Më 6 gusht të këtij viti do të mbushen 38 vjet nga fillimi i trafikut ndërkombëtar të mallrave mes Malit të Zi dhe Shqipërisë. Mbaj mend shumë mirë punimet në ndërtimin e hekurudhës mes Titogradit (Podgorica e sotme ) dhe Shkodrës. Banorët e Malësisë së Madhe ishin të interesuar që të ndërtohet një rrugë hekurudhore drejt kufirit me shtetin amë – Shqipërinë, e cila do të lidhte kryeqytetin malazez me qytetin e Shkodrës. Ata ndjenin një kënaqësi për faktin se në këtë mënyrë për herë të parë krijohej një lidhje apo bashkim mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, e cila asokohe ishte pa lidhje hekurudhore, e mbyllur dhe e izoluar.
Historia e ndërtimit
Si çdo projekt mes dy shteteve edhe ndërtimi i hekurudhës Titograd- Shkodër pati vështirësitë e veta. Bazuar në dokumentacionin e kohës mësojmë se në planin e parë pesëvjeçar shqiptar nga viti 1947 ishte parashikuar ndërtimi i hekurudhave të reja, ndërsa në vitin 1948 ishte planifikuar të fillojë puna në hekurudhën Shkodër – Titograd. Edhe pse projekti ishte bërë, punimet u ndërprenë për shkak të (pa)mundësive politike të shkaktuara nga Rezoluta e Informbyrosë. Ndërtimi i kësaj hekurudhe u la në harresë deri në vitin 1974, kur me iniciativën e Shqipërisë, hekurudha filloi të mendohej dhe të negociohej sërish. Pala shqiptare kishte përgatitur një projekt-marrëveshje për lidhjen e dy vendeve që në bisedimet e para. Jugosllavia i pranoi kërkesat e palës shqiptare lidhur me vendosjen e lidhjes hekurudhore, por nënshkrimi i marrëveshjes ende u shty. Më pas, sërish me iniciativën e palës shqiptare, më 6 prill 1979, në Tiranë u nënshkrua një marrëveshje, e njëjta që ishte përgatitur më herët (1975). Pas kësaj, në vitin 1980, u miratua ligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet qeverive të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe Republikës Popullore të Shqipërisë për lidhjen hekurudhore të dy vendeve. Dekreti për shpalljen e atij ligji është nënshkruar më 26 shkurt 1980 nga kryetari i atëhershëm i Kuvendit të RSFJ-së. Drejtoria për ndërtimin e pjesës jugosllave të hekurudhës Titograd – Shkodër është themeluar më 6 korrik 1982. Traseja e hekurudhës është përcaktuar më 20 korrik të po këtij viti. Në mesin e vitit 1983, edhe pse me vonesë, filloi ndërtimi në trasenë e miratuar. Punimet kanë ecur mirë, por hekurudha është ndërtuar një vit më vonë se sa ishte planifikuar, në vitin 1986, kur u mor edhe leja e përdorimit.
Ajo që është gjithashtu e rëndësishme të theksohet është se hekurudha Titograd – Shkodër është ndërtuar sipas të gjitha standardeve për hekurudhat e klasit të parë, kështu që mundësohet zhvillimi i shpejtësisë së trenit deri në 100 km/h. Hekurudha është e pajisur me të gjitha pajisjet e nevojshme automatike, sinjalistike-sigurie dhe telekomunikuese, por nuk është elektrizuar. Ndryshe, ka të njëjtat karakteristika si hekurudha Beograd – Tivar. Mjetet për ndërtimin e pjesës jugosllave të hekurudhës në vlerë prej 7,5 miliardë dinarësh janë siguruar nga të gjitha republikat dhe krahinat autonome.
Hapja zyrtare e pjesës jugosllave
Pak ditë para hapjes zyrtare të hekurudhës Titograd – Shkodër, pala malazeze dhe shqiptare u dakorduan dhe nënshkruan të gjitha dokumentet që duhej të silleshin para se hekurudha të vihej në qarkullim. Më 6 gusht 1986 në Stacionin Hekurudhor të Titogradit , në orën 11:00 zyrtarisht u hap pjesa e atëhershme jugosllave e hekurudhës Titograd – Shkodër, e cila mundësoi lidhjen hekurudhore të Shqipërisë me vendet e Evropës Lindore dhe Perëndimore.
Trafiku hekurudhor ndërkombëtar i mallrave me Shqipërinë në këtë linjë filloi zyrtarisht më 1 shtator 1986 në orën 8, 54 minuta, kur treni i parë i mallrave (prodhimi jugosllav) me tetë vagonë mbërriti në stacionin kufitar të Tuzit sipas orarit nga Republika e Shqipërisë. Ngarkesa prej 428 tonësh ishte menduar për Hungarinë.
Ndërprerja dhe rivendosja e transportit hekurudhor të mallrave mes Malit të Zi dhe Shqipërisë
Autoritetet jugosllave, në vitin 1987, konstatuan se pala shqiptare nuk e respekton krejtësisht marrëveshjen dhe se mallrat shqiptare transportoheshin në vendet evropiane me anije dhe kamionë. Qysh atëherë u përfol se hekurudha Titograd – Shkodër ishte një projekt i dështuar. U tha se trafiku do të anulohej shumë shpejt. Hekurudha bashkëkohore me sinjalistikën më moderne për atë kohë, edhe përkundër vështirësive dhe dyshimeve të ndryshme se sa ishte ekonomikisht fitimprurës, funksionoi deri në momentin kur ndodhi kaosi i viteve ‘90-të – shpërbërja e Jugosllavisë. Në vitin 1991 mbyllet linja Bajzë (Shqipëri) -Tuz ( Mali i Zi) për shkak të trazirave që ndodhën në atë periudhë në ish – Republikën Jugosllave dhe vazhdoi të qëndrojnë e mbyllur deri në vitin 1996. Gjatë periudhës kohore 1997-2003 e njëjta linjë doli jashtë funksionit nga vjedhjet e shumta që u bënë në të në nga banorët vendas. Në mars të vitit 2006 rifunksionoi linja ndërkombëtare Bajzë -Tuz me lëvizje të rregullt të trenave të mallrave nga stacioni kufitar i Bajzës vetëm një herë në javë. Prej atëherë e deri më sot ka njëlloj qarkullimi të trenave të mallrave mes këtyre dy shteteve fqinje, tashmë mike.
Në ceremoninë që u zhvillua në stacionin hekurudhor të Bajzës (Shqipëri, morën pjesë kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano dhe zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dragan Gjuroviq. Po atë ditë, kryeministri shqiptar dhe zëvendëskryeministri i Malit të Zi udhëtuan nga stacioni hekurudhor ndërkombëtar i Bajzës në drejtim të Tuzit në Mal të Zi.
Inaugurimi i stacionit të përbashkët hekurudhor në Tuz
Delegacionet e Ministrisë së Transportit dhe Çështjeve Detare të Malit të Zi dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë, në nëntor të vitit 2017, hapën zyrtarisht stacionin e përbashkët hekurudhor në Tuz. Delegacioni i ministrive malazeze kryesohej nga ministri, Osman Nurkoviq dhe ministri i Ministrisë së Shqipërisë, Damian Gjiknuri. Hapja e stacionit të përbashkët, ku tashmë janë vendosur përfaqësues të doganës, policisë dhe hekurudhës së dy vendeve, është vlerësuar si një sukses i përbashkët i palës shqiptare dhe malazeze, si modeli i vetëm në rajon, i cili duhet të ndiqet si shembull nga të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Të mendohet për ndërtimin e një linje të re hekurudhore për udhëtarë midis Podgoricës dhe Shkodrës
Qarkullimi i trenit të udhëtarëve në relacionin Podgoricë – Shkodër, përndryshe një nga qytetet e preferuara ku podgoricasit shkojnë për kafe dhe pazar, asnjëherë nuk është vënë në funksion. Ndërmarrja “Hekurudhat e Malit të Zi” në vitin 2017 njoftoi se transporti i udhëtarëve nuk do të ishte fitimprurës nga shkaku se nuk ka shumë të interesuar për të udhëtuar me tren në Shkodër. Mendojmë se pala malazeze dhe shqiptare do të duhej të mendojnë në të ardhmen për ngritjen dhe funksionimin e shërbimit të pasagjerëve në këtë hekurudhë. Pse jo edhe përfshirjen e ndërtimit të një linje të re hekurudhore të shpejtësisë së lartë midis Podgoricës dhe Shkodrës. Një udhëtim turistik me tren nga Podgorica në Shkodër, nëse do të ndodhte ndonjëherë, do të plotësonte udhëtimin pranë liqenit më të madh në Gadishullin Ballkanik – liqenit të Shkodrës, pjesa më e madhe e të cilit gjendet në trojet shqiptare, në veriperëndim të Republikës së Shqipërisë, ndërsa pjesa tjetër i takon shtetit të Malit të Zi.gj.gj.