Njohja me problematikën e barazisë gjinore nga aspekti i grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara, me synim forcimin e kapaciteteve të përfaqësuesve të institucioneve publike dhe vetëqeverisjes lokale në Ulqin dhe Tuz në krijimin e mbështetjes më të madhe për gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara, ka qenë tematikë e radhës e seminarit dyditor që organizoi para pak ditësh në Kollashin, Organizata Joqeveritare “Fëmijët e Malit të Zi”.
Në seminarin “Barazia gjinore- gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara” morën pjesë përfaqësues të vetëqeverisjes lokale, institucioneve publike dhe sektorit joqeveritar nga Tuzi dhe Ulqini.
Drejtoresha ekzekutive e OJQ-së “Fëmijët e Malit të Zi”, znj. Sabra Deceviq, në prononcimin për gazetën “Koha javore” shprehet se seminari në fjalë, ka ndikuar dukshëm në vetëdijesimin e përfaqësuesve të seminarit, pasi sipas saj, janë identifikuar shumë lehtë rastet e shumta të lënies pas dore, të mosinformimit apo edhe të trajtimit jo të barabartë ndaj personave me aftësi të kufizuara.
Ndërkohë, në këtë seminar që kishte për qëllim informimin e pjesëmarrësve mbi mekanizmat mbrojtës në shtet, e pranishme ishte edhe znj. Nerma Dobarxhiq, zëvendëse e Avokatit të Popullit në Mal të Zi. Ajo ka cekur disa nga problemet me të cilat ballafaqohet shoqëria, kur bëhet fjalë për personat me aftësi të kufizuara.
Një ndër problemet kryesore të cilat ajo e potencoi, ka të bëjë me qasjen ndaj aftësisë së kufizuar, ku siç tha, dominon modeli mjekësor dhe funksional i qasjes, ndërsa mungon modeli i bazuar në të drejtat e njeriut.
Zv/ e Avokatit të Popullit ka thënë se personat me aftësi të kufizuara akoma shihen dhe trajtohen si barrierë, dhe jo si të barabartë, pavarësisht se siç tha ajo, nuk ka numër të madh të grave dhe vajzave që ankohen për diskriminim tek Avokati i popullit, por kjo nuk do të thotë se nuk ekziston diskriminimi.
“Veprimet parandaluese dhe promovuese janë të rëndësishme për të shtypur diskriminimin e shumëfishtë dhe diskriminimin ndërsektorial ndaj grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara” theksoi znj. Dobarxhiq.
Ndërkohë, ajo u shpreh se akoma nuk janë krijuar as politikat dhe as praktika që është në mbrojtje të grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara.
Ndërkaq, pjesëmarrëse në seminar dhe prezantuese gjatë seminarit ishte edhe Irena Rakoçeviq, drejtoreshë e Drejtorisë për Mbrojtjen dhe Barazinë e Personave me Aftësi të Kufizuara në Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave të Malit të Zi.
Znj. Rakoçeviq ndër të tjera theksoi rëndësinë e marrjes së masave për të forcuar mekanizmat për të luftuar dhunën ndaj grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara.
“Gjuha e urrejtjes që synon nënçmimin dhe poshtërimin e dinjitetit njerëzor të grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara, duhet të njihet dhe sanksionohet dhe përgjegjësia bie mbi të gjithë ne” u shpreh ndër të tjera znj. Rakoçeviq.
Në të njëjtën kohë, drejtoresha ekzekutive e OJQ-së “Fëmijët e Malit të Zi”, Sabra Deceviq shtoi se ky projekt është tërësisht i fokusuar në nevojat e grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara dhe realizimi i projektit nënkupton realizimin e një hulumtimi për nevojat dhe sfidat e grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara.
“Projekti në fjalë do të na japë një pasqyrë më të qartë se në cilin drejtim institucionet publike, komunat, shoqatat dhe njësitë e tjera lokale në shërbim të qytetarëve duhet të drejtojnë synimet e tyre, dhe të japin më shumë hapësirë për të ndërtuar kapacitetet e grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara për të kontribuar me zërin e tyre për një pjesëmarrje më të madhe në proceset vendimmarrëse” tha Deceviq.
Ndërkaq, trajnuese të seminarit ishin Lidija Brnoviq dhe Bilana Zekoviq, trajnere me përvojë të gjatë mbi këtë tematikë. Znj Brnoviq është shprehur se një ndër problemet e mos funksionimit të mekanizmave mbrojtës për të drejtat e grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara shihet edhe shkëmbimi i dobët i informacioneve ndërmjet qeverisjes lokale dhe institucioneve publike lokale.
“Nevojitet një shkëmbim më i fortë i informacionit, njohurive, përvojës dhe ideve ndërmjet qeverisjeve lokale, në mënyrë që të forcohet përfshirja sociale e të gjithë qytetarëve përmes dialogut, sinergjisë dhe nismave të partneritetit” theksoi ndër të tjera znj. Lidija Brnoviq, trajnere për planifikim strategjik.
Në përfundim të këtij seminari u tha se gjendja e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara nuk është në nivel të kënaqshëm.
Seminarin dyditor “Barazia gjinore- gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara”, e realizoi OJQ “Fëmijët e Malit të Zi” në kuadër të projektit “Vizibile-Gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara”, në bashkëpunim me OJQ “Staze”, ndërsa mbështetet financiarisht nga Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe e Pakicave në Mal të Zi.
t. u.