Trashëgimia kulturore shpirtërore përmes instrumenteve popullore në Anë të Malit

Gjekë Gjonaj

Trashëgimia kulturore jomateriale që është shprehje e pasurisë sonë shpirtërore, në Anë të Malitështë shfaqur edhe përmes instrumenteve të muzikës popullore. Instrumentet tradicionale muzikore janë vlera të trashëgimisë shpirtërore të krijuara nga shqiptarët ndër shekuj. Këto vlera unike dhe të shumëllojshme për nga mënyra e krijimit, përçimit dhe realizimit të tyre, përbëjnë një nga shtyllat e identitet kulturor edhe të anamalasve, sikurse të gjithë shqiptarëve. Veglat muzikore mbajtën gjallë traditën popullore në Anë të Malit. Ato kishin një peshë të madhe në traditën e tyre, sepse rrëfejnë historinë e tyre ndër vite. Ndër to po përmendim lahutën (instrument i lashtë autokton shqiptar me një tel ose qime kali) e cila dikur , siç mësuam nga anamalasit e vjetër, ka qenë e pranishme pothuaj në çdo shtëpi të tyre. Me këtë instrument në të kaluarën u kënduan këngë epike shqiptare. Përveç lahutës, anamalasit kanë përdorur edhe çiftelinë me dy tela, fyellin, defin (dajren), zymaren, violinën, mandolinën,kitarën, fizarmonikën etj. Me këto instrumente shoqëroheshin këngët popullore epike (këngët historike, legjendat, baladat dhe këngët e kreshnikëve) dhe lirike (këngët e djepit, këngët e dashurisë, këngët e dasmës, këngët e kurbetit, këngët e punës dhe ritualet) të trevës të cilat janë të lashta sa edhe vetë jeta e tyre.
Përdorimi i këtyre instrumenteve muzikore që janë pjesë përbërëse e korpusit të vlerave të trashëgimisë popullore të kësaj zone dhe thesar i paçmuar vlerash, me nektarin e të cilave ndër shekuj u ushqye dhe u brumos popullsia vendase është në rënie, kryesisht përdoren në raste dasmash e ahengjesh familjare. Ashtu siç po harrohet gjithnjë e më shumë muzika, melodia dhe kënga popullore, të njëjtin fat po e përjetojnë edhe vallet popullore anamalase me karakteristikat e veta të cilat e veçojnë nga krahinat e tjera shqiptare. Po harrohen këngët. Po harrohen instrumentistet. Po harrohen veglat tradicionale muzikore. Po harrohen artistët. Kjo mendojmë se është e pafalshme, sepse çon një komb drejt shuarjes së kujtesës së vet.
Në epokën e globalizimit një nga sfidat e anamalasve dhe e të gjithë shqiptarëve të tjerë kudo që ndodhen është pikërisht ta ruajnë, ta kultivojnë, ta promovojnë dhe ta përcjellin trashëgiminë jomateriale. Është shumë e rëndësishme që t’i ruajnë këto elemente që na identifikojnë, që na bëjnë të ndjehemi shqiptarë dhe për më tepër t’i trashëgojmë ato brez pas brezi. Koha dhe teknologjia janë dy sfiduesit e mëdhenj të traditës, por shqiptarët do të duhej të bëjnë përpjekje të mëdha që ta kthejnë pikërisht teknologjinë në favorin e vet. Ka kaluar më shumë se një shekull që kur At Shtjefën Gjeçovi apo diplomati e albanologu austriak Johan Xhorxh von Han, e të tjerë të pasionuar pas folklorit, rrugëtonin shkrepave të Shqipërisë për të mbledhur visaret e kombit.

Këngëtarët/et popullorë dhe instrumentistët anamalas
Ana e Malit ndër vite ka dhënë isntrumentistë dhe këngëtarë/e me një traditë të gjatë dhe të ndritur në fushën e artit muzikor. Falë interpretimit me mjeshtri e profesionalizëm dhe zërit të tyre unik në qindra aktivitete kulturore, festivale dhe koncerte vendore, kombëtare e mbarëkombëtare janë bërë të njohur brenda dhe jashtë vendit kudo jetojnë shqiptarët. Një karrierë të suksesshme muzikore kanë pasur disa këngëtarë/e popullorë, ndër të cilët shquhen: Shaban Gjekaj ( fitues i Çmimit “Mjeshtër i Madh”), Haxhi Zeneli, Viktor Nrekiqi, Gëzim Salaj (laureat i Çmimit “Mjeshtër i Madh”), Paulina Mirëdita dhe Egzona Salaj (fituese e Çmimit “Këngëtarja më e mirë e Festivalit Folklorik Kombëtar në Gjirokastër”).
Nga radhët e instrumentistëve e ahengxhinjve të shumtë anamalas që kanë marrë pjesë në dasma, ahengje dhe në shoqëritë e para kulturore artistike të kësaj zone në fillimet e viteve 70-të të shekullit të kaluar janë dalluar: Faik Nuzi violinë-dajre), Sylo Xhafa-Kovaçi (def-dajre), Ejup Mehmeti-Jupi(fizarmonikë), Smail Hollaj (violinë), Fehim Hollaj (def-dajre), Isa Luka (fyell), Adem Veliq (fyell), Qazim Gjeloshi (fyell), Daut Zeneli (fyell), Beqo Kallaba (fyell), Musa Ceka (dajre), Isa Dani (fizarmoniokë), Xhemal Veliq, Shyqyri Ujkashi (violinë-dajre), Fadil Mustafa (violinë-dajre), Bajram Dabi (violinë), Sylejman Dabi-Fiqo (fizarmonikë), Osman Veliq ( zymare), Ramë Veliqi (zymare), Qazim Alushi (zymare), Halit Islami (fizarmonikë), Isa Dani (violinë), Ramo Salaj (violinë), Sal Ibroçi (violinë), Hamz Velushi (def), Gazmend Mustafa (fizarmonikë), Ferit Kurti (violinë), Kadri Doda (violinë), Hasan Gjeloshi (fizarmonikë), Musa Gjoni (mandolinë), Nail Selmani (fizarmonikë), Vebi Spahiu (fizarmonikë), Selim Spahiu (def), Gani Lika (def), Fadil Ibroçi (dajre), Hajro Ceka (dajre), Mehmet Mehani (dajre), Fahhri Zeneli (dajre), Seladin Maxharri (kitarë), Musa Maxharri (kontrabas), Asllan Zeneli (kitarë), Fahri Zeneli (dajre), Smaj Mara (fizarmonikë), Sadri Maxharri (çifteli), Isa Zaga (çifteli), Ruzhdi Zaga (çifteli), Taip Kurti (çifteli), Naser Demiri (kitarë), Ruzhi Musliu (xhezmendist).
Këta artistë veteranë të këngës dhe ahengut anamalas me një karrierë të pasur artistike tani i ka zëvendësuar brezi i ri i shkolluar. Shqiptarët, pra edhe anamalasit, kur ka kënduar dikush kanë thënë “të knoftë zemra”, sepse siç thonë rapsodët “nëse nuk të knon zemra nuk ta qetë kurrë goja kangën”.

Të fundit

më të lexuarat