Rite dhe zakone të martesës në Triesh

Gjekë Gjonaj

Në Triesh ritet dhe zakonet e martesës dhe dasmës janë pothuaj të njëjta me ato të krahinave tjera të Malësisë së Madhe, sipas rregullave e dokeve shoqërore e kanunore përkatëse. Në të kaluarën e hershme ajo familje ose fis që dallohej për nder, burrëri e trimëri i ka martuar më shpejt bijat ( vajzat) e veta . Dëshira e çdo familjeje ka qenë që ta martojë djalin ose vajzën në një fis e familje “ sojnike” ( të mirë). Qëllimi i tyre kryesor ka qenë që “ me e zanë mikun për qief” (ta zgjedhë mikun me dëshirë (qejf)).
Gëzimi më i madh i familjes ishte kur martohej djali. Po ashtu edhe dasma më e gjerë. Ftoheshin më shumë njerëz, miq, bija, kumbarë, e ndrikulla , probatina e dashamirë , sigurisht edhe sipas rrethit shoqëror e gjendjes ekonomike. Kur martohej vajza gëzimi ishte më i vogël. Rrethi i të ftuarve ishte më i kufizuar dhe dasma ishte kryesisht për një përcjellje të vajzës, jo për të festuar. Gëzimin e kishte ai që merrte nusen, jo ai që nxjerr ( nep) vajzën . Dasma tradicionale ka disa zakone dhe ceremoni që janë ndjekur për shekuj të tërë.

Fejesa
Sesa rëndësi i kanë kushtuar “ lidhjes së miqësisë” dëshmojnë fejesat e bëra pa lind fëmija. Kjo ndodhte kur dy kryefamiljarë shkonin mirë njëri-me tjetrin dhe dëshironin që miqësinë tyre ta përforcojnë edhe më shumë, atëherë i fejonin fëmijët e tyre, në rast se i kishin gratë shtatzëna dhe njëra lind djalë e tjetra vajzë .
Fejesat e fëmijëve bëheshin edhe pa e njohur njëri -tjetrin , me ndihmën e ndërmjetësuesit. Këtë rol e luanin disa gra të afërmve të djalit. Për këtë kujdeseshin disa gra më të afërme të djalit ose ndonjë grua tjetër nga rrethi i të afërmve. Ato interesoheshin për ta parë vajzën dhe për të marrë sa më shumë “ informata” për vajzën. Më pas caktohej një mashkull nga familja e djalit , i cili është sadopak i aftë për këtë punë dhe ka njohësi me shtëpinë ku kërkohej vajza. Personi që ndërmjetëson për të bërë një fejesë quhet shkues. Për të pasur sukses shkuesi duhet të jetë mik ose farefis i familjes së vajzës që do të kërkohet për ta fejuar me djalin. Kur është e mundshme shkues caktohet daja i vajzës, ndonjë kumbarë ose mik i afërt i të zotit të shtëpisë ku është lindur e rritur vajza etj. Shkuesi duhet të jetë i mençur , “ njeri që i pret gjuha”, që di të flasë e të kryej mirë rolin që i besohet dhe njohës i mirë i kuvendit dhe zakonit të malësorëve. Ai zakonisht lavdëron djalin dhe shtëpinë e djalit. Babai i vajzës ka për detyrë t’ japë fjalën pozitive ose negative atë ditë apo një ditë tjetër, të cilën e cakton ai. Dikur vajza nuk merrte pjesë në zgjedhjen e fatit të vetë, por pajtohej me atë burrë të cilin ia caktonin prindërit.
Shkuesit si shpërblim, për punën që bën për ta “ nxjerrë vajzën”, i dhurohen një palë këpucë , me motivin metaforik se duke shkuar disa herë për të biseduar për fejesën , ai ka grisur një palë këpucë. Shkuesi mbasi merr përsipër t’i hyjë punës për “ ta nxjerrë vajzën” e X ( filanit -akëcilit) shkon enkas në shtëpinë e tij dhe mbasi pi kafen i thotë të zotit të shtëpisë:
“Ti s’po më dvet pse kam arll?” ( Ti nuk po më pyet pse kam ardhur?) Përgjigja standarde është:
“Mir’se t’ka pru zoti ose hozhgjiedën t’kjoft!”. “Na s’e kem pas zakon me e dvet mikun pse ka arll, por mej ba muhabet e me e prit me çka t’ na ket fal Zoti”. Pas këtyre fjalëve shkuesi i përgjigjet:
“ U kam arll pri punë” ( kam ardhur për një punë).
-Hajr e baft Zoti!
Shkuesi tregon pastaj se për kë e lyp vajzën, duke treguar se djali është i tillë e i atillë , se janë shtëpi e mirë , se janë derë trimash, se kanë pasuri etj. Gjatë kohës kur shkuesi ndodhet aty vajza fshehët diku në ndonjë kthinë ( skutë) të shtëpisë.
Ai në marrëveshje me kryefamiljarin që kërkon nuse, caktojnë natën ose ditën kur do lypur vajza. Në ditën e caktuar prej të zotit të shtëpisë ku kërkohet vajza, shkuesi merr përgjigjen konkrete. Në qoftë se i zoti i shtëpisë nuk dëshiron të japë vajzën për djalin që nuk i përgjigjet kërkesave të tij ai përpiqet të gjejë fjalë të cilat nuk do ta fyejnë as shkuesin as familjen e djalit që e lyp vajzën, si:
“ Tash për tash vjaza s’k dërmët m’u fejuo” ( Tani për tani vajza nuk ka ndërmend të fejohet),
Në rast se jepet fjala për “ P0” , vijnë kafet, dhe i zoti i shtëpisë uron miqësinë:
“ Për hajr na kjoft miqasia!”
Pasi shkuesi merr përgjigje pozitive, i lënë të zotit të shtëpisë një monedhë për shenj pengu, del në shkallë dhe qet pushkë urimi dhe lajmërimi. Kthehet te familja e djalit secilës i jep lajmin e gëzueshëm , qet pushkë dhe kështu njofton tërë katundin se ( akëcili) gjet nusen. Babai i vajzës bashkë më shkuesin dhe miqtë e rinj caktojnë ditën e fejesës ( ditën e shenjit) . Pasorët ( pësorët) janë ata të cilët shkojnë për të fejuar vajzën. Me dy pasorë zakonisht shkon edhe një shkues. Të shumtën e rasteve pasorët janë nga shtëpia e dhëndrit të ardhshëm. Fejesa bëhet me një lirë-monedhë të caktuar. Si shenjë jepet unaza, apo ndonjë stoli tjetër me vlerë, (gjerdan, arë etj.) Kur merret unaza konsiderohet se vajza është roguar (e kaparosur për djalë të caktuar). Pasorët në ditën e fejesës japin mqerin ( një sasi të hollash) të cilat përdoren për të përgatitur pajën ( rrobat e veshjes) e nusërisë . Ata me këtë rast u falin të holla grave të shtëpisë dhe vajzave që janë në atë vëllazëri. Nëse pajën e nusërisë e siguron shtëpia e dhëndrit, atëherë pasorët nuk japin kurrfarë të hollash për këtë qëllim . Paja e nuses përgatitet gjatë kohës së fejesës ( 6 muaj deri në një vit). Vajza e fejueme nuk mun dalin ën lok e as ën kish nuk mun shkojn dejsa t’martohet. ( Vajza e fejuar nuk ka mundur të dalë në sheshe as nuk mund të shkojë në kishë derisa të martohet) . Ditën e fejesës ose ndonjë ditë tjetër me pëlqimin e të dy palëve caktohet data ) data e martesës (1-2 muaj përpara).
Ndodh që të prishet fejesa. Atëherë kthehet unaza dhe nuk kërkohet gjë. Në Triesh ka pasur edhe vajza që nuk janë martuar kurrë , vigjnesha (virgjëresha).
Fejesa me shkuesi (shkuosi), sipas rregullave kanunore ka disa pengesa a kufizime, si: të mos ketë kumbari, nuk lejohet fejesa e martesa në mes dy vetave që janë në gjak e gjini, që kanë kumbari etj.

Të fundit

më të lexuarat