Projekt që do të ndikojë në zhvillimin socio-ekonomik të dy vendeve

Qëllimi kryesor i projektit është ngritja e kapacitetit dhe krijimi i mundësive ekonomike të të rinjve që jetojnë në rajonin ndërkufitar, duke kontribuar në rritjen e konkurrencës së të rinjve në tregun e punës – lokal dhe atë rajonal

Ulqin – Organizata Joqeveritare “Horizonti i Ri” dhe World Vision Albania, në bashkëpunim me shkollat e mesme “Vëllazërim-Bashkim” nga Ulqini dhe “Hamdi Bushati” nga Shkodra kanë filluar realizimin e projektit “Rrugët e zhvillimit të karrierës – Përgatitja e të rinjve nga Shqipëria dhe Mali i Zi për mundësi karriere në sektorin e turizmit”.
Inaugurimi i këtij projekti, i cili financohet nga Bashkimi Evropian në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar Mali i Zi – Shqipëri IPA II, u bë të mërkurën e kaluar në mjediset e Bibliotekës së Qytetit në Ulqin.
Koordinatori i OJQ “Horizonti i Ri”, Nazif Veliqi, ka thënë se ky projekt shënon një hap të rëndësishëm për këtë shoqatë pasi ka njëzet vite që ata merren me edukimin joformal të të rinjve.
“Tani kemi mundësi që ta zgjerojmë këtë dhe të rinjve t’u ofrojmë programe edhe më të reja, t’i trajnojmë të vetëpërgatiten për tregun e punës, sidomos në sektorin e turizmit, i cili është dega kryesore jo vetëm për qytetin tonë, por për të gjithë rajonin ndërkufitar”, ka thënë ai në ceremoninë e prezantimit të projektit.
Drejtoresha operacionale në World Vision Albania, Artina Morava, ka theksuar se zgjerimi i njohurive dhe i kapaciteteve të të rinjve, aq më tepër rritja e njohurive të tyre për fushën e turizmit është shumë i rëndësishëm jo vetëm për të rinjtë, por edhe për shoqërinë në tërësi dhe për ne.
“Shpresojmë që ky projekt do të ndikojë në zhvillimin socio-ekonomik të dy vendeve”, ka thënë ajo.
Morava ka treguar se puna me të rinjtë përbën një nga aspektet më të rëndësishme të punës së kësaj organizate dhe se gjatë vitit 2020 kanë punuar me 109 grupe të fokusit të të rinjve, që kanë përfshirë 2100 adoleshentë në Shqipëri dhe Kosovë.
Ajo ka thënë se këtë përvojë do ta përcjellin edhe në Ulqin “duke i pajisur të rinjtë me aftësi nga jeta, duke i ndihmuar që të jenë qytetarë aktivë për të marrë nisma që përmirësojnë jetesën e vendit ku jetojnë, të jenë modele për bashkëmoshatarët e tyre dhe brezat e ardhshëm, dhe në të njëjtën kohë të krijojnë mundësi punësimi për veten e vet”.
Për qëllimet, aktivitetet kryesore që do të realizohen dhe rezultatet e pritura nga projekti kanë folur Allmedina Doda dhe Hava Kroma.
“Qëllimi kryesor i projektit është ngritja e kapacitetit dhe krijimi i mundësive ekonomike të të rinjve që jetojnë në rajonin ndërkufitar, duke kontribuar kështu në rritjen e konkurrencës së të rinjve në tregun e punës – lokal dhe atë rajonal”, kanë thënë ato.
Ndërsa rezultatet e pritshme të projektit janë që të rinjtë të pajisen me aftësi për tregun e punës, të eksplorojnë projekte apo ide të reja biznesi, që përputhen me kërkesat e tregut të punës, dhe shkëmbimi i praktikave të mira dhe mundësia e bashkëpunimit ndërkufitar të të rinjve.
Në këtë kuadër është planifikuar që 100 të rinj nga Ulqini dhe Shkodra, 50 nxënës nga Shkolla e Mesme “Vëllazërim-Bashkim” – Ulqin dhe 50 nxënës nga Shkolla e Mesme Profesionale “Hamdi Bushati”, “do të mësojnë të hulumtojnë tregun, të eksplorojnë ide të reja biznesi që janë në përputhje me kërkesat e tregut, të trajnohen për shkrim projektesh, ndërsa 10 idetë e tyre më të mira do të mbështeten financiarisht”.
Sipas tyre, element i rëndësishëm i këtij projekti do të jetë përfshirja aktive e punëdhënësve në kryerjen e punës praktike të të rinjve, kështu që të rinjtë do të kenë mundësi të mësojnë përmes punës praktike atë çfarë kanë mësuar nëpërmjet trajnimeve.
Nxënëset e vitit të dytë të Shkollës së Mesme në Ulqin, Arisa Dervishi dhe Diandra Koçan, kanë treguar arsyet e pjesëmarrjes dhe pritshmëritë e tyre nga ky projekt.
“Projektet kanë një rëndësi të veçantë në formimin e personalitetit tonë, na motivojnë dhe e rrisin vetëdijen sa i përket shoqërisë, kulturës dhe temave të ndryshme të jetës sonë të përditshme. Ky projekt ka të veçantë vetë përmbajtjen dhe qëllimin që synon të arrijë. Në shkolla mbushemi me mësime në mënyrë teorike. Pikërisht ajo që synon ky projekt është që nxënësit e shkollave profesionale të Ulqinit dhe të Shkodrës të mësojnë t’i zbatojnë ato mësimet, ligjëratat në punën e tyre të përditshme”, ka thënë Dervishi.
Nxënësja tjetër, Diandra Koçan, e ka krahasuar këtë projekt me një anije.
“Ne e dimë që anijet udhëtojnë, lundrojnë, nga porti në port, nga destinacioni në destinacion. Pikërisht ky projekt është një anije në lundrim. Ai ka drejtuesit e tij, ka udhëtarët e këta janë të rinjtë, me ide të mëdha, me kapacitete të mëdha, por me nxitje të vogël fatkeqësisht”, ka thënë ajo, duke shtuar se të rinjve të Ulqinit nuk u ofrohen shpesh raste të këtilla, prandaj është e kënaqur që është pjesë e këtij projekti.
Për rëndësinë e projekteve të tilla në edukimin e të rinjve, zhvillimin e komunitetit lokal dhe rajonit ndërkufitar në përgjithësi kanë folur disa prej përfaqësuesve të pushtetit dhe institucioneve lokale të pranishëm në takim – nënkryetarja e Komunës së Ulqinit, Hadixhe Gjoni, drejtori i Organizatës Turistike të Ulqinit, Gzim Hajdinaga, shefja e Zyrës së Punës – Ulqin, Shqiponja Gjeka, sekretari i Shkollës së Mesme “Vëllazërim-Bashkim”, Muzafer Gjoni, dhe udhëheqësja e Bibliotekës së Ulqinit, Ardita Rama, kurse përmes platformës online Jelena Vujadinoviq nga Drejtoria për Financimin dhe Kontraktimin e Mjeteve të Ndihmës së BE-së pranë Ministrisë së Financave dhe Përkujdesjes Sociale të Malit të Zi, Miliana Daboviq nga Qendra për Arsimim Profesional dhe Uesli, nxënës i Shkollës së Mesme Profesionale “Hamdi Bushati” – Shkodër. Po ashtu, përmes platformës online për rëndësinë e programeve të ndihmës së Bashkimit Evropian në Mal të Zi ka folur Irena Boshkoviq, shefe e Departamentit për Programet me Vendet Joanëtare të BE-së në Zyrën për Integrime Evropiane në Qeverinë e Malit të Zi.
Projekti “Rrugët e zhvillimit të karrierës – Përgatitja e të rinjve nga Shqipëria dhe Mali i Zi për mundësi karriere në sektorin e turizmit” ka filluar zyrtarisht zbatimin më 1 dhjetor të vitit të kaluar dhe do të zgjasë 22 muaj.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat