Të luftojmë për të drejtat e personave me invaliditet

Komuna e Tuzit e ka njohur punën tonë si shoqatë, dhe kështu kemi arritur të bëhemi shoqatë me status të veçantë, çfarë na jep edhe obligim që të veprojmë edhe më tepër që të jemi në shërbim të qytetarëve tonë. Mbështetje kemi edhe nga Enti për Punësim ku për momentin në projekt janë të punësuar tetë persona me invaliditet, dhe në këtë mënyrë jemi duke dhënë një kontribut të veçantë në Komunën e Tuzit për punësimin e personave që kanë vështirësi të punësohen në treg”, shprehet Deceviq

Tuz – Të dielën më 6 nëntor 2022, Shoqata Joqeveritare “Fëmijët e Malit të Zi”, shënoi 13-vjetorin e themelimit të saj. Fillimisht kjo shoqatë kishte selinë në Podgoricë e më pas, nga viti 2016 është zhvendosur në Tuz.
Në këtë përvjetor të rëndësishëm për shoqatën që udhëheq, drejtoresha ekzekutive Sabra Deceviq, për gazetën “Koha Javore”, flet mbi veprimtarinë relativisht të gjatë të kësaj shoqate, për sfidat dhe planet në vazhdim.
“Një pjesë e shoqatës filloi të punonte me fëmijët me aftësi të kufizuara dhe si rezultat i këtij projekti (në vitin 2016) në Tuz funksionon shërbimi i parë falas për fëmijët me aftësi të kufizuara, ku janë të angazhuar psikologija, punëtoret sociale, logopedija dhe asistentet personale. Anëtarë të kësaj shoqate janë edhe prindërit, fëmijët, dhe të rinjtë”, shprehet Deceviq.
Ndërkaq, duke folur në restrospektivë për projektet që u realizuan në këto trembëdhjetë vjet, Deceviq veçoi ato që sipas saj ndihmuan në arritjen e disa hapave të rëndësishëm për përmbushjen e qëllimeve të shoqatës.
“Ndër to është projekti: “Të barabartë dhe pa diskriminim”, projekt ky i mbështetur nga Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, ku së bashku me Komunën e Tuzit dhe institucionet e tjera e hartuam planin e veprimit për mbrojtjen nga diskriminimi i personave me invaliditet (2021/2023). E rëndësishme është të ceket se për vitin e parë të zbatimit të këtij plani, në rreth 85% të planit janë arritur të realizohen aktivitetet a parapara, çfarë dëshmon se kemi nevojë të planifikojmë politikat që të evidentojmë nevojat, dhe se si të punojmë në arritjen e një suksesi sa më të mirë në realizimin e të drejtave të personave me invaliditet”, thekson Deceviq.
Ajo shton se shoqata që ajo drejton ka përmbyllur me sukses shumë projekte të tjera që janë realizuar në institucionet edukativo-arsimore në Tuz, në Medresenë “Mehmed Fatih”, nëpërmjet seminareve të ndryshme të akredituara nga Enti për Shkollim, por edhe nëpër qytete të tjera në Mal të Zi.
“Kemi organizuar punëtori të ndryshme edhe me nxënësit, si: tryeza të rrumbullakëta, vizita, etj, të cilat kishin për qëllim ngritjen dhe aftësimin e kompetencave të ndryshme tek fëmijët dhe të rinjtë” thotë Deceviq.
E pyetur për mbështetje institucionale përgjatë këtyre viteve të funksionimit si shoqatë joqeveritare, Deceviq potencon mbështetjen nga Komuna e Tuzit për realizimin e projektit: “Mbështetja e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Komunën e Tuzit”, ku siç tha, fëmijëve me aftësi të kufizuara për këtë vit u janë siguruar shërbimet falas, që përndryshe janë shërbime shumë të nevojshme në kumunën tonë dhe një lehtësim i konsiderueshëm për prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara.
“Komuna e Tuzit e ka njohur punën tonë si shoqatë, dhe kështu kemi arritur të bëhemi shoqatë me status të veçantë, çfarë na jep edhe obligim që të veprojmë edhe më tepër që të jemi në shërbim të qytetarëve tonë. Mbështetje kemi edhe nga Enti për Punësim ku për momentin në projekt janë të punësuar tetë persona me invaliditet, dhe në këtë mënyrë jemi duke dhënë një kontribut të veçantë në Komunën e Tuzit për punësimin e personave që kanë vështirësi të punësohen në treg”, shprehet Deceviq.
Duke folur për projektet e ardhshme të kësaj shoqate, Deceviq shpreson se edhe në vazhdim do të mund të realizojnë projekte të tilla me rëndësi për komunitetin tonë.
“Që të mund të japim kontribut të rëndësishëm për arritjen e qëllimeve të shoqatës, por edhe për të përmirësuar pozitën e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe personave me invaliditet të cilët kanë nevojë që së bashku me ta të luftojmë për të drejtat më të mëdha të tyre”, përfundon Deceviq.
Kujtojmë se qëllimi i themelimit të kësaj shoqate është krijimi i një bashkëpunim më të mirë ndërmjet sektorit qeveritar dhe joqeveritar që ka të bëjë me përfshirjen sociale, mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, arsimin inkluziv, ofrimin e shërbimeve individuale dhe në grup për fëmijët me aftësi të kufizuara.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat