Thethi-ballkonii Alpeve

Luljeta Avdiu – Cura

Parku Kombëtar i Thethit ndodhet në pjesën qendrore të Alpeve të Shqipërisë, ndërmjet bllokut të Bjeshkëve të Nemuna në perëndim dhe bllokut të Jezercës në lindje. Thethi është një qendër turistike-alpinistike më e rëndësishmja e zonës veriore, 70 km larg nga qyteti i Shkodrës. Ai bën pjesë në Komunën e Shalës, të zonës së Dukagjinit. Parku kufizohet nga të gjitha anët me maja të larta shkëmbore të dy blloqeve më të sipërme, të cilat bien thikë në luginë dhe formojnë pamje të papërseritshme të tilla si maja e Radohimës, (2570 m), Arapit (2217 m), Paplukës (2569 m), Alisë (2471 m),etj. Në lartësitë 750-800 metër, poshtë në luginë shtrihet fshati piktoresk i Thethit.
Historia e Thethit dhe e Shalës është e lidhur me atë të fisit ilir të Labeatëve. Thethi është vendbanim shumë i hershëm duke u bazuar në të dhënat historike dhe zbulimet arkeologjike. Këtu kanë banuar Oksetët, Bythdosët, Berbati, Vladët, Kelmendas e ndoshta edhe grupe te tjera popullsie të pa njohura. Thethi për herë të parë shfaqet i dokumentuar në Defterin e regjistrimit të sanxhakut të Shkodrës, në vitin 1485, me emrin Fusha dhe në atë kohë kishte vetëm 7 shtëpi të mëdha. Në shekullin e XVI–të, osmanët e izoluan këtë zonë nga Shkodra dhe Malësia e Madhe, duke e bashkuar administrativisht me Sanxhakun e Dukagjinit me qendër në Pejë. Që nga ajo kohë Thethi konsiderohet pjesë e Dukagjinit. Edhe sot, Shala, Shoshi dhe Pulti konsiderohen pjesë e Dukagjinit.
Më pas, në fillim të shekullit XIX, fisi i Ahcajve nga Thethi arriti ta bashkojë këtë zonë me bushatëlinjtë e Shkodrës. I pari që përmend Thethin në hartën e vitit 1668, është Cornelli, ndërsa në vitin 1916-1917 shkon në fshatin Theth at Shtjefën Gjeçovi, i cili shkruan për të dhe e bën të njohur. Viti 1921 e gjen Thethin me shkollë të ndërtuar nga Kryqi i Kuq Amerikan dhe më pas në 1936 hapet rruga automobilistike që shoqërohet një vit më vonë me hapjen e një agjencie turistike.
Me kalimin e viteve që nga viti 1968 e në vazhdim u hapen disa qendra të tjera turistike dhe u ndërtuan godina, hotele e shumë objekte të tjera, që do të prisnin vizitorë të shumtë nga e gjithë Shqipëria dhe Evropa Lindore për 35 vjet rresht. Kapaciteti i sezonit veror ishte mesatarisht deri në 600 vetë dhe në dimër mbi 400 vetë, mesatarisht 1 pushues për 1 banor. Në vitin 1976, Thethi shpallet “Park Kombëtar.”
Natyra ofron pamje të mrekullueshme për t’i vizituar, por edhe monumentet kulturo-historike po ashtu kanë vlerën e vet.
Arsyeja e vërtetë që më shtyu ta vizitoj këtë vend piktoresk është varri i albanologut Robert Elsie. Ai ka zgjedhur këtë vend ndërmjet maleve, për ta vendosur trupin fizik.
Robert Elsie ka lindur më 29 qershor 1950 në Vancouver të Kanadasë. Ai u nda nga jeta më 2 tetor 2017 pas një aktiviteti të madh studimor për kulturën, traditat dhe historinë shqiptare. Elsie gjithë jetën, formimin, energjitë intelektuale e shpirtërore ia kushtoi botës shqiptare dhe vlerave identifikuesve të saj nëpër shekuj.
Pasi mbaroi studimet universitare për filologji klasike në University of British Columbia, plotësoi formimin e vet me disa specializime të njëpasnjëshme në disa universitete të njohura evropiane: fillimisht në Universitetin e Lirë të Berlinit Perëndimor (Freie Universität Berlin); në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta (École Pratique des Hautes Études) në Paris, në Institutin e Dublinit për Studime të Larta (Dublin Institute for Advanced Studies) dhe në Universitetin e Bonit (Universität Bonn).
Në vitin 1978 përfundoi studimet e doktoratës dhe po atë vit vizitoi për herë të parë Shqipërinë. Kontaktet e para me botën shqiptare ai i realizoi përmes pjesëmarrjes në seminarin e përvitshëm të Prishtinës, i njohur si Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
Për një kohë të gjatë, prej mbi një dekade, Robert Elsie punoi si funksionar në ministrinë e punëve të jashtme të Gjermanisë (2002-2013), duke kryer ndër të tjera edhe detyrën e përkthyesit në Gjykatën Speciale të Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi.
Veprimtaria kërkimore dhe shkencore e Robert Elsie-së është me karakter të shumanshëm. Ajo përfshin pothuajse të gjitha fushat e albanologjisë: historinë politike dhe atë kulturore; etnografinë, etnologjinë dhe antropologjinë; filologjinë e tekstit, historinë e shkrimeve dhe gjuhësinë; etnokulturën dhe trashëgiminë materiale e shpirtërore të popullit shqiptar; letërsinë gojore dhe atë të shkruar; besimet, kultin dhe Shkrimet e Shenjta.
Robert Elsie, përgjatë më shumë se tri dekadave, u bë një figurë emblematike e albanologjisë bashkëkohëse të zhvilluar në Evropë e në botë. Ndonëse një kërkues i lirë, ai pati një veprimtari shkencore me përmasat e një institucioni.
Robert Elsie ndër të tjera shërbeu edhe si një urë shumë e frytshme dhe e suksesshme për promovimin e dyfishtë e të ndërsjellë të trashëgimisë shpirtërore të popullit shqiptar, si përkthyes i letërsisë, eposit heroik legjendar dhe letërsisë shkencore prej gjuhës shqipe në anglisht e gjermanisht nga njëra anë, dhe si përkthyes i veprave e studimeve më të rëndësishme të albanologëve të huaj të shekullit XIX dhe XX nga gjuhët e burimit në shqip e në gjuhën angleze.
Koleksioni i shkrimeve të hershme shqip në gjuhët e liturgjive kishtare të transliteruara e të tejshkuara nga Robert Elsie; koleksionet e udhëpërshkruesve të huaj që botuan libra me përshtypje nga vizitat nëpër Shqipërinë tradicionale; koleksionet e fotografëve dhe të piktorëve; si dhe koleksionet e dorëshkrimeve laike e kishtare, që janë evokuar në veprën e tij, mbeten një pasuri e shkëlqyer për të gjithë ata që merren me albanologji, jashtë dhe brenda vendit. Këto koleksione kanë pasuruar në mënyrë prapavajtëse burimet dhe burimologjinë, bibliotekat dhe burimologjinë e bibliografinë albanologjike.
Disa nga veprat më të rëndësishme të Robert Elsie-së janë:
Dictionary of Albanian Literature (1986), leksikon enciklopedik tematik;
Migjeni, Freie Verse (1987, 1991, 2001), përkthim gjermanisht i veprës së Migjenit;
Anthologie albanischer Lyrik vom 16. Jahrhundert bis zur Gegenwart (1988), antologji e lirikës shqiptare nga shekulli XVI deri në kohët e reja;
Anthology of modern Albanian poetry (1993), antologji e letërsisë bashkëkohore shqiptare;
Albanian folktales and legends (1994, 2001), rapsodi dhe legjenda shqiptare;
History of Albanian literature (1995, 1997, 2001), histori e letërsisë shqiptare;
Një fund dhe një fillim (1995), histori e shkurtër e letërsisë shqiptare;
Studies in modern Albanian literature and culture (1996), studime për letërsinë dhe kulturën bashkëkohore shqiptare;
Kosovo. In the heart of the powder keg (1997), publicistikë për zhvillimet e në Kosovë në fundin e shekullit XX;
Evliya Çelebi in Albania and adjacent regions (Kosovo, Montenegro, Ohrid) (2000), shenjime për kronikanin osman Evlia Çelebiu dhe të dhënat e tij për Shqipërinë dhe vendet e afërme;
A dictionary of Albanian religion, mythology and folk culture (2001), fjalor i mitologjisë, besimeve dhe kulturës popullore shqiptare;
Der Kanun (2001), Kanuni, përkthim;
Handbuch zur albanischen Volkskultur (2002, 2005), udhërrëfyes për kulturën popullore shqiptare;
Gjergj Fishta, The Highland Lute: the Albanian national epic (2003), Luhata e Malcìs, eposi heroik kombëtar shqiptar, përkthim;
Berit Backer, Behind stone walls (2003), Përpara mureve të gurta, studim monografik i antropologes norvegjeze (botim post mortem);
Historical Dictionary of Albania (2004, 2010), fjalor historik për Shqipërinë;
Songs of the Frontier Warriors: këngë kreshnikësh (2004), antologji e eposit heroik legjendar shqiptar, përkthim;
Historical Dictionary of Kosova (2004, 2011), fjalor historik i Kosovës;
Albanian literature: a short history (2005, 2006), histori e shkurtër e letërsisë shqipe;
Writing in Light: Early Photography of Albania and the Southern Balkans / Dritëshkronja: fotografia e hershme nga Shqipëria dhe Ballkani (2007);
Udhëtime nëpër Ballkan: Kujtime nga jeta e Franc Baron Nopcsa (2007);
Edward Lear in Albania: Journals of a Landscape Painter in the Balkans (2008), Eduard Lear nëpër Shqipëri dhe revistat e peizazhit në Ballkan;
Evlija Celebiu në Shqipëri dhe në viset fqinje (2008);
Edward Lear në Shqipëri: ditar udhëtimesh, 1848-1849 (2008);
Albania and Kosova in Colour, 1913 / Shqipëria dhe Kosova në ngjyra, 1913 (2010);
Fjalor historik i Kosovës (2011);
Fjalori historik i Shqipërisë (2011);
Biographical Dictionary of Albanian History (2013), leksikon biografik i historisë së Shqipërisë;
The Cham Albanians of Greece: a Documentary History (2013), një histori e dokumentuar e çamëve shqiptarë në Greqi.(Biografia nga faqja e internetit e R.Elsie).
Duke pasur parasysh këtë biografi të pasur të albanologut Elsie, varri i tij, monument i kulturës për zonën në fjalë dhe jo vetëm, vizitohet sigurisht nga shumë vizitor të rastit. Mendoj se ka diçka misterioze se pse Elsie preferoj të pushojë në këto koordinata gjeografike dhe me kostum kombëtar.
Albanolog të shumtë që e kanë vizituar Shqipërinë në periudha të ndryshme kanë treguar një interesim të pashoq për etnokulturën, historinë etj. Ndoshta ata dinë diçka që Ne ende nuk e dimë!
Gjeneratat e reja kanë obligim moral, kombëtar, shkencor, historik, për të zbuluar edhe shumë fakte, prova, dokumente nga “galaktika” albanologjike!
Me të drejtë Mak Dizdar shkruan për Stecin ( varreza nga guri) ;
Stecci-varreza nga guri është për mua diçka që nuk është për të tjerët, diçka që të tjerët nuk e panë në të dhe nën të. Është gur, por është edhe fjalë, është tokë, por është edhe qiell, është materie, por është edhe shpirt, është klithmë, por është edhe këngë, është vdekje, por është edhe jetë. Është e kaluara, por është edhe e ardhmja”.
(Vijon)

Të fundit

më të lexuarat