
Rrëfimi 1.
Ulliri i Bukurijes në Pazarin e Gjytetit
Porta e Kalasë, pastaj Pazari i Gjytetit në të cilin gjendet një sofë një metër mbi rrugë. Në mes është ulliri.
Para njëqind vjetëve Bukurija u martua për Hashimin. Pas një muaji Hashimi shkoi në një sefer në det. Lundruan deri në Shëngjin e pastaj vazhduan për Brindizi në Italinë Jugore. Por deti i trazuar, fortuna dhe barka u mbyt. Hashimi me dy shokë doli në tokë.
Në Kalanë e Ulqinit erdhi zëri se të gjithë detarët e anijes “Drita” janë mbytur në brigjet e Italisë…
Bukurija nuk besonte se burri i saj nuk do të kthehet më. Çdo mëngjes falte namazin e sabahut duke u lutur që të kthehet Hashimi. Njëherë ëndërroi:
“Meleku i tha: pas sabahut me e mbjellë një ulli në hyrje të Kalasë…”.
Me babain i saj, Lejdin Begun e mbolli ullinin në sofën mbi rrugë, menjëherë pas Pazarit të Gjytetit. Çdo mëngjes Bukurija e ujiste mullirin me ujë nga Kroni i Kalasë.
Kaloi një vjet dhe Hashimi me dy shokët e tij u kthye në Kala.
Ishte një natë dimri. Bukurija atë natë qëndroi në shtëpinë e tyre trekatëshe. Dikush trokiti në derë. Bukurija u tremb, heshti. Trokitja u përsërit edhe disa herë. Në fund, Hashimi e gjuajti dritaren me një gurë duke bërtitur:
“Bukurije, çile derën, jam unë, Hashimi”.
Këtë tregim ma tha Bukurija plakë kur e vizitova pas një sëmundjeje. Duke qeshur e pyeta: – E pastaj?
Plaka nuk u habit, mënjëherë u përgjigj:
“Pas nëntë muajve lindi djali jonë i parë…”.
Ulliri u rrit dhe u bë pemë e madhe. Tërmeti i vitit 1979 e rrënoi parcelën ku ishte ulliri. Pas rregullimit dhe rindërtimit të Kalasë, kjo parcelë me gjithë ullirin u zhdukën… Bukurija ishte shumë e plakur dhe gjithnjë mendonte në ullirin e saj…
Por në vitet të nëntëdhjeta të shekullit XX me kujdesin e Skender Shabanit dhe Ismet Karamanagës në atë vend u mbollën dy ullinj të rinj.
Ishte dimër, në ora dy pasmesnate ra zilja e telefonit:
“Jam Yli Isas, hankoja është e sëmurë..”.
Hyra në Kala, ishte dimër, ftoftë…
Bukurija ndërroi jetë.
Mbeti tregimi për ullirin e Bukurijes në hyrje të Kalasë.
Rrëfimi 2.
Jeta në Lima dhe ardhja në Kala
Fillimisht Hashimi dhe Bukurije Resulbegoviq jetonin në Lima. Kanë pasur tre djem: Isanë (1931), Qemalin (1934) dhe Kadriun (1945). Jeta ka qenë e vështirë. Hashimi është marrë me peshkim, me ullishtari. Kanë mbajtur edhe dhi. Kam dëgjuar se kanë pasur edhe disa fëmijë, por ata nuk kanë jetuar. Ishin kohëra të varfërisë, mbrojtja shëndetësore ka qenë në nivel më të ultë. Në përgjithësi jeta ka qenë e vështirë.
Ato vijnë të jetojnë në Kala në fillim të dekadës së gjashtë të shekullit XX. Me sacrificë e blejnë shtëpinë e Fatime Beqiraga në rrugën kryesore të Kalasë. Më parë aty jetonte Musa Kahari me familje.
Dy djemt e mëdhenj, Isaja dhe Qemali u rritën. Isaja u bë detar. Së shpejti filloi të lundrojë edhe me anije të mëdha ndëroqeane. Jeta e familjes së Hashimit dhe Bukurijes u përmirësua. Më vonë kanë blerë edhe shtëpinë e Vehbi Zejnelagës në Kalanë e Poshtme.
Qemali ishte natyrë tjetër. Guximtar dhe avanturier. Fillimisht shkoi të jetojë në Novi Sad. Kam dëgjuar se atje edhe është martuar. Por është ndarë shpejt dhe ka shkuar në Gjermani.
Së shpejti fillon punën. Ngritja e tij financiare dhe ekonomike. Bëhet pronar i një restauranti në Braunshvajg.
U ka ndihmuar shumë ulqinakëve, si edhe vëllaut të tij Kadriut (1945). Te Qemali ka punuar një kohë të shkurtër edhe Fatmir Ismajlaga.
Qemali martohet me gjermanen Magdalena. I kanë lindur dy djem. Është interesant të theksohet se përveç emrave gjermanë, kanë pasur edhe emrin e dytë: Isa edhe Kadri (vëllezërit e Qemalit).
Qemali me familje ka ardhur gjithmonë në Ulqin. Edhe djemtë e tij kanë pasur dashuri të madhe për vendlindjen e babait tyre.
Pas një kohe, Qemali ndahet nga Magdalena dhe marton një grua nga Shqipëria.
Interant është që të thuhet se Magdalena, bashkëshortja e parë e Qemalit, pas ndarjes prej tij disa kohë ka jetuar në Kalanë e Ulqinit me nënën e saj.
Rrëfimi 3.
Abdesi më i mirë
Nëna Bukurije ka falur çdo ditë pesë vaktet e namazit. Hashimi nuk është falur asnjëherë. Një ditë duke falur namazin e Ikindisë, Hashimi ishte i ulur në divan. Menjëherë çohet në këmbë dhe i thotë Bukurijes:
“Bukurije boll është, e ke ‘pollozhit’” (e ke dhënë provimin).
Një here tjetër Bukurija i flet Qemalit për abdesin. Ky e dëgjon me vëmendje dhe shprehet:
“Nënë, mire është, por abdesi më i mirë është të lahesh, të bësh një dush…”.
Rrëfimi 4.
Qemali edhe deti
Ditë vere. Shkallat e Peshkaxhive kanë qenë në fund të plazhit të qytetit. Aty janë lidhur barkat për peshkim si edhe ato pak më të mëdha: “Napredaku“, “ Miloradi” dhe “Shasingradi”. Ato ishin anije motoristike. Disa metra më larg ishin shkallat tjera për t’u ulur në det e pastaj fillonte Moli i Vogël.
Ishim disa djem nga Kalaja prej moshës 15-vjeçare dhe më të rritur. Me ne po lahej në det edhe Qemali. Ai një kohë të gjatë punonte në Gjermani. Është folur se atje ka bërë një pasuri të madhe dhe ka jetuar një jetë avanturistike.
Dola në kënd të molit dhe e pyeta Qemalin:
“Kemo, çka kishe me dhanë për këtë diell dhe det me i pas në Gjermani?“
Qemali pa menduar u përgjigj:
„Gjymën e fitesës!“
Rrëfimi 5.
Ndihma sociale
Kthimi përgjithmonë në vendlindje
Në bahçen e shtëpisë, pas tërmetit të 15 prillit 1979, Qemali ndërtoi shtëpinë dy katëshe. Por nuk mundi ta përfundonte. Në atë kohë filluan problemet finaciare për të. Gjermania nuk i falë gabimet dhe kështu ai humbi të gjithë pasurinë në Gjermani. I kanë mbetur vetëm disa të holla të cilat i ka pasur në emër të bashkëshortes Isas Ylfetes në bankën e Ulqinit.
Vitet e fundit ai jetoi me ndihmën sociale të Gjermanisë.
Qemal Resulbegoviqi është ndër mërgimtarët e parë në Gjermani. Avanturier, biznesmen.
I dashuruar në Kalanë e Ulqinit.
Pushon në maje të Kodrës së Pinjeshit, aty ku karajeli fryn duke sjellur aromën e detit dhe nostalgjinë për të kaluarën…
(Nga libri në dorëshkrim “Valixhja nga Amerika-Mërgimtarët”)