Rrëfim

Luljeta Avdiu – Cura

Jam i lindur më 23.06.1960 në Fraskanjel, në një familje fshatare. Babai Ymeri dhe nëna Fahrije nga Sukubina, për shkak të kushteve të jetesës, shpërngulen në fshatin Fraskanjel dhe i përkushtohen jetës bujqësore, duke na rritur dhe shkolluar me aq kushte sa kishin. Shkollën fillore e fillova në bankat e shkollës së Fraskanjelit, ku atë vit u çel edhe shkolla e parë në fshat, dhe unë isha njëri prej nxënësve të parë. Ato katër vite i kreva në shkollën e Fraskanjelit, ndërsa katër vite të tjera i kam ndjekur në shkollën e Katërkollës. Vitin e parë të gjimnazit e kam regjistruar në Prishtinë, në gjimnazin “Milladin Popoviq”, ku pata fatin të njihem me shumë shokë e shoqe nga të gjitha trevat shqiptare: Presheva, Medvegja, Kosova, Maqedonia, Malësia, etj. Pas përfundimit të vitit të parë në Prishtinë, sërish u ktheva në vendlindje për të vazhduar gjimnazin e Ulqinit, drejtimi tregti, për arsye të kushteve financiare, dhe që prej atëherë jam pjesë e këtij drejtimi.
Në vitin 1980/81 isha ushtar i këmbësorisë në Postojn të Sllovenisë. Po atë vit filluan demonstratat e rinisë në Kosovë. Unë, si edhe të gjithë shqiptarët e tjerë, ramë në sy të armikut si “iredentistë” të asaj kohe.
Në vitin 1982 fillova aktivitetin tim në bashkësinë lokale “Bashkimi” si kryetar i rinisë, por kjo periudhë nuk zgjati shumë, sepse familja Avdija ra në sy si anti-jugosllave dhe shumë atdhetarë të asaj kohe u burgosën dhe u keqtrajtuan. Më 1 shtator 1985 u detyrova të largohem nga vendlindja së bashku me bashkëshorten Limen. Ashtu si shumë anamalas të tjerë, edhe ne emigruam në SHBA për të jetuar në qytetin e Nju Jorkut, ku jetojmë edhe sot.
Jeta e vështirë politike dhe ekonomike në vendlindje më detyroi që, së bashku me bashkëshorten dhe shumë të tjerë, t’i bashkëngjiteshim Komunitetit Shqiptar të Nju Jorkut, duke marrë pjesë në demonstrata të njëpasnjëshme kundër ish-Jugosllavisë në rrugët e Nju Jorkut dhe Uashingtonit.
Kriza ekonomike në vendlindje i kishte kaluar kufijtë dhe studentët shqiptarë nga Ulqini filluan për herë të parë të ndiqnin studimet në Tiranë. Kjo krizë e studentëve u reflektua pak edhe në mërgim dhe për këtë më lindi ideja të ftoja disa anamalas që jetonin dhe punonin në Nju Jork, në mënyrë që të krijonim një këshill dhe t’u vinim në ndihmë studentëve të parë që kaluan kufirin për t’u regjistruar në fakultetet e Shqipërisë.
Pata fatin që komuniteti shqiptar më përkrahu dhe ftesës sime iu përgjigjën 22 anëtarë. Unë isha i mendimit që komuniteti shqiptar i Anës së Malit duhet të ketë klubin e vet, i cili duhej të mbante të njëjtin emër si vendlindja jonë, jo për lokalizëm, por sepse u larguam nga vendlindja dhe lamë shumë gjëra pezull dhe pa realizuar atje. Edhe pse mora shumë kritika që të ndërrohej emri i klubit, nuk pranova në asnjë mënyrë ta ndërroja. Kishte ardhur koha që t’i tregojmë të gjithë komunitetit shqiptar, por edhe më gjerë, për ekzistencën e trevës shqiptare të Anës së Malit. Trevë e cila është e njohur për bujarinë dhe mikpritjen, por edhe për intelektualët që i kanë shërbyer me dinjitet vendlindjes.
Kështu u mor vendimi dhe u zgjodh kryesia e përkohshme e klubit të Anës së Malit me në krye Sabri Gjonin, Xheladin Zenelin, Gjylaver Avdiun, etj.. Unë nuk kisha dëshirë të marr pjesë në kryesi, edhe pse isha vetë iniciator për formimin e klubit të futbollit, sepse të tjerët, bashkëvendësit e mi të nderuar, ishin më intelektualë se unë, d.m.th. me fakultete, dhe e dija dhe kisha besim në aftësitë e tyre.
Vitet kalonin dhe futbollin e konsideroja si pjesë të jetës sime, dhe fillova të aktivizohem në sport që në vitet e para të mërgimit. Duke iu falënderuar aftësive të mia, fillova të luaja për një klub gjerman deri në vitin 1994, së bashku me shokët Mustaf Hidra, Dul Gjeloshi, Izedin Avdiu, Skender Cuca, etj. Duke parë angazhimet e mia dhe të shokëve të mi në klube të huaja, më lindi ideja që, përse shqiptarët nga treva e Anës së Malit të mos formonin klubin e tyre të futbollit, ashtu siç e kishin edhe popujt e tjerë në Nju Jork.
Përsëri organizova një takim me shokët Dul Gjeloshi, Ismet Kurti, Izedin Avdiu, Mustaf Hidra, Shyqyri Hoxha, Skender Cuca, Xhemal Luka dhe Xheladin Zeneli, organizatorët e parë të K.F. “Ana e Malit”, me sponsorët Miradin Gjoni, Xhafer Osmani dhe Ruzhdi Berkani. Klubi u formua në shtator të vitit 1995 dhe e regjistruam në Ligën Shqiptaro-Amerikane, një ligë që bashkonte të gjitha klubet shqiptare të Nju Jorkut. Qëllimi i kësaj lige ishte të bashkonte të gjithë shqiptarët në një ligë të vetme.
Në këtë fotografi janë disa nga iniciatorët dhe lojtarët e parë të këtij klubi. Gjithashtu, në këtë foto shfaqen edhe disa nga legjendat e futbollit të Anës së Malit, duke përfshirë: Skender Cuca, Nexhmedin Malota (trajner), Izedin Avdiu, Hejdi Mehmeti, Shukri Islami, Sefer Avdiu, Ali Avdiu, Xhemal Luka, Agim Ceka, Ismet S. Kurti dhe Mirsad Holli.
Ky klub tregoi sukses të madh, duke zënë disa herë radhazi vendet e para në turne. Ende sot e kësaj dite, klubi mban emrin e bukur të vendlindjes, K.F. “Ana e Malit”, dhe është një vend ku të rinjtë tanë po tregojnë rezultate të shkëlqyera, duke kënaqur komunitetin shqiptar në Nju Jork.
Gjatë luftës në Kosovë, klubi ndaloi aktivitetin, dhe në këtë periudhë lindi ideja për formimin e shoqatës “Ana e Malit”, e cila përfshiu klubin sportiv dhe shoqërinë kulturore-artistike nën të njëjtën çadër. Pata nderin dhe kënaqësinë që të jem iniciator, aktivist dhe një ndër anëtarët e parë të kryesisë së shoqatës “Ana e Malit” në Nju Jork.
Nga e majta në këmbë: Gani Nika, Osman Kallaba, Xheladin Zeneli, Sefer Avdiu, Tomë Shkreli, Vehbi Spahiu.
Ulur nga e majta: Zaim Halili, Skender Xhurreta dhe Qemal Dushku.
Sot, punoj në kompaninë e ndërtimit AVDIU CON CORP, me qendër në qytetin Bronxville në Nju Jork, së bashku me bashkëshorten Limen dhe djalin Ymerin. Ndihem i qetë dhe i lumtur që kam kontribuar për të lënë një trashëgimi të fortë për brezat e rinj, duke iu ofruar atyre hapësirë për angazhime dhe takime, si dhe për të afirmuar komunitetin shqiptar në Nju Jork, gjithmonë në emër të vendlindjes sonë të bekuar, Anës së Malit.
Pjesa shtojcë:
Shkrimi i gazetës Shqiptaro-Amerikane “Illyria” lidhur me klubin e sapoformuar të atëhershëm “Ana e Malit”.(1995)

Në vend të përfundimit
Ky rrëfim përmban një vlerë të madhe historike dhe kulturore, duke paraqitur një dëshmi të rëndësishme të jetës dhe angazhimeve të një individi që ka ndikuar në komunitetin shqiptar në mërgim. Nga fillimet e tij në një fshat të vogël si Fraskanjeli, deri te kontributet e tij në Nju Jork, Sefer Avdiu tregon se si sakrificat dhe përkushtimi personal mund të rezultojnë në krijimin e një lidhjeje të fortë mes vendlindjes dhe diasporës.
Në rrëfim shihet ndikimi i tij jo vetëm në sport, përmes formimit dhe sukseseve të klubit të futbollit “Ana e Malit”, por edhe në aktivitete më të gjera të komunitetit, duke përfshirë angazhimet në organizimin e protestave dhe mbështetjen e kauzave kombëtare.
Veçanërisht prekëse është përkushtimi i tij për të ruajtur identitetin dhe trashëgiminë e Anës së Malit, jo vetëm nëpërmjet aktiviteteve sportive, por edhe përmes themelimit të shoqatës “Ana e Malit”, e cila shërbeu si një ombrellë për zhvillimin e komunitetit kulturor dhe artistik të mërgatës shqiptare.
Ky rrëfim është një frymëzim për brezat e rinj, duke treguar se me vullnet, përkushtim dhe unitet, edhe larg vendlindjes, mund të mbahen gjallë lidhjet me atdheun dhe të kontribuohet për të ardhmen e tij. Ai shërben si një dokument i rëndësishëm që ndihmon në ruajtjen dhe afirmimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve të Anës së Malit dhe të diasporës shqiptare në përgjithësi.

Të fundit

më të lexuarat