Shkallëzimi i procesit

Një kompani është e suksesshme aq sa është serioziteti në qasje ndaj metodave dhe filozofive moderne të zhvillimit. Cilësia, inovacioni dhe orientimi ndaj klientit në kompani janë baza dhe çelësi i suksesit. Ky proces përmirësimi duhet të kryhet vazhdimisht dhe synimi është arritja e një standardi të caktuar. Pra, arritja e standardit do të thotë se kemi arritur një nivel të caktuar të dëshiruar

Për Koha Javore: Fiqret Mujeziqi /Shtutgart

(vijon nga numri i kaluar)
Arritja e një standardi të caktuar do të thotë arritja e një niveli të caktuar në procesin e gjatë, çka do të thotë se standardi nuk është asgjë tjetër përveçse mënyra më e thjeshtë, më e sigurt dhe më e mirë për të bërë diçka.
I gjithë procesi kalon nëpër shkallë të ndryshme. Zhvillimi po ashtu kalon nëpër shkallë të ndryshme. Kështu për të kaluar në shkallën tjetër duhet arritur niveli i caktuar dhe i paraparë në analizat paraprake. Shkalla e re do të thotë edhe nivel i ri i zhvillimit dhe i optimizimit. Nëse arrihet përsosmëri dhe rutinë në shkallën e parë, kalohet në të dytën e kështu me radhë…
Për të arritur një shkallë të caktuar (Grafiku 1.2.) është e nevojshme një strategji e cila bën të mundur ruajtjen e atij niveli të arritur dhe ecjen e mëtutjeshme të procesit. Në procesin e optimizimit nuk ka kthim prapa. I gjithë procesi duhet shoqëruar me njohuri të reja dhe kjo bëhet përmes shkollimit të vazhdueshëm ose seminareve të fushave të ndryshme, varësisht se për çka kemi nevojë gjatë procesit. I tërë procesi përcillet nga një strategji e përmirësimit të vazhdueshëm CIP (Continual Improvement Process) (https://de.wikipedia.org/wiki/Kontinuierlicher_Verbesserungsprozess).

Përmirësimi i vazhdueshëm CIP (Continual Improvement Process)

Në grafikun 1.3 shihet i tërë aktiviteti i përmirësimit të vazhdueshëm të procesit.
Në fazën e planifikimit, idetë bisedohen në grup (team), pastaj merret një vendim i përbashkët dhe nëse ideja kalon, shënohet në një fletëshënim të cilin mund ta quajmë “CIP-ide” dhe i jepet një numër rendor. Pastaj vjen faza e veprimit, ku duhet shikuar çfarë duhet bërë dhe si, caktohet një person përgjegjës i cili mund ta përcjellë dhe ta realizojë atë.
Në fazën tjetër bëhet kontrollimi se çka është arritur dhe analiza çfarë janë ndikimet. Nëse është arritur qëllimi, konsiderohet si e kryer dhe regjistrohet si e tillë. Nëse jo, shkojmë në fazën e zbatimit, shikojmë çfarë duhet bërë tjetër për të arritur deri te përfundimi.
Të gjitha idetë e paraqitura në fletëshënimet (“CIP-ide”) regjistrohen në një tabelë (Grafiku 1.4.) dhe përcillet ecuria e procesit sipas datave të shënuara. Të gjitha idetë duhen të afatizohen dhe nëse zbatimi nuk është i mundur në afatin e caktuar, atëherë duhet shtyrë afati. Por nëse nuk ka kurrfarë mundësie të realizohet ideja, në atë rast duhet bërë analiza e faktorëve që pengojnë. Pastaj në grup bisedohet nëse ideja duhet të tërhiqet apo duhet gjetur një zgjidhje tjetër.
Një CIP-ide duhet të përmbajë këto informacione: datën e përshkrimit të idesë, emrin e propozuesit, përshkrimin e idesë ose problemit, përshkrimin se si mund të zgjidhet, mbështetje nga dhe bashkëpunim me personin e caktuar; pastaj me rëndësi është të paraqitet kush, çka dhe deri kur është afati i paraparë, si dhe rëndësi ka numri rendor i CIP-ide-së dhe data kur është bërë realizimi, gjegjësisht zbatimi i idesë.
Në një tabelë të vogël mund të paraqesim përpjekjet dhe angazhimin pë realizimin e idesë, që mund ta ndajmë në tri shkallë: pak, mesatare dhe shumë. Krahas energjisë së shpenzuar, mund të paraqesim dobinë që kemi nga kjo ide. Në mjedisin ku kryhet aktiviteti dhe ku bëhen takimet në grup, vendoset një CIP-tabelë në të cilën paraqesim fletëshënimet dhe bëjmë përcjelljen e ideve deri në zbatim. Tabela shërben si komunikim i përhershëm, ndahet në katër pjesë dhe idetë e shënuara në fletët CIP-ide lëvizin në anën e kundërt të akrepave të orës, nga faza përgatitore deri në fazën përfundimtare, si në grafikun 1.5.

CIP – Tabela komunikuese mund të përmbajë edhe pikësynimet tona, p.sh. çka duam të arrijmë me përmirësimet që bëjmë. Si shembull konkret, mund të themi se duam të përmirësojmë punën në grup, bashkëpunimin me shërbimet apo repartet tjera, ose reduktimin e shpenzimeve etj. Pastaj caktohet një ekspert CIP, i cili udhëheq dhe paraqet gjendjen në çdo takim.
CIP nuk është një aktivitet i përkohshëm, por një domosdoshmëri e përhershme e cila ndjek tërë procesin dhe nuk përfundon asnjëherë.
Në një diagram shihet ecuria e procesit duke matur dallimin e ideve të gjeneruara dhe atyre të zbatuara (Grafiku 1.6.). Kjo është një paraqitje grafike e tabelës që kemi paraqitur në grafikun 1.4.

Shikuar në përgjithësi, një kompani është e suksesshme aq sa është serioziteti në qasje ndaj metodave dhe filozofive moderne të zhvillimit. Cilësia, inovacioni dhe orientimi ndaj klientit në kompani janë baza dhe çelësi i suksesit. Ky proces përmirësimi duhet të kryhet vazhdimisht dhe synimi është arritja e një standardi të caktuar. Pra, arritja e standardit do të thotë se kemi arritur një nivel të caktuar të dëshiruar.

(Fund)

Të fundit

më të lexuarat