Dusha Dushaj –Kalaj, në kujtesën e zgjedhësve dhe mbështetësve të saj, në Mal të Zi mbahet mend si shqiptarja e cila me dinjitet përfaqësoi popullin dhe partinë e vet në regjimin e atëhershëm komunist
Sipas një studimi që kam bërë kohën e fundit, në Kuvendin e Malit të Zi rezulton se prej fillimit të parlamentarizmit në këtë shtet, nga viti 1905 e deri më sot, shqiptarët kanë pasur vetëm një femër deputete. Ajo është Dusha Dushaj-Kalaj, politikania e parë dhe e vetme e cila mori votëbesimin e shqiptarëve për t’i përfaqësuar ata në organin më të lartë ligjvënës në Mal të Zi., në legjislaturën e XIV ( 1982-1986). Kjo gjë flet për një mentalitet ende të pastrukturuar qartë sa i përket vendit që i duhet lënë gjinisë femërore, që kanë të bëjnë me vendimmarrje apo çështje të rëndësishme sa i përket çështjeve të pushtetit, qoftë edhe në nivele më të larta shtetërore. Pse jo kur politikanet femra nëpër botë nuk janë vetëm kandidate të duhura për një vend pune, por edhe femra të cilat e kanë dëshmuar se janë të zonjat që të drejtojnë “ timonin” e një shteti, siç janë për shembull Margaret Thatcher, një prej femrave që la gjurmë në histori për pushtetin dhe karakterin e fortë. E ashtuquajtura “Zonja e Hekurt”, kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila u bë e famshme për “dorën e fortë” , ish-sekretarja amerikane e shtetit, Hilary Clinton, njëkohësisht ish-Zonja e Parë e Amerikës, e cila u bë e njohur për politikat e ndjekura përtej detit, kryesisht në kontributin dhënë për ndihmën ndaj grave dhe çështjet e zhvillimit dhe arsimit, të cilat e çuan në majë ditarin e politikave të jashtme, Dilma Rousseff, presidentja e Brazilit … Edhe shtetet fanatike u kanë besuar grave drejtimin, duke u nisur nga presidentja e Argjentinës, Cristina Fernandez de Kirchner, Aung San Suu Kyi, sekretarja e përgjithshme e Ligës Kombëtare të Demokracisë në Birmani, kryeministrja e Australisë, Julia Gillard, Yingluck Shinawatra, kryeministrja e Tailandës, Joyce Banda, presidente e Malavit, dhe Ellen Johnson-Sirleaf, presidente e Liberisë etj. Rikujtoj se femrat shqiptare janë bërë për herë të parë pjesë e Parlamentit Shqiptar në Legjislaturën e parë, atë të viteve 1945-1950. Në një total prej 82 deputetësh, 6 prej tyre ishin femra.
Po kush është gruaja e parë dhe e vetme e cila, duke e thyer akullin shekullor , hyri në histori në jetën politike të shqiptarëve në Malin e Zi?
U lind më 3 nëntor 1950 në fshatin Skorraq- Hot. Shkollën fillore e ka kryer në Tuz. Shkollën e Mesme të Tregtisë „ Sergej Staniq“ dhe Shkollën e Mesme Ekonomike „ Mirko Veshoqviq“ e ka përfunduar në Podgoiricë. Ka kryer edhe Shkollën e Lartë të Tregtisë dhe Fakultetin Ekonomik në Podgoricë. Pas vetes ka një veprimtari të pasur profesionale dhe politiko-shoqërore. Ka punuar në Industriaimport, në Organizatën punuese të Tregtisë së Jashtme si ndihmësdrejtoreshë në Sektorin “ Agroimpex” për import-eksport (1974-1999), Në vitin 1973 merr librezën e kuqe të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë. Anëtare e Sekretariatit të Konferencës Komunale të Organizatës Komunale të Rinisë së Titogradit, 1974. Anëtare e Konferencës së Lidhjes së Komunistëve të Industriaimportit dhe Këshillit Koordinues të Organizatës së Rinisë, 1974. Anëtare e Konferencës Komunale dhe Sekretariatit për Veprimtari Shoqërore të Grave të Titogradit, 1974. Anëtare e Organizatës së Rinisë së Tuzit dhe organizatave të tjera politiko-shoqërore të kësaj bashkësie lokale. Anëtare e Komitetit Komunal të Lidhjes së Komunistëve të Titogradit dhe anëtare e Sekretariatit të KK të LK të Titogradit, 1975. Anëtare e Këshillit Botues të gazetës „ Omladinski pokret“( Lëvizja e Rinisë), 1976. Anëtare e Komitetit Qendror të LKJ si dhe anëtare e e Komisionit për Çështje Financiare pranë KQ TË LKJ, 1978. Anëtare e Komisionit Statutar të KQ të LK të Malit të Zi, 1982.Delegate e Këshillit të Punës së Bashkuar të Kuvendit të Malit të Zi dhe anëtare e Komisionit për Çështje Finaciare pranë Kuvendit të Malit të Zi. Delegate në Kongresin e VIII, IX, XI dhe XII të KQ të LKJ. Në vitin 1986-1990 ishte anëtare e Këshillit të Qendrës Marksiste të Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Malit të Zi, Anëtare e Këshillit Botues të gazetës „ Pobjeda“. Anëtare e Këshillit Pedagogjik të Malit të Zi. Jeton në Podgoricë.
Dusha Dushaj – Kalaj, në kujtesën e zgjedhësve dhe mbështetësve të saj ,në Mal të Zi mbahet mend si shqiptarja e cila me dinjitet përfaqësoi popullin dhe partinë e vet në regjimin e atëhershëm komunist. Ajo me paraqitjen e saj serioze në Parlament dhe në tubime të tjera partiake sfidoi edhe politikanët, shumica e të cilëve mendonin se politika është „ pronë“ e tyre . Edhe pse prej atëherë kanë kaluar tri dekada e gjysmë, Dusha për femrat e sotme shqiptare mbeti shembull dhe një ëndërr e parealizueshme që të ulen në bankat e Kuvendit të Malit të Zi, pavarësisht përmbysjes së sistemit monist dhe thirrjeve të ripërsëritura ndërkombëtare për përmirësimin e situatës së përfaqësimit të grave në politikë. Domethënë se përfaqësimi i femrës shqiptare në instancat e larta të politikës dhe të vendimmarrjes, është një “betejë” e cila ende vazhdon.