
Në fund të tetorit isha i ftuar nga Agjencia Turistike dhe e Udhëtimeve “Shkodra Travel&Tours”, përkatësisht nga pronari i saj Sokol Hoxha, për të shoqëruar si ciceron në Durrës një grup turistësh nga Gjermania. Viteve të fundit kjo agjenci në rolin e turoperatorit organizon me sukses të madh sjelljen e turistëve gjermanë në Shqipëri, bujtjen e tyre dhe natyrisht ekskursionet në qytetet më të bukura dhe më tërheqëse të Shqipërisë. Turisti i sotëm nuk vjen vetëm për det dhe rrezet e diellit, por krahas bukurive natyrore, mikpritjes, ushqimit tradicional, do që të njihet edhe me monumentet kulturore-historike dhe të kaluarën e një vendi. Shteti ynë amë – Shqipëria, si një vend me histori të lashtë, ka çfarë t’i ofrojë botës. Prandaj edhe agjencitë turistike organizojnë për turistët shëtitje dhe ekskursione me autobusë modernë nëpër shumë qytete dhe destinacione tërheqëse në Shqipëri duke promovuar gjithë pasurinë natyrore, historike dhe kulturore të saj. Këto vende flasin dhe dëshmojnë për një histori të bujshme, që nga koha antike, periudha greke dhe romake e deri te koha moderne. Kështu grupet e turistëve nga Gjermania por edhe nga vendet tjera të Evropës, pastaj Japonia, SHBA-ja, Australia, Kina, të cilët i kalojnë pushimet në Shqipëri apo kalojnë përmes saj, kanë mundësi të njihen me të kaluarën dhe monumentet kulturore-historike të këtij vendi në qendër të Mesdheut. Qytetet e lashta si Butrinti dhe Apolonia, pastaj Berati, Gjirokastra, Shkodra, Durrësi, Tirana dhe në veçanti Kruja janë në fokusin e interesimit të turistëve anembanë botës. Këtu gërshetohen të gjitha kulturat që e kanë origjinën në Mesdhe.
Ftesën për t’i shoqëruar turistët nga Gjermania e prita me ngazëllim, sepse gjermanët kanë qenë dhe kanë mbetur turistët më të mirë të Evropës. E them këtë nga përvoja e madhe në turizmin e ish-Jugosllavisë së dikurshme, kohën e artë të turizmit në Ulqin dhe Malin e Zi, që prej fillimeve të viteve ’70 e deri në vitet ’90 të shekullit të kaluar.
Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara në fushën e turizmit dhe shoh se dalëngadalë është duke u bërë një destinacion i njohur turistik, falë edhe sipërmarrësve guximtarë me vizione të qarta, siç është edhe Sokol Hoxha. Këtë ndjesi e përjetoj çdoherë që shkoj si ciceron në ekskursione me turistë të kombeve të ndryshme nga Mali i Zi në Shqipëri, në veçanti në Krujë, Shkodër, Tiranë dhe Durrës.
Kësaj radhe isha i ftuar për t’i shoqëruar turistët nga Gjermania në qytetin e Durrësit, me ç’rast vizituam disa prej pikave turistike kryesore të tij, duke filluar nga Amfiteatri i famshëm romak dhe shumë monumente të tjera kulturore të këtij qyteti dhe rrethinës së tij. Duhet theksuar lidhjet historike të Durrësit dhe Ulqinit, si dy qytete bregdetare, por edhe faktin se në Durrës jeton një komunitet ulqinak i vendosur këtu pas rënies së Ulqinit në duart e malazezëve. Pas Kongresit të Berlinit, i cili vendosi që Ulqini t’i takojë Malit të Zi, shumë qytetarë ulqinakë u shpërngulën nga Ulqini dhe u vendosën në Shkodër dhe Durrës, por edhe në ndonjë qytet tjetër të Shqipërisë, ku kanë lënë gjurmë të pashlyeshme. Duhet të përmendet sidomos kontributi i Shoqatës Kulturore “Ulqini” në Durrës, në krye me të ndjerin Zyhni Beqiraj, në ruajtjen dhe kultivimin e zakoneve, miqësisë dhe lidhjeve familjare ndërmjet dy qyteteve.
Që nga mbërritja jonë në hotel, pastaj në hollin e hotelit pranë recepsionit, mbretëronte rregull dhe disiplinë. Tek unë u zgjuan emocionet e thella duke më kujtuar kohën kur kam qenë përfaqësues për Malin e Zi dhe ciceron i “Kompas”-it nga Lubjana, agjencisë më të madhe turistike të asaj kohe në ish-Jugosllavi. Mali i Zi edhe tani është një destinacion i njohur turistik, kështu që gjatë sezonit turistik grupe të organizuara turistësh e vizitojnë atë, sidomos ata që udhëtojnë me kruzerët e mëdhenj, të cilët vijnë në Kotorr dhe Tivar. Edhe në Budva ka grupe turistësh të organizuara, kurse në Ulqin shumë pak. Ai është lënë pas dore në kohën e transicionit, nuk ka më hotele të njohur si dikur, siç ka në qytete të tjera të Malit të Zi, e pa hotele nuk ka turizëm elitar. Është kompleksi “Karizma”, por ata janë “shtet” tjetër. Shumë pak, për të mos thënë aspak, na ftojnë ne vendasve.
Por le t’i kthehem Durrësit, agjencisë “Shkodra Travel&Tours” dhe pronarit të saj Sokol Hoxha. Përveçqë organizon shëtitje nëpër Shqipëri, kjo agjenci organizon ekskursione edhe në Mal të Zi – në Budvë, Kotorr etj., ndërsa gjatë sezonit dimëror përmes kësaj agjencie shumë mysafirë nga Shqipëria, që është ndër vendet e para për nga numri i turistëve, i kalojnë pushimet dimërore në Kollashin dhe qendra tjera të turizmit dimëror në Malin e Zi. Falë kësaj agjencie, por kuptohet edhe shumë të tjerave, këto destinacione turistike në Mal të Zi punojnë me sukses gjatë tërë vitit. Kjo ka bërë që viteve të fundit në këto destinacione të kërkohet personel me njohuri të gjuhës shqipe, sidomos në Budvë, Kollashin.
Shëtitja njëditore me turistët gjermanë në Durrës ishte edhe për mua një lloj rikthimi në kohë. Përpos monumenteve historike-kulturore brenda qytetit, ekskursioni përfundoi me vizitën dhe shijimin e pijeve në një kantinë të njohur vere, në periferi të Durrësit. Aty gjetëm një mikpritje të ngrohtë dhe një ngjërim (degustim) të pasur, të organizuar me shumë shije nga pronari i kantinës, i cili prodhonte pije të ndryshme nga vreshtat autoktone në Durrës dhe rrethinën e tij.
Sa i përket punës sime si ciceron, gjithmonë jam përpjekur që ta bëj atë në mënyrë profesionale dhe të jem në nivelin e duhur, prandaj jam i sigurt se turistët gjermanë kanë marrë nga unë informacione të sakta dhe të bollshme për Durrësin, Shqipërinë, Malin e Zi dhe në përgjithësi për historinë dhe kulturën e dy shteteve. Besoj se nga unë, i cili mbi 40 vite shoqëroj mysafirë në pesë gjuhë nëpër Mal të Zi, Shqipëri, Kroaci etj. kanë pasur çfarë të degjojnë. Kurdoherë kur i shoqëroj mysafirët, u tregoj atyre anën më të mirë dhe më të bukur të një shteti, i njoh me popullatën dhe kulturën e tij, bashkëjetesën dhe interkulturalizmin ndërmjet të gjithë atyre që jetojnë në këto hapësira kaq të bukura. Duartrokitjet e shpeshta në autobus dhe pas kthimit në hotel, ishin kënaqësia më e madhe për mua dhe vlerësim për punën time si ciceron.
Falënderoj nga zemra z. Sokol Hoxha për ftesën për t’i shoqëruar turistët nga Gjermania, për kujdesin e tij ndaj mysafirëve dhe në veçanti ndaj meje. Çelësi i suksesit në turizëm nuk është përfitimi, por turisti i kënaqur. Sipas mendimit të turistëve, ata janë ndarë me mbresa të mira nga ekskursioni. Organizimi i ekskursionit, shërbimi dhe sjellja ishin në një nivel të lartë.
Pas kthimit në Ulqin, edhe sot i shikoj dhe i analizoj fotografitë nga kjo shëtitje, prej së cilës kam emocione të thella, pasi që hoteli në Durrës, autobusët me numra të caktuar të mysafirëve për destinacione dhe qytete të ndryshme nëpër Shqipëri, të parkuar në rrugë pranë hotelit, zgjuan tek unë emocione të thella dhe kujtime nga koha e artë e turizmit në Ulqin, kur pranë hoteleve tona të asaj kohe, të cilët i zhduku tranzicioni i tmerrshëm, ishte një panoramë pothuajse e njëjtë si kjo tani në Durrës. Turizëm pa hotele nuk ka. Neve na kanë mbetur kujtimet nga ajo kohë në Ulqin, nga kohët e arta të turizmit elitar në vitet ’70-‘90 të shekullit të kaluar. Kështu ishte tek ne para 40 viteve, sot është kështu në Shqipëri.
Disa këshilla për ciceronët
Si ciceron me përvojë të gjatë në fushën e turizmit, përfshirë kohën e artë të turizmit në ish-Jugosllavi, mendoj se kam të drejtë të jap disa këshilla dhe sugjerime për ciceronët. Një ciceron i mirë duhet doemos ta njohë historinë dhe kulturën e të dy palëve – të mysafirëve që shoqëroni, por edhe të shtetit apo qytetit për të cilin flisni. Politikën duhet ta shmangni dhe të mos e përmendni, por gjithmonë duhet t’u tregoni për historinë, kulturën dhe interkulturalizmin ndërmjet popujve që jetojnë në shtetet tona. Është me rëndësi të ceken këto fakte pasi që mysafirët kërkojnë dhe i duan sigurinë, sjelljen e mirë, buzëqeshjen, njohjen e gjuhëve të huaja, pastaj edhe akomodimin në hotele apo privat. Recepsioni dhe personeli i hoteleve duhet të mësojë gjuhën e turistëve. Në Durrës, në hotel dhe në lokale në afërsi të hotelit dëgjova të flisnin vetëm gjuhën angleze. Është mirë të mësohet edhe ajo gjermane.