistuar 229 kroje, kurse vetëm në ullishtën e Ulqinit 16 kroje të mëdha e të vogla. Në ullishtë sot mund të identifikohen vetëm 11 kroje prej të cilëve vetëm disa janë në funksion: Kroni i Doçes, Kroni i Thatë, Kroni i Begut, Kroni i Mustafajt, Kroni i Sal Kikes, Kroni i Vakfit, Kroni i Zanave, Kroni i Detarëve, Kroni i Bashbylykut, Kroni i Çinarit, Kroni i Buçilit, Kroni i Ultimit.

Puna në ullishtë
Puna në ullishtë nuk është punë e lehtë, ajo kërkon angazhim gjatë gjithë vitit. Përveç mbledhjes së ullinjve për bluarje ose regjie, ullinjtë së paku një herë në vit duhet mihur rreth e rrotull trungut të ullirit, afër rrënjëve si dhe duhet plehrosur. Ullinjtë kanë nevojë të pastrohen nga bari dhe fieri, nga degët e thata, e gjithashtu duhet rralluar edhe nga njollat e reja. Së paku një herë në tri vjet duhet krasitur prandaj edhe ulqinakët për të gjitha punët rreth ullishtarisë kanë një thënie e cila thotë:
“Ullini e ullishta, me të ra karrabishtja”.
Siç u tha më lart, pa marrë parasysh se a ka fryte a jo, për çdo vit ullishta duhet pastruar nga bimët tjera invazive. Këtë proces të pastrimit në Ulqin e quajnë shkallitje dhe këtë proces ulqinakët e kanë konsideruar si një punë të vështirë, prandaj edhe kanë një thënie:
“Para shkallitet, e mas teje rritet”.
Për me qenë një bylyk në gjendje të mirë, duhet që në fillim të verës të shkallitet dhe të mënjanohet e gjithë bimësia, pastaj të shkallitet përsëri në fillim të vjeshtës në mënyrë që sofat të jenë të gatshëm për mbledhjen e ullinjve. Procesi i shkallitjes bëhet përmes këtyre veglave: kmesa, capa, shati, rreshqeli , fturku, dikella dhe sopata.

Krasitja
Krasitja është procesi i prerjes së degëve të tepërta, atyre që marrin formë të parregullt si dhe atyre të thata. Zakonisht këtë punë e ka bërë krastaçi. Krasitja zakonisht bëhet prej janarit deri në fund të marsit, gjegjësisht pas vjeljes së frutave. Edhe pse një pronar ka pasur shumë bylyqe me trungje ulliri, ai prapëseprapë ka angazhuar krastaçin për krasitje. Deri vonë ullinjtë e Ulqinit janë prerë vetëm poshtë duke mos e prekur kurorën kështu që ullinjtë janë rritur shumë duke shkuar në lartësi të mëdha duke mos u dhënë mundësi pronarëve t’i mbledhin nga poshtë. Për krasitjen e ullinjve krastaçi përdorë tri lloje të sëpatave: të vogël, të mesme dhe të rëndë. Sëpata e vogël është përdorur për mënjanimin e degëve të vogla dhe filizave. Sëpata e mesme ka shërbyer për krasitje dhe ka qenë e tillë që krastaçi të mundet të punojë me të me një dorë, sepse kur është ngjitur në ulli është dashur të mbahet me një dorë. Sëpata e madhe ka qenë e rëndë dhe me të është punuar me të dy duart dhe ka shërbyer për t’i prerë trungjet e mëdha. Gjatë procesit të krasitjes pronari nuk ka qenë prezent sepse atij i është dhimbsur prerja e degëve. Për këtë proces ulqinakët kanë shprehjen:
“Shtjer armikun me ta pre fikun, fiku e ullini janë vëllëzër”.

(vazhdon në numrin e ardhshëm)


Sëpatës në Ulqin i thonë sakicë. Gjithashtu gjatë krasitjes është përdorë edhe kmesa, latusha e rrallëherë edhe sharra. Një vegël interesante për pastrimin e ullinjve prej degëve të vogla është edhe ganxhamari. Ky ka formën e draprit të vogël por me bisht të gjatë i cili shkon deri në 6m. Para se të fillojë krasitja pronari i ullishtës konsultohet me stimaçin, detyrë e të cilit është të bëjë vlerësimin se sa dru mund të dalin nga ky proces. Gjithashtu sitmaçi i mirë ka ditë të vlerësojë se sa kuintal ullinj mund të dalin nga një bylyk.
Deri në vitin 1935 ullishta është krasitur duke ia prerë degët poshtë, mirëpo me rastin e vizitës së një delegacioni ekspertësh nga Dalmacia dhe Italia sipas propozimeve të tyre krasitja që nga ajo kohë ka filluar të bëhet duke prerë degët e larta, në mënyrë që kurora të vijë në formë të konit. Kështu sot dallojmë tri lloje krasitjesh: të rëndë, të mesme dhe dëlirje nga krandet. Krasitja e rëndë nënkupton prerjen e së paku gjysmës së degëve, kurse gjysmën tjetër pas 3-4 vjetësh. Krasitja e mesme bëhet kur ullinjtë janë të shëndoshë dhe japin rendimente të shumta kurse dëlirja e degëve bëhet çdo vit duke hequr filizat e tepërt.

Mihja
Mihja e ullishtës bëhet gjatë muajve prill dhe maj, në mënyrë që të mos dalë bari i cili ia merr ushqimin ullirit. Për mihjen e ullinjve përdoret dikella. Kjo lloj vegle ka formën e kazmës së dyfishtë. Pra, ka dy maje të mprehta në mënyrë që të mos dëmtojë rrënjët e ullirit të cilat janë cektë në tokë. Puna me dikellë është puna më e rëndë rreth ullishtarisë. Përveç dikellës përdoret edhe capa, fturku.

Mbledhëtaret
Ullishtat që i rreh ajri i detit dhe gjenden në shullá dielli japin më shumë vaj. Në periudhën e dimrit nëse rastis që të bie borë rendimentet janë më të larta. Kokrrat e para të ullirit fillojnë të piqen në fund të shtatorit. Para se të fillohet mbledhja, së pari pastrohen e shkalliten sofat dhe pastaj nëse në ndërkohë nuk ka erë të fortë dhe shi, ullinjtë duhet shkundur. Shkundja e ullinjve dikur është bërë me shtaga të gjata që kanë arritur gjatësinë deri në 6m. Këto shtajaga të gjata janë quajtur brena dhe zakonisht kanë qenë ose nga druri i gështenjës ose nga frashëri. Përveç anëtarëve të familjes, mbledhëtaret zakonisht kanë qenë nuse, vajza të reja para martese, por janë angazhuar edhe mbledhëtare nga fshatrat rreth Ulqinit, e më të mirat kanë qenë ato nga Kraja. Një mbledhëtare e mirë për një ditë ka mundur të mbledhë deri 100kg ullinj. Për këtë punë në të kaluarën janë paguar me nga një kg vaj, kurse për mbledhëtaret e mira paga shkonte edhe një kg e gjysmë. Zakonisht burrat nuk kanë mbledhur ullinj, mirëpo ata i kanë bartë prej bylykut e deri në mulli. Nëse gjatë ditës janë mbledhur shumë ullinj, atëherë është marrë qiraxhija i cili në shtanca ka bartur ullinjtë deri në mulli me kuaj, gomarë apo mushka. Ky shërbim gjithashtu është paguar me vaj.
Mbledhëtaret për të kaluar kohën sa më lehtë, kanë kënduar këngë të ndryshme. Ka ndodhur që shpesh të qesin edhe këngë me të cilat i kanë shpotitur pronarët e vet. Një të tillë në vitet e 70-ta të shekullit të kaluar e ka shënuar dr. Bahri Brisku kurse e ka kënduar Neçe Lika.

Hajde-hajt, more Hashim-aga,
Na bjer tirit ere ceraga,
Si dygeç rri perditë.
Ferrat në sofa pa shkallit.
Me na nap ti nga nji okë,
Nuk të lam kokërr në tokë,
Hashim aga rri mbi prru,
Tuj u kref tuj u pispillu…

Ullinjtë janë mbledhur edhe për mot me shi dhe atëherë mbledhëtaret kanë punuar të mbuluara me një mushama të lyer me dyllë, të cilat nuk kanë lëshuar shiun. Në momentin kur mbledhëtaret kanë hyrë në bylyk, ato automatikisht kanë qenë nën mbrojtjen e pronarit të bylykut, kështu që askush nuk ka guxuar t’i ngucë apo siç thohet ulqinakçe me i gerga. Në ditët e sotme mbledhëtaret paguhen me të holla e më rrallë me vaj por shpesh praktikohet edhe bylyku të jepet përgjysmë.
Kur mbaronte mbledhja e ullishtës, zakonisht pronarët e mëdhenj përgatisnin ahengje të ndryshme në qytet. Këtu ftoheshin bejtexhinjtë, muzikantët dhe këngëtarët e qytetit për të festuar përfundimin e mbledhjes së ullishtës. Me këtë rast bejtexhinjtë bënin hoka, këndoheshin këngë pune si të ullishtës, ashtu edhe të gjellëve. Kësisoj, gjellëbërësit përgatisnin pilaf, peshk, hallvë e ushqime tjera, kurse të tjerët u këndonin këtyre ushqimeve. Kur gjellëbërësja piqte hallvën zakonisht i këndohej kjo këngë:

O kazan, kazan-o!
Lëshoje, lëshoje hallvën-o!
Ruje, ruje, mos na e diq,
Se sonte na vinë do miq.
Lëshoje, lëshoje hallvën-o!
Se e lëshoj Isa Aga të shoqën-o!

Karrxhija
Mbas stajës së fundit gjithmonë ka qenë zakon të lëshohet ullishta. Nëpërmes karrxhisë së ullishtës është bërë me dije se ullishta është lëshuar dhe atëherë ullishtën ka mundur ta mbledhë çdokush. Pas këtij lajmi, i zoti i bylykut nuk e ka ndaluar askënd të mbledhë ullinj. Me lëshimin e ullishtës karrxhija (rreth kësaj fjale ka dilema. Dr Bahri Brisku në studimin e tij lidhur me ullishtën regjistron nga populli variantin karrxhi kurse në variantet më të reja Dr. Maksut Haxhibrahimi dhe Sami Misherri na sjellin variantin kallxhi, sipas mendimit të autorit të këtij teksti të drejtë ka Bahri Brisku.) nuk e ka ruajtur më ullishtën për mbledhjen e ullirit.
Zakonisht lëshimi i ullishtës është bërë në muajin mars dhe kjo gjithmonë është varur se sa ullinj kanë mbetur në degë. Nganjëherë lëshohet më herët e nganjëherë më vonë.
Karrxhija ka qenë personi i cili e ka ruajtur ullishtën. Ai më së miri i ka ditur kufijtë e secilit bylyk dhe pronarët gjithmonë e kanë informuar për çdo ndryshim apo aktivitet në ullishtë. Edhe pse pothuaj kurrë nuk ka ndodhur ndonjë keqkuptim, vjedhje apo dëmtim, në ullishtë karrxhija ka qenë ai i cili ka njoftuar pronarët e bylykut lidhur me çdo gjë. Për këtë punë, sipas një rregulli të pashkruar, ai në fund të sezonit së ullishtës është shpërblyer nga të gjithë pronarët me një sasi vaji. Karrxhija i fundit i Ulqinit ka qenë Tahir Nikeziqi.
Edhe pse si toponim në ullishtën e Ulqinit ekziston termi Kasolla e karrxhive, ulqinakët asnjëherë nuk kanë ndërtuar kurrfarë kasolleje në ullishtë. Ekziston shpjegimi që sipas besëtytnisë ulqinakët nuk i ka zënë kurrë, ose shumë rrallë herë, nata në ullishtë. Kanë besuar se aty kanë qëndruar zanat, andaj edhe nuk kanë ndërtuar shtëpi banimi por në ullishtë kanë qëndruar vetëm për punë dhe atë vetëm gjatë ditës. Veglat e punës ose janë marrë me vete ose shpesh janë fshehur brenda trungut të ullirit. Gjithashtu, ullishta kurrë nuk ka qenë e rrethuar dhe gjithmonë është ditur se deri ku është e kujt. Nëse ka ndodhur që degët e ullirit të njërit pronar kanë rënë në tokën e tjetrit, të drejtën për mbledhjen e kokrrave e ka pasur pronari i ullirit. Nëse degët e dy ullinjve fqinjë janë përzier dhe ullinjtë bien në të njëjtën sofë, atëherë një stajë e ka mbledhur njëri, kurse stajën tjetër tjetri. Askush kurrë nuk i ka mbledhur ullinjtë e huaj, sepse ka qenë marre e madhe, e për hajni në ullishtë as që bëhet fjalë.

(vazhdon në numrin e ardhshëm)

Të fundit

më të lexuarat