Tuz – Dita Botërore e Autizmit u shënua në Tuz nga Institucioni Publik Parashkollor “Nënë Tereza” me një aktivitet të larmishëm edukativ e sensibilizues. Në një prononcim për gazetën “Koha Javore”, psikologja e këtij institucioni, e cila është pjesë e ekipit profesional të përgatitjes së shënimit të kësaj dite, Tereza Sinishtaj tregon se qëllimi i organizimit të këtij aktiviteti është sensibilizimi ndaj fëmijëve me autizëm.
“Kemi përgatitur disa aktivitete në klasë të ndryshme me ngjyrosje të ’puzzles’, me shfaqje të filmave të shkurtër vizatimor, që në mënyrë vizuale, u jep fëmijëve të kuptojnë se cilat janë gjerat që duhet t’i njohin dhe t’i pranojnë fëmijët me spektrin e autizmit”, shprehet Sinishtaj.
Ajo thotë se veprimtaria e tyre me fëmijët me autizëm konsiston në bashkëpunim të plotë me prindërit e fëmijëve të cilët i informojnë mësimdhënësit mbi gjendjen e fëmijëve të tyre.
“Gjithashtu, jemi të hapur për bashkëpunim edhe me institucionet e tjera siç është Institucioni i Identifikimit dhe Diagnostikimit të Fëmijëve me Autizëm”, thekson psikologja, Tereza Sinishtaj.
Ajo më tej shton se puna e psikologut bëhet në mënyrë individuale dhe grupore nëpër klasa, ndërsa në sferën e shqiptimit të fjalëve dhe të organizimit të fjalorit të tyre, këta fëmijë i ndihmon logopedi.
“Për punë mbështetëse kemi edhe asistentë të mjaftueshëm të cilët merren si ndihmës praktikantë në klasë”, thotë ajo.
Ndërkohë, e pyetur mbi sfidat me cilat përballet stafi i angazhuar ndaj fëmijëve me autizëm, ajo përmend sfida të ndryshme.
“Ne kemi fëmijë të cilët janë të paidentifikuar që nuk janë të diagnostikuar dhe kjo për ne përbën një sfidë, sepse nevojitet kohë që të bisedohet me prindërit, që të bëhet ai pranimi i parë nga pjesa prindërore dhe pastaj që të fillohet me procedurën tjetër dhe të bëhet një fëmijë me diagnozë, që do të thotë se do t’i japim një ndihmë shtesë me pjesën e asistimit të tij në grup dhe t’i qaset grupit më mirë”, shprehet Sinishtaj.
Ndërkaq, ajo thekson se në raste të tilla prindërit kanë rol kryesor që t’u ndihmojnë atyre sa më shumë, për të qenë bashkëpunues, në mënyrë që stafi profesionist t’u japë fëmijëve me autizëm ndihmën e duhur.
Gjatë aktivitetit të organizuar me rastin e 2 Prillit- Ditës Botërore të Autizmit, nëpërmjet sloganeve të shumta, u përcollën disa mesazhe sensibilizuese si: “Më prano”; “Më eduko”; “Mos më gjyko”; “Më duaj”; “Më përkrah”, etj..
Mesazhe të tilla, thotë psikologja, janë porosi të qarta se si duhet të sillemi me fëmijët me autizëm, që ata të mos i trajtojmë si fëmijë ndryshe, por si pjesë të shoqërisë.
“Të bëhemi një shoqëri e cila jep një mesazh të qartë, sensibilizues në përkrahjen e këtyre fëmijëve, sepse siç është motoja e 2 Prillit e vendosur nga Rezoluta e Kombeve të Bashkuara në vitin 2007: “Autizmi nuk zgjedh, autizmi flet”, ne duhet të jemi mbështetës të kësaj kategorie dhe t’i ndihmojmë që t’i qasen më mirë socializimit të tyre në jetë”, shprehet psikologja, Tereza Sinishtaj.
Ndërkaq, Dita Botërore e Autizmit u shënua edhe nga vullnetarët e Kryqit të Kuq të Tuzit të cilët vizituar Organizatën Joqeveritare “Fëmijët e Malit të Zi” ku i ndanë kësaj shoqate disa dhurata simbolike.
Kujtojmë se Dita Botërore e Autizmit u vendos nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2007, si një përpjekje për t’i dhënë fund diskriminimit të bërë ndaj personave me autizëm.
t. u.