Marsi dhe prilli i vitit 1981 shënojnë njërën ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë. Po të mos ndodhte ajo që ndodhi asokohe, shqiptarët sot do të jetonin ashtu sikurse jetojnë hungarezët në Vojvodinë, myslimanët në Sanxhak apo vllehët në krahinën e Timokut në Serbi
Haxhi Lajçi
Kërkesat sociale që u manifestuan në mbrëmjen e 11 marsit 1981, në “Mensën e studentëve” në Prishtinë, për kushte më të mira jete, nuk ishin spontane, por kulmim i natyrshëm i një zemërimi, i cili nuk mund të përmbahej më tej.
Sa herë vjen 11 marsi, na kthen në kujtesë atë të kaluar jo të largët dhe përgjithësisht i kujtojmë zhvillimet sociale e politike, që u manifestuan në mars, prill, maj të vitit 1981. I përkujtojmë të rënët, vizitojmë familjarët e tyre, shihemi me ndonjë bashkëvuajtës burgu, evokojmë ndonjë kujtim. Dhe kështu, nga viti në vit, edhe pas 36 viteve, në disa segmente ende vendnumërojmë, mjaftohemi me botimin e shkrimeve, vështrimeve, komenteve dhe ndonjë studimi që megjithatë është ende larg nga studimi i mirëfilltë shkencor.
Pikërisht për këtë shpërthim, më 2 prill të vitit 1981, në orët e mbrëmjes, kreu shtetëror e politik i Jugosllavisë shpalli shtetrrethimin në Kosovë, me shumë kufizime të lëvizjes së qytetarëve, ndalim rigoroz të qarkullimit të çdo personi gjatë natës, ndalim të grumbullimit të më shumë se tre personave, ndërprerje të mësimit në të gjitha nivelet në tërë territorin e Krahinës së Kosovës, ndjekjen, arrestimin dhe nxjerrjen para gjykatave të të gjithë organizatorëve apo atyre të cilët dyshoheshin se ishin të tillë, bastisjet e çdo shtëpie të dyshuar, hapjen e rreth 400 000 dosjeve, sa i dispononte regjimi dhe një mori masash represive, ekstreme, të cilat po i realizonte Ushtria dhe Milicia federale, e përbërë nga pjesëtarë të të gjitha republikave të Jugosllavisë.
Për shkak të përmasës që regjimi i kishte dhënë revoltës shqiptare, pse jo Kryengritjes shqiptare të marsit e prillit të vitit 1981, ato zhvillime historike, nga kreu i shtetit dhe nga vasalët shqipfolës të RSFJ-së, u kualifikuan si kundër-revolucion, kualifikim zyrtar ky që pasoi me një represion të përgjithshëm mbi të gjithë liridashësit shqiptarë, kudo, jo vetëm në Kosovë por edhe në trojet e tjera shqiptare nën robërinë jugosllave.
Një pjesë e madhe e rinisë që pati fatin t’ju iki kapjes nga ana e milicisë, disa prej tyre mbeten përgjithmonë pa vazhduar studimet, disa shkuan në Amerikën e largët dhe një pjesë e madhe e tyre nëpër shtetet e ndryshme të Evropës dhe nuk u kthyen deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “760” të revistës Koha Javore