Qendër e organizimit dhe mbajtjes e manifestimeve dhe performancave shumëpërfshirëse kulturore e artistike, kryesisht shqiptare

Galeria “Hoti” e ngritur në shpatin e fshati kodrinoro-malor Hoti i Kujit, Komuna e Plavës, në lartësi mbidetare rreth 1700 metra, pronare e të cilës është aktivistja dhe veprimtarja e shumanshme në sferën e kulturës dhe artit, piktorja e mirënjohur dhe krijuesja e frytshme letrare, Kaltrina Hoti, nga fshati i sipërpërmendur, është bërë qendër e punës, organizimit dhe mbajtjes së manifestimeve e performancave shumë përfshirëse të veprimtarive dhe krijuesve kulturor e artistik, kryesisht shqiptarë.
Pos punës së përditshme që pronarja e galerisë Kaltrina e kryen në performancat kulturore e artistike me të cilat ajo merret tani e sa vite pas kthimit nga SHBA ku i ka kaluar disa dekada të jetës dhe punës së vet aktive, ku dhe i ka filluar hapat e parë të veprimtarisë krijuese, kohëve të fundit, duke iu falënderuar vigjilencës, vizionit largpamësisë dhe dinjitetit të saj, janë organizuar dhe mbajtur një vistër manifestimesh dhe performancash, kryesisht të karakterit artistik, të krijuesve shqiptarë, ndër të cilat veçojmë ekspozitën e punimeve të artit të bukur pamor të Karvanit ndërshtetëror të artistëve “Artistët për artistët” të shfaqur në nën qiellin e hapur natyrës mu pranë galerisë, më 3 shtator 2023 dhe Edicionin e V-të të Festivalit të Lahutës “Lahuta, okarina, polifonia” të organizuar më 23 shtator 2023, ku morën pjesë lahutarë vendor, nga Ulqini, Kosova dhe Shqipëria, ndërsa në fund muajin e kaluar në ftesë të pronares së galerisë, Kaltrina Hoti, në Komunën e Plavës ishte mysafir skulptori i ri por i mirënjohur, Fatlon Ibishi, ku i kaloi pesë ditë, me ç ‘rast në punën treditëshe në Galerinë “Hoti” e filloi veprimtarinë e punës së vet profesionale, modelin e skulpturës “Lahuta e Malësisë”, të cilën e vazhdoi edhe dy ditë në Galerinë e qytetit të Plavës.
Skulptura në fjalë sipas marrëveshjes, parashihet të vendoset në lokalin e galerisë në fshatin Hoti i Kujit, si eveniment i përhershëm artistik. Ajo paraqet një lahutar të ulur në shkëmb me lahutë në dorë me shikim në horizontin e gjerë të bjeshkëve që e rrethojnë dhe do të ketë lartësinë 3 metra.
Përndryshe artisti shqiptar, Fatlon Ibishi nga Tetova e Maqedonisë së Veriut, pos punës së vet profesionale që e kryen në fushën e skulpturës, merret edhe me aktivitete menaxhuese, është drejtor i Shoqatës së artistëve “Artistët për artistët” në Tetovë.
Edhe pse në moshë i ri, skulptori, Fatlon Ibishi ka një bagazh të begatë të punimeve të veta artistiko – skulpturale. Deri më tani ka tri ekspozita personale (individuale) të punimeve dhe një numër të konsiderueshëm të atyre kolektive, brenda dhe jashtë vendit.
Çka është e veçantë dhe me vlerë, skulptori Ibishi në vizionin dhe epshet e veta të brendshme të botës artistike, rëndësi të posaçme iu kushton figurave të shquara dhe të ndritura ndër shekuj të identitetit tonë kombëtar, duke krijuar gjurmë të pashlyera historike për të ardhmen, përmes punimeve të veta, padyshim me peshë dhe vlerë të lartë.
Në veprimtarinë e vet të kohëpaskohshme artistike, skulptori Fatlon Ibishi ka punuar figurën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, e cila siç pritet do të realizohet në Tuz, bustin e trimit dhe komandantit legjendar shqiptar Adem Jashari, të cilin para pak muajsh ia dorëzoi dhuratë Lulzim Jasharit, djali të Adem Jasharit, si dhe bustin e Mehmet Riza Avni Rrustemit. Po ashtu skulptori Ibishi me përkushtim të denjë i punoi edhe shtatoret e: Oso Kukës, Mic Sokolit, Mark Lulaj Shalës, Tringë Smajlajt, Marko Boçarit, etj. , figura këto edhe pse nuk i përkujtojmë shpesh, artisti Ibishi i ka vendosur në piedestalin më të lartë të ateliesë së vet, siç thotë ai.
Për talentin e tij vërtetë të lartë, dëshmon dhe vërteton suksesi i tij që nga studimet në vitin 2018, kur i dorëzohet mirënjohja për student të vitit të Akademisë së Arteve.
Edhe Komuna e Tetovës ku ai jeton dhe krijon, veprimtarinë artistike të tij e ka vlerësuar me mirënjohje.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat