
Në Grykë të Bunës nisi sezoni i peshkimit me kublën. Si gjithmonë në pranverë, posa fillon ajo, në këtë anë fillon peshkimi i kublës.
Po, çfarë është kubla?
Për të painformuarit ose për ata që duan të dinë më shumë për këtë lloj peshku, kubla është peshk i Atlantikut, e quajnë edhe sardele e Atlantikut, që arrin deri në 3 kg. Vjen në gryka të lumenjve, si në Bunë, për të hedhur putargën (ikrën). Kështu ka ndodhur me shekuj dhe vazhdon procesi i ruajtjes së llojit. Dikur, kush i sillte çiftin e parë të kublës Pashait të Shkodrës, ai i dhuronte një napolon dhe shpallte hapjen e sezonit.
Kubla është peshk sezonal, që nis me pranverën dhe peshkohet me shumicë. Ishte e mirëseardhur, sepse u jepte mundësi ta shijonin të gjithë. Banorët e kësaj ane në Bunë dhe në Grykë të Bunës dhe përgjatë nja 20 milje deri ku vjen uji i Bunës, peshku hedh putargën. Peshkohet me shumicë dhe çmimi i saj është i ulët. Banorët e kësaj ane e pritnin me padurim peshkimin e saj.
Një numër i peshqve të klasit të parë nuk peshkohen më në Bunë, as në liqenin e Shkodrës. Ky është një problem i madh dhe duhet kuptuar me seriozitet edhe në nivelin komunal, edhe në nivelin shtetëror, por gjithashtu edhe atë ndërshtetëror. Buna, liqeni dhe deti nuk po menaxhohen e ruhen mirë as nga fqinjtë tanë në Shqipëri. Dy shtetet duhen të bashkëpunojnë dhe marrin masa, sepse liqeni i Shkodrës dhe Buna po shkatërrohen nga peshkimi i egër
Po ashtu në lumin Neretva kubla hedh putargën. Kroatët e quajnë këtë peshk qepa.
Në grykën e Nilit kubla peshkohet me shumicë. Nga mishi i saj prodhojnë miell peshku.
Kubla udhëton me shpejtësi të madhe. Rrallëkush ka gjetur në rrjetë kubël të gjallë. Është peshk i kualitetit të dytë, peshk i thellësive, ka shumë fosfor dhe është i nevojshëm për organizëm.
Përgatitet në shumë mënyra, sidomos në brigjet e Bunës dhe në Shkodër e thanin dhe e piqnin në furrë, gjë që ia rriste vlerën ushqimit të kublës.
Sezoni i peshkimit të kublës zgjat deri në gjysmën e majit. Fshatrat dhe lagjet e Ulqinit dikur kundërmonin nga aroma e kublës. Edhe sot e kësaj dite, kubla është ushqim i shijshëm, bile i kërkuar, sidomos në fillim të sezonit.
Para disa ditësh, para tregut në Ulqin takova rastësisht fqinjin tim, tani ekonomist. Më kërkoi të pimë kafe që t’i shpjegoj diçka. Afër nesh kaluan peshkatarët me kubla. Fqinji më pyeti nëse kam ngrënë kubla sivjet, pasi që sipas tij, nuk janë si në kohën tonë?!
Pse? – e pyeta duke buzëqeshur.
Ai me vendosmëri më thoshte se kjo është e vërtetë.
Dikur iu përgjigja prerë se kur ishim fëmijë e të rinj, ishim të pangopur me peshk dhe në përgjithësi, prandaj kublat ishin të pazëvendësueshme. Prandaj, i thashë, të kanë mbetur në kujtim ty dhe mua.
Fqinji u bind dhe më thoshte se kam të drejtë. I flisja për kohën tonë, kur kublat i çonim edhe në katundet e Anës së Malit dhe në Mërkot, ku i këmbenim edhe me fiq ose pekmez, sepse kishte mjaft kubla.
Pas sezonit të kublës fillon sezoni i krapit, peshkimi i të cilit është i ndaluar me ligj deri më 15 maj. Kjo është një mënyrë e mirë për ta mbrojtur krapin, i cili në këtë periudhë është në kohën e shumëzimit.
Viteve të kaluara ka pasur raste që në rrethinën e Ulqinit peshkonin krap me shumicë, bile edhe i mbushnin lundrat. Kjo gjë paralajmëron se sivjet do të ketë më pak krap ngase vezët e krapit i sulmon karasi, një lloj krapi kinez që u hodh në liqenin e Shkodrës dikur dhe tani është shumuar me shumicë. Por, edhe peshkimi me mjete të paligjshme po e zvogëlon fondin e peshkut të liqenit të Shkodrës dhe atij të Shasit. Dikur vezët e krapit i hante me shumicë ngjala. Tani ky peshk nuk e rrezikon krapin, sepse ngjala, numri i saj dhe disa lloje të këtij peshku nuk peshkohen në liqen.
Tani kur është sezoni i peshkimit dhe shumimi i tij, Komuna dhe organizatat që merren me mbrojtjen e peshkut duhen të angazhohen më shumë në ruajtjen dhe ndalimin e peshkimit të paligjshëm në komunën tonë, por edhe në komuna të tjera, si në Tivar e Podgoricë. Ndërmarrjet duhen të organizohen dhe t’i ruajnë këto potenciale, sepse rrezikohen nga “peshkatarët” e paligjshëm dhe të papërgjegjshëm. Nëse do të vazhdohet kështu, numri i llojeve të peshkut në lumin Buna dhe në liqenin e Shkodrës do të zvogëlohet.
Një numër i peshqve të klasit të parë nuk peshkohen më në Bunë, as në liqenin e Shkodrës. Ky është një problem i madh dhe duhet kuptuar me seriozitet edhe në nivelin komunal, edhe në nivelin shtetëror, por gjithashtu edhe ndërshtetëror. Buna, liqeni dhe deti nuk po menaxhohen e ruhen mirë as nga fqinjtë tanë në Shqipëri. Dy shtetet duhen të bashkëpunojnë dhe marrin masa, sepse liqeni i Shkodrës dhe Buna po shkatërrohen nga peshkimi i egër.