Ulqin – Gazetari i njohur shqiptar, Blendi Fevziu, moderator i emisionit “Opinion”, ka qenë mysafir i radhës në librarinë “Ulqini”, në kuadër të takimeve të hapura me figura të shquara shqiptare.
Ai është përgjigjur në interesimin e publikut të pranishëm, ku ka folur për tema të ndryshme që lidhen me të kaluarën e shqiptarëve dhe për situatën aktuale.
Fevziu ka thënë se ekziston një mungesë e vëmendjes së Shqipërisë zyrtare, por edhe e shqiptarëve në përgjithësi ndaj shqiptarëve në Malin e Zi. Megjithatë, sipas tij, kjo mungesë vëmendjeje sa vjen e ngushtohet në krahasim me atë që ka qenë dikur.
“Keni parasysh që 30 vjet më parë as nuk dinim pothuajse asgjë se çfarë ndodhte… Sot gjërat kanë ndryshuar pak, por jemi shumë larg asaj që do të duhej të ishte”, ka theksuar ai.
Fevziu ka premtuar se do të bëjë më shumë në të ardhmen, duke lobuar qoftë përmes lobimit personal apo atij publik nëpërmjet emisionit të tij për t’i sjellë më shumë në qendër të vëmendjes Ulqinin dhe shqiptarët në Malin e Zi.
Ai ka thënë se shqiptarët shpeshherë kur flasin për të kaluarën e tyre, ia lënë fajin fatit për dështimet e tyre. Ai nuk është pajtuar me këtë konstatim duke thënë se nuk duhet të ankohemi për fatin, sepse ajo që ka ndodhur me Kosovën është gati e pamundur të mendohet.
“E dini sa shtete ka si Kosova sot… Ke kurdët të shpërndarë në disa shtete. Ke kushedi sa minoritete në botë. Ajo që ka ndodhur me Kosovën është një nga mrekullitë botërore. Kur e mendoj, më duket e pabesueshme”, është shprehur Feviu.
Gazetari i njohur ka thënë se po të shkosh në vendet tjera ballkanike dhe të pyesësh popullin, pothuajse kudo do të ankohen se ndaj tyre bota nuk është treguar e vëmendshme dhe se punët e tyre nuk shkojnë aq mirë. Sipas tij, sidomos në fund të shekullit XX dhe fillim të shekullit XXI shqiptarët nuk kanë pse të ankohen.
“Kështu që nga kjo anë, ne nuk kemi pse të ankohemi shumë, sepse me ne historia nuk qe bujare në fillim të shekullit XX, por ka qenë relativisht bujare në fund të shekullit XX”, është shprehur ai.
Fevziu ka vlerësuar sidomos periudhën e krijimit të institucioneve paralele në Kosovë gjatë kohës së Presidentit Ibrahim Rugova.
“Të ndërtosh një shtet brenda shtetit, të mbash arsimin, të mbash shëndetësinë, ta bësh mbi baza vullnetare dhe duke pasur të gjithë strukturën shtetërore kundër, është një ndërmarrje që kudo në botë që ta tregosh është një shembull i jashtëzakonshëm”, është shprehur ai, duke shtuar se nga kjo pikë shqiptarët kanë dhënë shembuj të jashtëzakonshëm në momente të vështira.
Fevziu ka thënë se shqiptarët e kanë keq kur janë mirë, sepse atëherë fillojnë sherret mes tyre, ndërkohë që në momentet më të vështira ata kanë treguar pjekuri të jashtëzakonshme.
Ai ka folur edhe për rolin dhe kontributin e tre personaliteve: Ahmet Zogut, Esad Pashë Toptanit dhe Enver Hoxhës në historinë e shqiptarëve.
Sipas tij, Esad Pashë Toptani nuk ka ndonjë kontribut në historinë e shtetit shqiptar.
“E vetmja gjë që mund t’i mbetet Esad Pashës është mbrojtja e Shkodrës, pas momentit të vrasjes së Hasan Riza Pashës deri në prill. Unë nuk mendoj se Esad Pasha ka ndonjë meritë në krijimin e shtetit shqiptar. Përkundrazi ka qenë mjaft problematik, sidomos në ditët e Kongresit të Lushnjës, i cili është ngjarja më e rëndësishme në historinë e shqiptarëve, faktikisht edhe më e rëndësishme sesa shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, sepse është realisht ngritja dhe konsolidimi i shtetit shqiptar”, ka thënë ai.
Sa i përket Ahmet Zogut, Fevziu ka thënë se “është pa dyshim një nga figurat më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë në pjesën e parë të aktivitetit të tij politik”.
Ai madje e ka cilësuar atë si “një prej fenomeneve të politikës në Shqipëri”, duke qenë se si 17-vjeçar ka qenë anëtar i delegacionit të Pavarësisë, më 1920 ishte garanti kryesor me forcat e tij të armatosura i Kongresit të Lushnjës.
Sipas tij, Zogu bëri unifikimin e territorit shqiptar.
“Ka një rol të jashtëzakonshëm në vitet 1920-1924, në konsolidimin dhe në ngritjen e shtetit shqiptar. Unë mendoj që degradimi i Zogut fillon pas shpalljes së tij mbret. Ky njeri, pasi që u bë mbret, në pjesën tjetër nuk kishte çfarë t’i jepte më vendit”, u shpreh Fevziu.
Ndër kontributet kryesore të Zogut, ai ka përmendur planifikimin dhe ndërtimin e Tiranës, emancipimin dhe evropianizimin e shtetit shqiptar.
Ndërsa sa i përket Enver Hoxhës, gazetari ka thënë se ai paraqet një histori tjetër dhe se “dëmi që i ka sjellë Shqipërisë është i paimagjinueshëm” dhe se “gjithçka që ai bëri ka qenë katastrofë”.
Një prej të këqijave që udhëheqësi Hoxha i solli Shqipërisë, sipas tij, është stabilizimi i një bindjeje “që (Shqipëria) nuk jetonte dot vetë pa pasur një aleat që ta mbante ekonomikisht”.
“Kjo mendësi ishte katastrofë, sepse shteti nuk mbahet nga një shtet tjetër. Shqipëria u rrënua ekonomikisht komplet në momentin e prishjes së marrëdhënieve me Kinën, në vitet ’70-’80. Ishin vitet e një katastrofe dhe një urie kolektive”, ka thënë ai, duke shtuar se thelbi i gjithë kësaj gjendjeje ka qenë izolimi.
Në takim Fevziu ka prekur edhe çështjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, duke thënë se ka mbetur i shokuar pasi që ka parë një pjesë të tyre. Ai ka thënë se prej numrit të përgjithshëm të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, 23 për qind e tyre kanë të bëjnë me shqiptarët që dikur jetonin në ish-Jugosllavi. Ai është përqendruar kryesisht në dosjen e ish-Presidenti të Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, për të cilën ka thënë se ishte një marrëzi.
Takimi i hapur me temë “Mësimet e së kaluarës si udhërrëfyes për një të ardhme më të mirë” është organizuar të shtunën nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi në bashkëpunim me librarinë “Ulqini”. Më herët ai ka zhvilluar një takim edhe me nxënësit e Shkollës së Mesme të Ulqinit.
i. k.