Podgoricë – Qendra për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, CEDEM, në një konferencë për media ka prezantuar rezultatet e hulumtimit mbi mediat dhe lirinë e medias të cilin e ka realizuar në kuadër të projektit, “Fuqizimi i kapacitetit të mediave lokale për raportim mbi të drejtat e njeriut dhe të pakicave”, të cilin e ka mbështetur ambasada e SHBA-ve në Podgoricë.
Nga Zyra e Marrëdhënieve me Mediat e Qendrës për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut CEDEM, theksohet se çdo i dyti qytetar i Malit të Zi nuk ka besim në media, ndërsa televizioni është edhe më tej mediumi më dominant, ndërkohë që rrjeti social më i vizituar është facobooku. Hulumtimi tregon se qytetarët kanë pritshmëri të mëdha nga qeveria e re kur bëhet fjalë për mbrojtjen e gazetarëve dhe lirinë e medias.
Metodologu kryesor i CEDEM-it dhe autori i hulumtimit, Millosh Beshiq, ka thënë se pothuajse gjysma e qytetarëve të Malit të Zi nuk ka besim në media, duke potencuar se televizioni është akoma mediumi më dominant me një shikueshmëri të përditshme prej 70 përqind të qytetarëve.
“E dyta, në bazë të renditjes së shikueshmërisë janë rrjetet sociale të cilat çdo ditë i shfrytëzojnë 45.3 përqind e qytetarëve. Rrjetet sociale dhe internet portalet nga viti në vit bëhen më të rëndësishme, dhe pas tyre rënditen dy mediat tradicionale. Radion çdo ditë e dëgjojnë 21.3 përqind, kurse gazetat lexohen nga 8.4 përqind e qytetarëve”, ka thënë Beshiq. Ai ndër të tjera duke folur për rrjetet sociale, ka thënë se facebooku është më i vizituari me 42.8 përqind të qytetarëve, pasuar nga youtube me 30.8 përqind, instagrami 23.3 përqind, duke shtuar se nivelin më të lartë të besueshmërisë e ka facebooku në të cilin besojnë 35.9 përqind të qytetarëve, ndërkohë që besueshmëri në youtube kanë 34.7 përqind.
Ndërkaq, në pyetjen se a kanë dëgjuar të anketuarit për lajmet e rreme, ai ka thënë se 45 përqind e tyre janë përgjigjur se kanë dëgjuar, 26.9 përqind kanë dëgjuar por nuk janë të sigurtë se çfarë do të thotë lajm i rremë, kurse 28.3 përqind e qytetarëve nuk dinë se çfarë janë lajmet e rreme.
Në të njëjtën kohë, duke folur mbi lirinë e medias, Beshiq ka theksuar se një e treta e qytetarëve vlerëson se liria e medias pak a shumë është në nivelin e kënaqshëm, por nga ana tjetër, 58.5 përqind e qytetarëve konsideron se liria e medias është kryesisht në nivel të ulët ose shumë të ulët.
Duke folur për mbrojtjen e gazetarëve, ai ndër të tjera është shprehur se në bazë të hulumtimit, është treguar se mbi 45 përqind e qytetarëve konsideron se shteti do të duhej të sillte masa të posaçme që gazetarët të mbrohen në mënyrë të veçantë, derisa çdo i treti konsideron se për këtë nuk ka nevojë.
“Në pyetjen se sa është shteti efikas në ndjekjen penale dhe në dënimin e atyre të cilët bëjnë kërcënime dhe kryejnë sulme ndaj gazetarëve, rreth 47 përqind e qytetarëve vlerësojnë negativisht efikasitetin e shtetit në këtë aspekt, derisa dyfish më pak qytetarë konsiderojnë se shteti është pak a shumë efikas në ndjekjet penale dhe dënimin e atyre të cilët i rrezikojnë gazetarët”, ka theksur Beshiq.
Sipas tij, të dhënat tregojnë se qytetarët kanë pritshmëri të lartë nga qeveria e re kur flitet për mbrojtjen e gazetarëve dhe lirinë e medias.
“Ata mendojnë se qeveria e re do t’i trajtojë më mirë mediat dhe gazetarët. Se do të jetë dukshëm më efikase thonë 30 përqind e qytetarëve, se do të jetë po aq efektive 17 përqind, kurse 15.5 përqind mendojnë se do të jetë më pak efikase”, ka thënë Beshiq.
Duke folur mbi gezetarinë investigative, qëndrimi më dominant është se gazetaria hulumtuese është kryesisht mirë, (39.5 përqind), por mendojnë se një numër i vogël gazetarësh merren me të në mënyrë të drejtë.
Ndërkaq, drejtoresha e CEDEM-it, Millena Beshiq, ju ka bërë apel gazetarëve që të marrin parasysh qëndrimet e qytetarëve, të vlerësojnë besueshmërinë e tyre dhe të investojnë përkushtim shtesë në profesionalizmin e punës.
Në të njëjtën kohë, menaxheri programor, Marko Pejoviq, ka thënë se hulumtimi është kryer në periudhën nga data 10 deri më 21 dhjetor të vitit 2020, kurse në hulumtim kanë marrë pjesë 999 të anketuar.
t. u.