
Trieshianët sikur i gjithë populli shqiptar, të gjitha ngjarjet e jetës që janë zhvilluar brenda familjes i ka përcjellë me veprime, këngë e vaje, varësisht nga rasti. Ata i kanë kënduar lindjes së fëmijës, martesës, si dhe shumë veprimeve tjera që kanë të bëjnë me jetën e njeriut në përgjithësi dhe familjen në veçanti. Në mënyrë të njëjtë ka vepruar edhe me rastin e vdekjeve që i kanë përcjellë gjatë jetës.
Disa besëtytni rreth të vdekurit
Në këtë zonë është besuar se, para se vdekja të ndodhë, ajo shfaqet nëpërmjet disa shenjave, të cilat i paralajmërojnë njerëzit se do t’u vijë në familje. Njerëzit e kësaj ane iu kanë besuar këtyre gjërave. Shenjat të cilat banorët e kësaj zone besojnë se e paralajmërojnë vdekjen ndër të tjera janë: dhënia bukë të vdekurit apo edhe ngrënia me të në sofër, rënia e dhëmbit në ëndërr, këndimi i qyqes mbi kulmin e shtëpisë, ulërima e qenit afër shtëpisë, kur dikush sheh ëndërr se digjet shtëpia, nëse ëndërrohet dikush që i bie mjekra, kur kërcet trari i shtëpisë, nëse kufoma nuk ngrihet, por mbetet e lëvizshme, bletët apo delet besohej se do të ketë vdekje, shpatulla e pulës e shpuar, etj..
Vdekja
Lajmi për vdekjen vjen nga gratë e shtëpisë duke filluar vajin dhe nga kumtarët, të cilët goja-gojës e diku këmbë hapnin kumtin nëpër katër anët e fshatrave. Nëse i vdekuri ndodhet në shtëpi, atë e lajnë dy burra ose dy gra, varësisht nga gjinia e të vdekurit, pastaj rregullohet kufoma duke u kthyer nga lindja, në këtë drejtim edhe e varrosin. Gjatë kohës sa qëndron kufoma në dhomë gratë e vajtojnë. Pas larjes dhe përgatitjes së kufomës, në shumicën e rasteve vendoset në një dërrasë të rrafshët sa gjatësia e trupit, të mbuluar me batanije e me qilim të bukur, me duar të kryqëzuara me uratë. Në vitet e fundit trupi i të vdekurit vendoset në arkivol. Të vdekurin e veshin me veshje kombëtare ose me rrobat më të mira e më të reja, që quhen “petkat e dekës”. Atij të cilit i ka vdekur anëtari i familjes i ndihmon krejt mëhalla (lagjja) meqë popullata në këso rastesh kryente një borxh njerëzor e shoqëror, e bindur se “deka a me rend”. Pranë të vdekurit ulen gratë e shtëpisë. I gjithë organizimi rreth lajmërimit, përgatitjes së të vdekurit, lajmërimit të farefisit, hapjes së varrit, ceremonisë së varrimit, bëhet nga farefisi, të afërmit dhe fqinjët. Në të shumtën e rasteve janë familje në lidhje gjaku-vëllazëri, prandaj organizohen në mes vete.
Të vdekurit i ndezin qiri te koka. Ngushëllimet i presin anëtarët e ngushtë të familjes, si te burrat, ashtu dhe te gratë. Një ditë para varrimit persona të caktuar shkruajnë letrat e “ hatrit” , sipas listave të vendeve (të afërm, miq, kumbarë e probatinë kudo që janë). Letrat i shpërndajnë zakonisht djelmoshat (djelmoçat) që i njohin më së miri vendet e Malësisë dhe lagjet në qytet. Një grup burrash e ruajnë të vdekurit gjithë natën. Atyre u sjellin raki, kafe e duhan dhe u shtrojnë një darkë të thjeshtë.
Ditën e hatrit (varrimit) kufomën e qesin përjashta në një vend të përshtatshëm. Kufoma është e rrethuar nga gratë me rroba të zeza, ndërsa meshkujt e shtëpisë së të vdekurit, sipas moshës e afërsisë, rreshtohen në krahun e djathtë në hyrje të oborrit ose të lëmit ku zhvillohet ceremonia mortore.
Ardhësit (burra e gra) grupe-grupe, duke i dhënë dorën secilit, me pikëllim në fytyrë , thonë formulën e pikëllimit :
“Zoti ju llasht kivet!“,
”Zoti ju llasht kivet e u ruejt çka kini!”
“Zoti ju forcoftë!”,
“Kjoft mirë n’atë jetë!”,
“ U pastë lanë baftin e nafakën!”,
“ Krishti e pastë ën Parriz!”
Të rreshtuarit ua kthejnë me përgjigjen:
“Paçi kivet prej Zotit!” ,
”N’e mira jua ktheshim!”- Për të mira ju kthefshim!”
Kur vdes ndonjë burrë, i cili e ka nënën gjallë, te koka i ulet e ëma, pastaj vijnë me radhë motrat dhe vajzat, kurse gruaja – bashkëshortja e të vdekurit ulet te këmbët apo anash. Në të njëjtën mënyrë ndodh edhe kur vdes një grua: te koka i ulet nëna, vajzat dhe familjarët e tjerë, varësisht se sa janë të afërta me të vdekurën, kurse burri qëndron te burrat dhe nuk i lejohet të vijë në mesin e grave.
Gratë që vijnë në “dekë” për ngushëllime, veçmas bijat dhe motrat, posa të hyjnë te dera e oborrit, fillojnë të vajtojnë me “ ëjkatje”, duke thirrur nga tre herë: ëj -hëë, ëj, ëj hëë ëj, ëj hëë ëj !” – për ato raste kur i vdekuri është i vjetër, ndërkaq kur vdes ndonjë i ri, kukasin: “kuuu-kuuu, kuuukuu,! – dhe kështu fillon vajtimi, duke hyrë në vendin (dhomën) ku gjendet kufoma dhe ulën varësisht nga afërsia dhe lidhja e gjakut dhe gjirit që kanë më të vdekurin, d.m.th duke e respektuar hierarkinë familjare.
E pamja vazhdon në ditët e ardhshme. Më parë e pamja zgjaste deri në një javë, e në ditët e sotme më së shumti zgjat deri në tri ditë. Në ndonjë rast të veçantë, kur i vdekuri nuk i ka pranë të afërmit, pamja përfundon në ditën e varrimit.
Ditën kur përcillet i vdekuri, në shenjë të zisë, mysafirëve u ofrojnë kafe, duhan e raki. Këtë shërbim e bëjnë të afërmit nga gjaku e fisi, burra e gra, pleq e të rinj e bashkëfshatarë me qëllim që t’i presin sa më mirë mysafirët (malësorët) që kanë udhëtuar me orë të tëra nga të gjitha krahinat e Malësisë për të marrë pjesë në ceremonial.
Mysafirëve kur kthehen nga varrezat e fshatit u shtrohet buka, respektivisht “drekat”. Gjatë drekave në Triesh jepet edhe raki , por pihet me masë e kujdes dhe nuk bëhen as cokatje e shisheve a gotave, as nuk zgjatet pija, thjeshtë sa për të bërë urimin e parë ngushëllues, që duhet të fillojë m patjetër me “Elle për t’mir pas sodit, në t’mira jua ktheshim!” “E hagsh për drek t’kuj ke ma t’llimshim !” (mallkim) . I vdekuri varroset pasi të kenë kaluar 24 orë, kurse prifti i vendit i kryen ritet fetare (salikimet). Çdo mëhallë (fshat) ka varret e veta. Në fshatin Nikmarash – Trtiesh të Poshtëm ekzistojnë varrezat e fëmijëve.