Përvoja arkitektonike si shëmbëlltyrë e trashëgimisë kulturore të Kosovës drejt UNESCO-s

Korab Kraja

21 shtator 2019

Për të filluar të shkruaj mbi përvojën në projektin e “Restaurimit dhe mirëmbajtjes së parqeve e kopshteve historike”, në fillim do duhej të fillohet me një histori të shkurtër të qytetit.
Pse të fillohet kështu? Sepse, qyteti Weimar (Vaimar) ka një rëndësi të veçantë historike dhe kulturore për rajonin në të cilin gjendet, në Thüringen (Tyringen). Dhe, ky qytet i vogël, po ashtu ka rëndësi të madhe për tërë Gjermaninë. Përpos Gjermanisë, Weimar është i veçantë për historinë dhe kulturën evropiane. Duke qenë i tillë, atëherë pashmangshëm se rëndësia e tij arrin edhe përmasat botërore. Duke u mbështetur në prezantimin e projektit, mund të thuhet se, në fund të shekullit XVIII dhe në fillim të shekullit XIX, qyteti i vogël Weimar në Thüringen ka parë një lulëzim të shënuar kulturor. Patronazhi i ndriçuar dukal tërhoqi shumë shkrimtarë të njohur gjermanë, kompozitorë dhe artistë në qytet, duke përfshirë Johann Wolfgang von Goethe, Friedrich Schiller dhe Franz Liszt, duke e bërë kështu Weimarin qendrën kulturore në Evropë për atë kohë. Ky zhvillim është i shpërfaqur në shumë ndërtesa e parqe brenda dhe përreth qytetit.
“Classical Weimar” është futur në listën e UNESCO-s të Lokaliteteve të Trashëgimisë Botërore në vitin 1998, duke u bërë lokaliteti i njëzetë në Gjermani për t’u njohur si Trashëgimi Botërore. “Classical Weimar” përfshin dymbëdhjetë ndërtesa individuale dhe ansamble, të cilat paraqesin elemente të trashëgimisë materiale dhe jomateriale të Classical Weimarit. Kështjella e Qytetit të Weimarit, Biblioteka e Dukeshës Anna Amalia, vendbanimet e Goethes dhe Schillerit, Kisha e Qytetit, Qemeri Dukal me Varrezat Historike dhe shumë të tjera janë të përfshira në Listën e Trashëgimisë Botërore.
Parqet dhe kopshtet historike të Weimarit i bashkojnë ndërtesat historike dhe rrethinat e tyre dhe janë kështu, karakteristika kyçe në koleksionin e “Classical Weimar”: Parku mbi Ilm me Shtëpinë Romake dhe Shtëpinë e kopshtit të Goethes, Parku Belvedere me Kështjellën e kopshtin me portokalle, Parku Tiefurt me Kështjellën, si dhe Parku Ettersburg me Kështjellën.
Të gjitha këto tregojnë rëndësinë e veçantë që ka ky qytet dhe rëndësinë që përfaqësuesit e vendeve të ndryshme kanë pasur rastin t’i kalojnë dy javë në të, duke u njohur me këtë histori e kulturë, duke e përjetuar gjatë atyre ditëve, duke e prekur çdo ditë, për pesëmbëdhjetë ditë me radhë.
Dita e parë do të jetë ditë e veçantë, sepse në këtë ditë do duhej të mblidheshim të gjithë, të njiheshim me njëri-tjetrin. Kjo, për arsye organizative, nuk ishte e mundur për të gjithë, sepse ne që shkuam nga Kosova mbërritëm me vonesë për shkaqe të transportit: unë në mbrëmje vonë, ndërsa tjetri të nesërmen herët. Sidoqoftë, prezantimin e bëmë ditën e dytë, ku u njohëm të gjithë me njëri-tjetrin, me emër e mbiemër, vendin nga ku ishim, profesionin, interesimet, qëllimet dhe çka prisnim nga ky projekt dhe si do të na shërbejë në të ardhmen. Aty kishte pjesëmarrës nga shtete të ndryshme – nga SHBA-ja, Anglia, Argjentina, Spanja, Portugalia, Rusia, Indonezia, Japonia, Kina, si dhe nga Shqipëria e Kosova.
Ditën e parë u organizuam në grupe dhe bëmë shëtitje nëpër qytet, ku më parë kishim marrë pyetësorë që do të na ndihmonin të hulumtonim mbi tema të ndryshme të historisë, kulturës, politikës e arkitekturës së qytetit, të cilat në fund ia prezantuam njëri-tjetrit.
Ditën e dytë vizituam qendrën e Klassik Stiftung Weimar, ku na njoftuan edhe ata mbi qytetin, projektin dhe nënshkruam kontratën për ditët e ardhshme. Pastaj, shkuam në vendin kryesor, për të cilin kishim udhëtuar dhe po prisnim me padurim: në Parkun Belvedere. Atje shkuam me biçikleta, të cilat do t’i përdornim çdo ditë për vajtje e ardhje. Udhërrëfyes ishte z. Andreas, një inxhinier i peizazhit, parqeve e kopshteve, i cili na ka udhëhequr në park, duke na treguar historinë e tij, traditat, mënyrën e jetesës dhe mbi familjarët e trashëgimtarët e familjes dukale. Prezantimi i tij ishte mjaft profesional, dukej që ishte i përgatitur mirë, fliste qartë e rrjedhshëm dhe bënte paraqitje të hollësishme, nuk kalonte diçka të rëndësishme pa treguar. Me një fjalë, ishte paraqitje dinjitoze, punën e kryente me përkushtim dhe e meritonte vendin ku ishte.
U takuam edhe me mjeshtrin Peter Trescher. Nga ai mësuam shumëçka. Ishte 59-vjeçar, por fizikun dhe energjinë trupore i kishte si të njëzetë apo tridhjetë vjeçarit. Përvoja e tij mbi dyzetvjeçare, aftësitë e tij punuese, komunikuese dhe njohuritë e tij mbi tema, probleme e fusha të ndryshme e bënin atë personalitet të respektueshëm nga të gjithë. Personalisht, kam fatin që më është dhënë mundësia të bisedoj dhe të punoj me të. Kur fliste mjeshtri Peter, mënyra se si e shtronte çështjen dhe përgjigjet që i jepte, të gjitha pothuajse nga përvoja, dukej se nuk po flet një mjeshtër gurësh e muresh, por një akademik me tituj shkencorë. Respektin ai e gëzonte edhe ndër punëtorët e tjerë dhe organizatorët. Po të mos ishte kështu, Klasik Stiftung Weimar, i cili bashkëpunon me UNESCO-n, si dhe European Heritage Volunteers, nuk do ta kontraktonin atë. Madje, ishte ndër të paktët mjeshtra i cili bënte punën që bënte, dhe ishte ndër më të njohurit në rajonin e Thüringenit.
Projekti ishte i vendosur në një pjesë të të ashtuquajturit kopsht i portokalleve. Aty ndahej në dy pjesë: në pjesën e murit dhe në pjesën e shkallëve. Puna te muri kishte të bënte me rindërtimin e murit të vjetër, i cili ishte rreth 300 vjeç, me mënyrën tradicionale, për ta rindërtuar atë ashtu siç ishte. Teknika po ashtu duhej të ishte tradicionale, sepse ndërhyrja me teknologji ishte e ndaluar me ligj dhe me moral. Prandaj duhej ruajtur ajo teknikë e rindërtimit, e duke e ruajtur atë teknikë, ne ruanim murin, e duke e ruajtur murin, ne ruanim trashëgiminë, e duke e ruajtur trashëgiminë, ne ruanim historinë. Prandaj ishte kënaqësi të merrnim pjesë aty.
Njësoj ishte edhe te pjesa tjetër e projektit, te pjesa e shkallëve. Aty duhej të rindërtoheshin shkallët që çonin në kopsht, si dhe në fund të tyre të zbulohej shtegu i vjetër. Unë qëndrova te projekti i murit, ndonëse një herë edhe u shkëmbyem.
Mjeshtri Peter na mësoi teknikat tradicionale – si t’i përdornim dhe si t’i bartnim gurët e vegjël dhe të mëdhenj, si ta godisnim gurin me çekiç, si ta formësonim gurin, si ta thyenim, si ta vendosnim, na mësoi llojet e gurëve, na foli për to, na tregoi origjinën e tyre, na shpjegoi fosilet që gjendeshin nëpër gurë dhe na tregonte si provohet fortësia e murit. Më e rëndësishme, siç thoshte ai, ishte se punën me gurë duhet ta ndienim dhe e tërë puna duhej të bëhej duke e ndier.
Materializimi i murit duhet të bëhej nga guri i murit ekzistues dhe nga argjila e po atij muri. Gurët ishin në forma të ndryshme, të çrregullt, prandaj edhe teknika quhej “ndërtimi i murit me gurë të thyer”. Ndërsa, argjila ishte e thatë, pluhur dhe ashtu e vendosnim si material lidhës, e cila nga shiu ngurtësohej dhe formonte masë më të mirë e më të fortë lidhëse. Gjatë gjithë ditëve që ishim në punë kjo ishte detyra jonë: rindërtimi i murit. Argjilën që mungonte e merrnim në një vend tjetër, aty ku e kishin grumbulluar kohë më parë.
Grupi tjetër punonte te shkallët. Fillimisht bënë zbulimin e shtegut duke hequr dheun sipërfaqësor deri te kalldrëmi i parë që dilte në pah. Ashtu e formuan një shteg disa metrash të gjatë, nga shkallët deri ku supozohej të ishte qendra e parkut në formë rrethore. Shkallët ishin nga blloqet e mëdha të gurit, të cilat gjatë kohës kishin lëvizur, ishin rrëzuar apo edhe mungonin. Blloqet e gurëve i merrnim në vendgrumbullimin e tyre, aty në afërsi. Edhe këta kishin nevojë për ndonjë formësim aty-këtu dhe duhej të vendoseshin në vend. Kjo punë kërkonte përkushtim të madh, saktësi dhe durim. Nuk bëhej asgjë shkel e shko dhe nuk lihej asgjë pa e punuar mirë dhe pa e përfunduar në mënyrë të rregullt.
Gjatë këtyre ditëve, sigurisht që kemi bërë edhe shëtitje nëpër qytet, nëpër muzetë e shumtë që kishte qyteti. Ndër ta, vizituam Muzeun e Bauhaus në Weimar. Aty prezantoheshin punimet, vizatimet, pikturat, modelet e skultpurat që kishin rëndësi të veçantë, sepse bënë lëvizje të rëndësishme për artin e arkitekturën që bënë ndryshimet rrënjësore mbi art e arkitekturë në botë. E gjitha pra, filloi në këtë qytet, ku edhe u hap Universiteti i Bauhaus në Weimar.
Pastaj vizituam shtëpinë e Goethes, që gjendej në zemrën e qytetit, që shquhej për një arkitekturë të dallueshme, si kompleks ndërtesash, që brenda të jepte përshtypjen e ndonjë labirinti. Aty patëm mundësinë të shihnim dhomat, orenditë, skulpturat, arkitekturën e brendshme, hollësitë e punuara mjeshtërisht, karriget ku është ulur Goethe, tavolinat mbi të cilat ka shkruar Goethe, shtratin ku ka fjetur dhe karrigen e veçantë në të cilën ka vdekur Goethe.
Përpos kësaj, vizituam shtëpinë e arkitektit të famshëm Henry van de Velde, e cila ishte e pozicionuar në periferi të qytetit dhe ishte e projektuar e tëra nga ai vetë. Duke bërë shëtitjen nëpër Parkun mbi Ilm, është e kuptueshme, vetëm në një pjesë të tij, sepse parku ishte shumë i madh që të vizitohej i tëri për një ditë, na treguan se parku është peizazhi më i rëndësishëm në Weimar, i krijuar në shekullin XVIII dhe i ndikuar nga Johann Wolfgang von Goethe. Në fund të tij gjendej Shtëpia Romake, që ishte realisht e vonë për nga ndërtimi dhe ishte ndërtuar për Goethen. Stili i saj nga jashtë ngjante me shtëpitë antike romake, por nga brenda ishte plotësisht e ndryshme, që vërehej që ishte shtëpi banimi apo pushimi.
Shëtitjet i vazhduam edhe në fundjavë. Të shtunën kishim ekskursion të organizuar në dy qytete në afërsi të Weimarit. Destinacioni i parë ishte Gotha. Vizituam Parkun e Qytetit, ku udhërrëfyes kishim si gjithmonë z. Andreas. Aty mësuam se të gjithë këto parqe, edhe Parku Belvedere, janë të projektuar e ndërtuar në stilin e Barokut dhe që quhen “kopshtet angleze”. Na tregoi për Capability Brown, për Murin Ha-Ha e tjerë. Pas këtij qyteti shkuam në një qytet tjetër, në Erfurt. Erfurti ishte qytet i vogël turistik, kulturor e historik. Në këtë qytet kishte pasur ndikim të madh mafia italiane, të cilët ende ishin të pranishëm aty.
Të dielën e kishim ditë të lirë, mund të shkonim dhe të bënim çfarë të donim. Një pjesë nga ne organizuam të shkonim në Dessau, një qytet tjetër aty në afërsi, rreth një orë larg me tren. Qëllimi i vizitës së këtij qyteti ishte Bauhaus. Kur përmendet Bauhaus, sigurisht që të shkon mendja te ndërtesa e famshme, e projektuar nga arkitekti Walter Gropius, e paraqitur në të gjitha anët me format katërkëndëshe duke luajtur me vëllimet e mëdha e të vogla që krijojnë kështu, në mënyrë të përkryer efektin e dritëhijes. Të bie në sy fasada kryesore, ku është e shkruar me shkronja të mëdha BAUHAUS, vertikalisht. Ngjyrat dominuese janë e bardha, e hirta, pak e zeza dhe e kuqja edhe më pak. Vizita në Universitetin e Bauhaus në Dessau, të ngjall emocione më të mëdha se Universiteti i Bauhaus në Weimar. Për shkaqe politike, udhëheqësve të Bauhaus iu desh të shpërnguleshin në këtë qytet, ku e rritën ndikimin edhe më tepër sesa kishte emrin e Bauhaus, ku e zhvilluan dhe bënë, d.m.th. krijuan filozofi dhe moral në art e arkiteketurë, ku bënë që emri i artistit e emri i arkitektit të ngritet lart në pozitën e shoqërisë. Në atë kohë adoptuan parullën “Arti në industri”. Lëvizja Bauhaus ishte kthesë e madhe, e rëndësishme për të ardhmen e artit dhe arkitekturës, për të riimagjinuar botën materiale për të pasqyruar unitetin e të gjitha arteve. U punua dhe në fund u prezantua rryma e re të cilën do ta ndiqnin këto dy degë së bashku. Qëllimi i saj ishte që arti të kthehej në kontakt me jetën e përditshme dhe arkitekturës, arteve interpretuese, dizajnit e arteve të aplikuara iu dha rëndësi aq e madhe, sa të quheshin arte të bukura. Shkolla u mor përfundimisht me lëvizjen e saj moderne të artit, të karakterizuar nga qasja e saj unike ndaj arkitekturës dhe dizajnit.
Në fund të ditës vizituam shtëpitë e mjeshtërve të mëdhenj të Bauhaus, të quajtura si “Meisterhäuser”. Këto shtëpi i përkisnin Walter Gropius, László Moholy – Nagy dhe Lyonel Feininger, Georg Muche, Oskar Schlemmer, Wassily Kandinsky dhe Paul Klee me familjet e tyre. Pastaj, aty jetuan Hannes Meyer, Ludwig Mies van der Rohe, Josef Albers, Hinnerk Scheper dhe Alfred Arndt.
Pas fundjavës na priste java e fundit, e cila kaloi shpejt, sepse ishim në përfundim të punëve që i kishim. Murin e kishim pothuajse gati dhe shkallët me shtegun po ashtu. Gjatë tërë javës u morëm me këto detyra, ishim të entuziazmuar dhe çdo natë kishim ushqim të ndryshëm, tradicional nga vende të ndryshme, sepse çdonjëri nga ne përgatiste ushqim përfaqësues.
Gjatë qëndrimit atje dyjavësh kishim dy prezantime, të ndarë në dy grupe. Njëri grup prezantoi javën e parë, ndërsa grupi tjetër javën e dytë. Prezantimi kishte për qëllim njohjen me kulturat e secilit, ku prezantuam secili nga ne trashëgiminë kulturore të vendeve tona. Unë prezantova kullat, rolin e tyre në trashëgiminë kulturore shqiptare, kullat pas luftës dhe mirëmbajtjen e tyre në ditët e sotme. Po ashtu, tregova disa shembuj mbi ndërtimet e kullave dhe mundësitë për konservimin apo restaurimin e tyre.
Dita e fundit ishte më pak e lodhshme. Gjatë paradites punuam pak, sepse pasdite na priste ushqimi i organizuar për të gjithë ne dhe për të gjithë punëtorët e Parkut Belvedere. Tavolinat ishin të mbushura plot me ushqim dhe pije, duke u përkujdesur edhe në stolisjen e tyre me lule. Në fund z. Andreas bëri shpërndarjen e certifikatave dhe bëmë fotografinë grupore, tashmë tradicionale, ku secili kishim flamurin e shtetit që përfaqësonim.
Të nesërmen u përshëndetëm me njëri-tjetrin, duke falënderuar dhe duke i uruar njëri-tjetrit suksese të mëtejshme. Ndarja ishte emocionuese, por rezultati i mirë. Muri është i siguruar, vitin e ardhshem do ta vazhdojnë të tjerët, ashtu siç bëmë edhe ne, deri në përfundimin e tij. Ndërsa, shkallët u bënë më të sigurta dhe tani të ftojnë ta vizitosh edhe atë pjesë.
Në vend të përfundimit, do shtoja se ishte përvojë e jashtëzakonshme dhe e veçantë. Ky projekt kishte rëndësi të posaçme, sepse me këtë projekt kisha mundësinë të njihesha me kultura të ndryshme, si dhe ta vizitoja një qytet të rëndësishëm kulturor e historik, me domethënie të mëdha: e para, sepse më ra rasti që të merrja pjesë në një projekt të tillë, të organizuar me qëllim që ta ndihmojmë trashëgiminë botërore dhe të punoja në një lokalitet të UNESCO-s. E, dihet se UNESCO nuk lejon çdokënd të ndërhyjë në lokalitetet e saj, përpos punëtorëve të tyre. E dyta, sepse atje isha si përfaqësues i Kosovës, i dërguar nga institucioni i Këshillit të Kosovës për Trashëgiminë Kulturore. Dhe, kjo ka rëndësi, sepse Kosova nuk është në UNESCO, por dërgoi një përfaqësues në lokalitet të saj që të trajnohet dhe të marrë mësim nga atje.

Të fundit

më të lexuarat