
Në librin e tij “I lindur në provincë” Arian Leka shkruan:
“Po ku është sot ky popull lundrues, njerëzit e detit, të cilët nuk e ndjenin nevojën të thoshin me zë të lartë se ishin detarë e bij detarësh? Lidhësit e cimave, muçot me tatuazhe, dokerët me supet e fortë prej fuçive dhe thasëve, marinarët – djemtë e vetëm – me vath të artë në vesh, motoristët me lugë këpucësh në xhep, arnuesit e rrjetave, kuzhinierët, pompistët me mustaqe të holla, ironike, në formë lapsi, mjekët e anijeve, njohësit e hartave, deshifruesit e gjuhës së sinjaleve, punëtorët e kuvertës, ku do të jenë?”
Derisa anija vazhdon lundrimin më sillej në mendje përshkrimi që i bëri Ulqinit letrarja
Isidora Sekuliq (R.Ushaku, Ulqini në përmasa kërkimi dhe frymëzimi).
“Deti, gjiret e vegjël, shkëmbinjtë e kanë ruajtur një shkëlqim të parajsës së humbur, kurse cekëtinat e ujit azur dhe rëra e butë si shtrati përgatisin diç tjetër. Tani për tani Ulqini është krejt i kthyer kah vetvetja, i zhveshur nga modernja dhe mu për këtë, bukuria e tij është origjinale dhe e plotë. Në të ende vërehet një jetë e një varfëri, hijeshi e ndruajtur. Në gji vetëm disa barka me vela dhe në to mall i imët tregtie. Dy gra në mol, skofiare si qëndisëset nga odat e mbyllura, shesin speca me masën e grushtit, pa shpirt tregtari. Lart mbi shkëmbin e Sukës, ku po ndërtohet hoteli i ardhshëm luksoz, parku është i shkretë dhe në të ka zënë rehati një Robinzon i ngathët mjekrosh që fle në hije e nuk do që ta hapë portën. Në këtë bahçe të shkretë ende vazhdon shpirti i Edenit. Degët e drunjve lakohen sipas tekeve, shkelni nëpër filizat e kaktusëve ngjyrë kaltër në të gjelbër, në çdo hap mund të rrokulliseni në det…
Zëne se po drekoj, e në mua njëmijë dridhje të të gjitha shqisave e ndjenjave. Deti ushton, përplaset lehtë në shkëmbinj dhe krijon shkumë, e në anën e kundërt shoh Kalanë. Shpejt do të shkojmë edhe atje që prej rrënojave e viraneve të saj të shumta ta sodisim detin e gjerë, qiellin, hapësirën e largët dhe e parandiej se çfarë është fati ynë.
Këtu ende nuk shahen mes vete barkëtarët… Ende asgjë nuk është komike as e mjerueshme, as shtëpitë e vjetra, as sandallat e vjetër, as pushimi i pasdites i këtyre njerëzve të vegjël me halle e brenga… E di, kjo do të kalojë së shpejti. Do të arrijë luksi e zhurma, me shërbimin e padenjë që do t’ua bëjnë të mençurit dhe të varfërit të marrëve dhe të pasurve. Por unë atëherë ose nuk do të jem gjallë ose nuk do të vij në Ulqin.”
Kurse Çelebiu e përshkruan Kështjellën e Ulqinit të ndërtuar prej gurit të latuar në formën e gjashtëkëndëshit. Ishte një qytet i fortë, ¡rrethuar me hendeqe dhe i furnizuar me të gjitha pajisjet e nevojshme për luftë. Të gjitha shtëpitë të mbuluara me pllaka guri. Brenda kështjellës xhamia e Mehmet Hanit, hambaret e drithit, depot e municionit dhe saranxhat.
Flitej se si në qytezën e parë që ishte ngritur në Liman (Meterizin e sotëm), kusarët e sulmonin shpesh nga deti dhe e shqetësonin me topa. Për këtë shkak njerëzit braktisën këtë lagje dhe u vendosën më poshtë….
Çelebi:”Shqipëria 350 vjet më parë”, fq 136, 142; “Putopis…”, 1967.
Ndër vite ky qytet magjepsi me bukurinë e vet njerëz të ndryshëm që e vizituan dhe u magjepsën me të. Kam dëshirë të sjell për lexuesin deklaratën e Ramiz Kelmendit.
Për herë të parë, kështu e në këtë mënyrë, mu në të perënduar të jetës sime, botërisht e publikisht deklaroj se:
Unë, Ramiz Kelmendi, një apatrid as pejan, as rugovas, as prishtinas, kam (sidoqoftë) edhe një – vendlindje. Të pakontestueshme. Të mirëfilltë. Të vërtetë. Një vendlindje, që e kam dhe e mbaj për mburrje e rrahagjoks.
Kam vendlindjen time – letrare.
Vendlindja ime letrare, në plotëkuptimin e fjalës, është – ULQINI!
Ky qytet, që – në atë vitin e largët 1953, kur, si student i Albanologjisë në Beograd – e vizitova së pari, mua, këtij pejani “rugovc”, që s’kisha parë kurrë det me sy, m’u duk qytet-ëndërr, qytet përrallor.
Ky qytet yni aq i bukur dhe një dashuri rinore, skofiare, tërësisht platonike, me një ulqinake sa të këndshme aq edhe të mençur (unë, asokohe, isha 23 vjeç!) më krijuan këtë vendlindje të re.
Frymëzuar nga Ulqini dhe nga kjo vashëz ulqinake, me shumë droje e pasiguri, me shifër dhe në konkursin për tregime të “Rilindjes”, shkrova tregimin tim të parë në jetë, një tregim me motiv nga Ulqini: “BARKA E PESHKATARIT”.
Shkrova pas kësaj edhe novelën e parë në jetën time, po ashtu me motiv nga Ulqini: “NJË MË PAK”.
Por, më të madhin borxhli më ka Ulqini mua, kur aq i merituari dhe i paharruari poeti Esad Mekuli, më botoi librin mbase më kurajoz për kohën, satirën aq akuzuese kundër sistemit dhe politikës antishqiptare të asaj kohe – “LETRA NGA ULQINI”, me të folme ulqinak(ç)e.
E kam, prandaj, për nder të më quajnë (edhe) ulqinak. Se vetëm Ulqini, kjo perlë e bregdetit shqiptar, më çeli – përkrah gazetarisë – rrugën e letrave shqiptare.
Më bëri edhe – letrar…
Ulqini jeton në rreshta të shkrimtarëve, në kujtesa historike, në vargjet e këngëve……
Gjatë ecjes në plazhin e vogel Përmendoren e kapedanëve nuk ma pa syni. Ndoshta jemi mësuar si popull të jemi transmetues të vlerave në forma të tjera, por vizualja i bën gjërat t’pavdekshme.
Lavdia u takon njerëzve që e bënë historinë, kurse puna dhe përkushtimi të tashmëve, NE!
Edhe kur shpresa na venitet për shumë çështje, më e pakta që mund të bëjmë është ta duam Ulqinin!