Shkolla Fillore në Ostros shënoi përvjetorin e saj

Manifestimi qendror nisi me hapjen e ekspozitës së piktorëve të rinj dhe me gara sportive, për të vazhduar me përurimin e numrit 24 të revistës së shkollës “Valët”. Më pas, në Shtëpinë e Kulturës në Ostros aktorët e rinj të Seksionit të dramës shfaqen dramën “Nuk vritet pranvera” të Fadil Krajës, të përgatitur nga profesoresha e letërsisë dhe gjuhës shqipe Aishe Gjeçbritaj. Drama zgjoi emocione te shikuesi, kurse interpretimi skenik i aktorëve të vegjël ishte për çdo lëvdatë.
Ostros – Të enjten, më 10 mars, shkolla në Krajë shënoi përvjetorin e 93-të të saj. Me këtë rast për nxënësit, mësimdhënësit, prindërit dhe qytetarët, seksionet e piktorëve, recituesve dhe ai i dramës shfaqen një program të begatë artistik. Mungoi kësaj radhe pjesa muzikore e programit, në shenjë respekti për mësimdhënësin Xhafer Cuka, i cili pas një sëmundjeje të rëndë u nda nga jeta më 22 janar të këtij viti.
Është bërë tashmë traditë që nxënësit e kësaj shkolle për çdo vit ta shënojnë me një shfaqje – pjesë teatrale edhe 7 Marsin – Ditën e Mësuesit, e që kësaj rradhe duke respektuar masat anticovid, u bë në Ditën e shkollës. Me një fjalë, u bashkuan dy manifestime në një ditë.
Duhet shtuar me këtë rast se në Ditën e Mësuesit për nxënësit u shfaq filmi dokumentar “Kraja, e në Krajë një shkollë”, realizuar kohë më parë, në të cilin përmes pamjeve filmike, bisedave pasqyrohen të arriturat e shkollës në përgjithësi, puna shumëvjeçare e kolektivit në krye me drejtorin e shkollës Beqir Berjashi, me një fjalë të arriturat e kolektivit të shkollës ndër vite, me theks të veçantë në njëzet e pesë vitet e fundit.
Vlen të ceket pa dyshim gjesti i mrekullueshëm i pronarit të restorantit “Kraja”, z. Zija Kovaçi, i cili me rastin e 7 Marsit për të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës shtroi një drekë shoqëruar me pije freskuese.
Përndryshe manifestimi qendror, ai i 10 marsit, nisi me hapjen e ekspozitës së piktorëve të rinj dhe me gara sportive, dhe vazhdoi me përurimin e revistës së shkollës “Valët”. Është ky numri i njëzet e katërt i saj, që nxjerr Seksioni letrar “Buzuku”, që në gjirin e shkollës funksionon tash më se pesëdhjetë vite. Dashamirët e fjalës së bukur që kishin mbushur plot bibliotekën e shkollës, ku u bë përurimi, me kënaqësi e duartrokitje përcollën leximin e krijimeve letrare të lexuara nga vetë nxënësit. Edhe ky numër i revistës si edhe tash sa e sa vite me radhë u botua falë kontributit që dha familja e Besim Markut nga SHBA.
Në orën 11, në Shtëpinë e Kulturës në Ostros u organizua manifestimi qendror. Nxënës, prindër, mësimdhënës dhe qytetarë të shumtë e kishin mbushur sallën për të ndjekur aktorët e rinj të Seksionit të dramës. Me një minutë heshtjeje, të pranishmit nderuan autorin e dramës Fadil Kraja dhe mësimdhënësin Xhafer Cuka. Para shfaqjes u dha për publikun e gjerë një pjesë e shkurtër e dokumentarit për rrjedhat e arsimit në Krajë.
Drama “Nuk vritet pranvera” e Fadil Krajës, përgatitur nga profesoresha e letërsisë dhe gjuhës shqipe Aishe Gjeçbritaj zgjoi emocione te shikuesi. Interpretimi skenik i aktorëve të vegjël është për çdo lëvdatë. Kjo dramë përmbledh në vetvete tri festa të këtij muaji. Ajo është lehtë të hetohet edhe nga shikuesi që nuk është edhe aq shumë i lexueshëm, ngase autori dhuratën e ka për mësuesen, mësuesja është një grua e nga ana tjetër luajnë nxënësit e shkollës. Kjo me të vërtetë në vetvete na jep mesazhin më të mirë për jetën.

Ali Gjeçbritaj

Të fundit

më të lexuarat