![](https://kohajavore.me/wp-content/uploads/2016/08/shaban-hasangjekaj.jpg)
Arkeologu i mirënjohur shqiptar Prof. Dr. Naser Ferri (nipi i patriotit dhe trimit legjendar shqiptar Jakup Ferri nga Plava), kohë më parë ka publikuar shënimin “Në vitin 1923 në Tiranë është botuar libri i parë mbi ilirët në gjuhën shqipe”, autor i të cilit është arkeologu, historiani, gjeografi dhe albanologu Karl Ludvig Patsh, i lindur në vitin 1865 në Kowatsh të Çekisë dhe ka vdekur në Vjenë të Austrisë më 21 shkurt të vitit 1945 në moshën 80 vjeçare.
Autori Naser Ferri në fillim të shënimit të vet shkruan se nga opusi i pasur i Patshit dallohet libri “Ilirët”, i cili është botuar në vitin 1923 në Shtypshkronjën “Nikaj” të Tiranës, drejtpërdrejt në gjuhën shqipe, në përkthim të Karl Gurakuqit dhe në fakt ishte edhe libri i parë në gjuhën shqipe kushtuar ekskluzivisht ilirëve.
Autori i librit “Ilirët”, Karl Patsh, pos kontributit të dhënë në fushën e arkeologjisë, historisë, etnografisë e gjeografisë në shumë vende të Ballkanit dhe në themelimin e shumë institucioneve kulturore po ashtu në Ballkan, kontribut të konsiderueshëm ka dhënë edhe në themelimin e Muzeut Kombëtar në Tiranë.
Prof. Dr. Naser Ferri në shënimin e vet bën me dije se në veprën “Ilirët” për herë të parë janë prezantuar në gjuhën shqipe fiset ilire, shtrirja e tyre gjeografike, doket, zakonet, besimet religjioze dhe mjaft elemente të tjera relevante të kulturës së tyre autoktone.
Vepra në fjalë është e ndarë në tetë nënkapituj dhe është e pajisur me 13 ilustrime. Autori i librit Karl Patsh, fillon me trajtimin e ilirëve në përgjithësi, për të cilët ai thotë se nuk formuan komb të posaçëm dhe u bashkuan vetëm njëherë për t’u rezistuar romakëve, madje, për fat të keq edhe atëherë jo të gjitha fiset. Në numër më të madh ose më të vogël, ilirët kishin qenë prezentë edhe në brigjet e Danubit në pjesën italiane të Adriatikut, në Korfuz dhe në veriperëndim të Azisë së Vogël e ndoshta edhe në Sicili. Sado që romakët kishin qenë të egër në luftë, nga ana tjetër ata kishin qenë liberalë në raporte me popujt e nënshtruar në çdo aspekt, ashtu që ilirët kishin mundësi t’i ruanin elementet e kulturës së vet autoktone.
Në vazhdim të shënimit të vet, arkeologu Naser Ferri shkruan se në vitin 1923, kur kjo vepër u botua për herë të parë, nuk dihej shumë lidhur me jetën shpirtërore të ilirëve. Megjithatë, dihej se hyjnitë ilire kishin forma si edhe tek popujt e tjerë të Evropës dhe se ilirët nuk kishin priftërinj, por njerëzit e rëndomtë që kishin njohuri të caktuara kryenin flijimet dhe udhëhiqnin ritet religjioze. Nga hyjnitë ilire, autori i librit Patshi veçon Medaurin, të cilin e paramendonin si kryetrim gjigant mbi një kalë zjarrmor me hark e shigjeta në duar, i cili kishte shenjtoren në Risinium, pastaj ai i pari i kishte zbuluar dhe publikuar monumentet epigrafike të kushtuara hyjit ilir Bind, i cili identifikohej me Neptunin romak dhe i cili kishte shenjtoren afër Bihaqit mbi lumin Privilica, ku u zbuluan një varg altarësh dhe ku këtij hyji i flijoheshin cjepet. Ilirët nderonin një varg perandoreshash si Diana Kandaviensis (e fisit Kandavi), Ika, Futosika (padyshim formë e gabuar e emrit të hyjneshës Iutosika), Latra, Sentona, hyj i luftës Armatus, e të tjerë.
Në shënimin e vet, arkeologu Prof. Dr. Naser Ferri shkruan se si duket ilirët shpesh flijonin njerëz të gjallë siç kishte qenë rasti, bie fjala, në kohën e sulmit të Lekës së Madh kundër ilirëve të Jugut, me ç’rast për t’u mëshiruar hyjnitë, ishin flijuar tre djem dhe tri vajza.
Sa i përket gjuhës ilire, autori i librit Patsh shpreh mendimin që ilirishtja kishte pasur dialekte si edhe gjuhët e tjera dhe se njoftimet lidhur me këtë janë nga fjalët ilire të cilat i shënuan autorët antikë, siç është emri i birrës “Sabaja”, pastaj nga emrat e vendeve që mbaronin me prapashtesa të ndryshme siç ishin -ona: Emona, Albona, Flanona, Promona, Skadrona, Narona; -este: Tergeste, Bigeste; -ntum: Dalluntum, Salluntum, Tarentum.
Ndihmesë për njohjen e gjuhës ilire janë edhe oronimet dhe hidronimet: Dravus (Drava), Savus (Sava), Drinus (Drina), Drillos (Drini), të cilët edhe të latinizuara i kanë ruajtur elementet origjinale deri në kohët moderne, pastaj emrat vetjakë: Verso, Bato, Dasto, Pino, e të tjerë të ngjashëm. Elementet karakteristike të gjuhës ilirishte mjaft mirë dëshmohen në një mbishkrim që është zbuluar në Lisiçiqi afër Konjicit në Bosnjë, në tekstin e të cilit paraqitet një “J” i posaçëm, si dhe një shkronjë frymore që nuk është e njëjtë as me “s” e as me “z”.
Autori i shënimit Prof. Dr. Naser Ferri, shkruan se autori i librit “Ilirët” Karl Patsh shpreh mendimin që në Iliri gjatë antikës, ilirishtja ishte përdorur krahas gjuhës latine, por me kohë ilirët kishin pranuar mjaft ndikime të gjuhës latine si edhe popujt e tjerë. Sipas Patshit, gjuha mikse iliro-romake ishte folur në Dalmaci dhe ai kishte konstatuar që kjo gjuhë ishte ruajtur deri në fund të shekullit XIX, kur në vitin 1898 kishte vdekur Anton Udina – Burbur, shërbëtor i kishës në Ishullin Veglia në Dalmaci, i cili kishte qenë njeriu i fundit i cili e kishe njohur dhe folur këtë gjuhë.
Një ekzemplar i botimit origjinal të librit “Ilirët” të autorit Karl Patsh,gjendet në Bibliotekën Kombëtare e Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Shënimi i autorit Prof. Dr. Naser Ferri kushtuar librit të parë të botuar në gjuhën shqipe mbi ilirët, padyshim është me peshë dhe vlerë i cili në mënyrë të denjë shpalos, pasqyron dhe reflekton identitetin e ilirëve – paraardhës të shqiptarëve.