Plavë – Në seancën e katërt të Kuvendit të Komunës së Plavës për vitin 2023, e cila u mbajt të martën më 26 shtator 2023, në sallën e madhe të Qendrës për kulturë “Husein Bashiq”, janë shqyrtuar nëntë propozim vendime, pesë raporte dhe një informatë të organeve të qeverisjes lokale, institucioneve publike dhe organizatave që punojnë dhe veprojnë në kuadër të Komunës së Plavës.
Ne fillim të seancës, të cilën e hapi kryetari i Kuvendit, Allen Balliq, u verifikua mandati i tre këshilltarëve të rinj, të gjithë nga radhët e Partisë Boshnjake: Amra Feratoviq, Minella Markishiq dhe Ervin Kandiq, në vend të tre këshilltarëve të deritanishëm te njëjtit subjekt politik: Fuad Feratoviq, Ellzana Rexhematoviq dhe Bejto Shahmanoviq të cilët paraprakisht kanë dhënë dorëheqje nga detyra e këshilltarit për shkaqe të ndryshme. Pastaj pa vërejtje njëzëri u miratuan procesverbalet nga tri seancat e mbajtura më parë: e para e mbajtur më 10 prill 2023, e dyta, më 24 prill 2023 dhe e treta, më 15 maj 2023 dhe rendi i ditës i propozuar prej 15 pikash pa ndryshime dhe plotësime më 22 vota “për”, 4 “kundër” dhe 2 “të përmbajtur”.
Seanca filloi punën me shqyrtimin e dy pikave të para të rendit të ditës me propozim vendimet mbi llogaritë përfundimtare të Buxhetit të Komunës së Plavës për vitet 2021 dhe 2022, përmbajtjet koncipuese të të cilave të shprehura me fjalë dhe shifra në mënyrë analitike dhe konstruktive i prezantoi dhe i argumentoi ndihmësi i sekretarit të Sekretariatit për ekonomi, zhvillim dhe financa, Sullejman Deshiq.
Në fillim të elaboratit konciz Deshiqi konfirmoi se shqyrtimi i llogarive përfundimtare të Buxhetit të Komunës për vitet e përmendura për shkaqe objektive është duke u bërë me vonesë dhe në vazhdim shtoi se Buxheti i Komunës së Plavës për vitin 2021 ishte i planifikuar në shumën prej 4.895,00 euro, të hyrat e realizuara në shumën prej 4.958.069,01 euro, gjendja e depozitës më 01.01.2021 ka qenë 349.814,83 euro, shpenzimet e realizuara në shumën 4.229.309,90 euro, pagesa nga mjetet rezervë të Buxhetit në shumën 13.590,03 euro dhe gjendja e depozitit më 31.12.2021 në shumën 728.759,11 euro. Kurse buxheti i Komunës së Plavës për vitin 2022 ishte i planifikuar në shumën 4.150.000 euro, të hyrat e realizuara në shumën 4.263.396,61 euro, gjendja e depozitës më 01.01.2022 në shumën 728.798,31 euro, shpenzimet e realizuara në shumën 4.134.353,85 euro, pagesa nga mjetet rezervë të Buxhetit në shumën 17.540,80 euro dhe gjendja e depozitës më 31.12.2022, në shumën 129.042,76 euro.
Pas trajtimit dhe shqyrtimit analitik e konciz të propozim vendimeve të sipërpërmendura, në cilat me diskutimet e veta kanë marrë pjesë këshilltarët: Ervin Kandiq, Denis Nekoviq dhe Mirza Medunjanin duke dhënë vërejtje dhe sugjerime, llogaritë përfundimtare të Buxhetit të Komunës së Plavës për vitet 2021 dhe 2022 janë miratuar me nga 25 vota “për” dhe 5 “të përmbajtur”.
Në punën e mëtejme të seancës, e cila zgjati rreth tri orë e gjysmë, këshilltarët e pranishëm trajtuan e shqyrtuan dhe njëzëri apo me shumicë votash “për” miratuan edhe shtatë propozim-vendimet tjera të rendit të ditës në trajtimin e të cilave në diskutimet e veta morën pjesë ca këshilltarë, kryesisht të opozitës: propozim-vendimi mbi vërtetimin e vendimit të kryetarit të Komunës mbi fortifikimin e lokalitetit me elemente të kushteve urbane-teknike për ndërtimin e objektit lokal me interes të përgjithshëm dhe ca instalime të elektro infrastrukturës, mbi vërtetimin e vendimit të kryetarit të Komunës mbi hartimin e programit të objekteve të përkohshme në territorin e Komunës së Plavës për periudhën kohore 2023-2028, mbi çmimin për furnizimin publik në ujë të SHPK “Veprimtaritë komunale” në Plavë për vitin 2023 dhe çmimin për pranimin dhe kullimin e ujërave të zeza të SHPK “Veprimtaritë komunale” për vitin 2023, mbi çmimin për furnizimin publik me ujë të SHPK “Veprimtaritë komunale” në Plavë për vitin 2024 dhe çmimin për pranimin dhe kullimin e ujërave të zeza të SHPK “Veprimtaritë komunale” në Plavë për vitin 2024, propozimi i planit dhe programit të punës, vlerësimi i shpenzimeve financiare për vitin 2023 dhe plani i blerjeve të Qendrës për kulturë “Husein Bashiq” në Plavë, propozimi i planit dhe programit të punës së Qendrës ditore për fëmijë dhe rini me të meta në zhvillim “Lipa” në Plavë për vitin 2023. Propozim-vendimet dhe propozimet e sipërpërmendura i kanë parashtruar dhe argumentuar kryesisht punëdrejtuesit dhe menaxherët e tyre.
Në vazhdimin e punës së seancës janë shqyrtuar edhe raportet e punës së organeve të qeverisjes lokale, të institucioneve publike dhe organizatave që veprojnë e punojnë në kuadër të Komunës së Plavës. Raportin mbi punën e kryetarit të Komunës, të organeve të administratës lokale dhe të shërbimeve për vitin 2022, në mënyrë koncize dhe konstruktive e konfirmoi kryetari i Komunës, Nihad Canoviq. Raportin mbi punën e SHPK-së “Veprimtaritë komunale” me raportin financiar për vitin 2022 dhe programin e punës për vitin 2023 e argumentoi kryetari i Këshillit punëdrejtues Gano Shaboviq. Raportin mbi punën e Qendrës për kulturë “Husein Bashiq” me raportin financiar për vitin 2022 e argumentoi kryepunëtori për veprimtari kulturore, Alija Rexhematoviq. Raportin mbi punën e Qendrës ditore për fëmijë dhe të rinj me të meta në zhvillim “Lipa” me raportin financiar për vitin 2022 e argumentoi drejtori Jasmin Jevriq dhe Raportin mbi punën e Organizatës turistike të Plavës me planin financiar për vitin 2022 e prezantoi dhe argumentoi drejtori Elldin Feratoviq.
Raportet në fjalë në shqyrtimin e të cilëve kanë marrë pjesë ca këshilltarë, kryesisht të opozitës, me diskutimet e veta, janë miratuar njëzëri ose me shumicë votash “për”.
Në fund të punës së seancës, këshilltarët janë njoftuar me informatën mbi punën e Kryqit të kuq në Plavë për vitin 2022, të cilin e ka prezantuar sekretarja Ellvira Muliq.
Shaban Hasangjekaj