Profesor i përkushtuar dhe veprimtar atdhetar

Hajrullah Koliqi

Me hidhërim të thellë mora lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të prof. Muharrem Hardollit, të këtij veprimtari, autori veprash dhe punëtori të zellshëm të arsimit në Krajë, të bashkëvendësit, bashkëmendimtarit, shokut e miku tim të mirë e të paharrueshëm.
Muharrem Hardolli lindi në vitin 1951, në Hardoj të Ostrosit të Vogël, të njohur për tradita atdhetare e njerëzore, jo vetëm në Krajë, por edhe në Shkodër, Stamboll e gjetkë. Shkollën fillore e kreu në Ostros, gjimnazin në Ulqin, ndërsa studimet për histori i bëri në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku diplomoi në vitin 1977. Karrierën arsimore e filloi në Novobërdë të Kosovës, për të vijuar si profesor i historisë në shkollën fillore tetëvjeçare në Ostros, ku filloi të punojë në fillim të vitit 1975, qysh si student i vitit të katërt dhe vazhdoi deri në vitin shkollor 2000/01. Muharremi ishte mësimdhënësi i parë i historisë me kualifikim universitar në këtë shkollë. Veç historisë, ai mbajti mësim edhe nga lëndë të tjera (edukim fizik, matematikë etj.). Gjatë karrierës së tij në arsim, ai u shqua si punëtor i zellshëm dhe mësimdhënës i dashur e kërkues ndaj nxënësve dhe bashkëpunëtor i dashur me kolegët e tij. Të gjithë e thërrisnin “Profesor”.
Profesor Muharremi ishte edhe një veprimtar atdhetar i vendosur, konsekuent. E deshi shumë Krajën e tij dhe shqiptarinë në përgjithësi. Ndër të tjera, ai ishte anëtar i klubit të studentëve të Krajës “Shqiponjat”. Personalisht, u angazhua për gdhendjen e bustit të Skënderbeut nga skulptori Skënder Kraja në Shkodër dhe për sjelljen e tij në Krajë, ilegalisht nëpërmjet Liqenit të Shkodrës. Ai ishte kryetar i Këshillit për përurimin e këtij busti në vitin 2001, në oborrin e shkollës fillore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Ostros (Bishtigvozd). Gjithashtu, ai ishte kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike në Mal të Zi në Krajë, në dy mandate (1990-1998), ku zhvilloi një veprimtari të gjerë e të guximshme politike, sidomos kundër përpjekjeve të Kishës Ortodokse Serbe për serbizimin e gërmadhave të objekteve të kultit në Liqenin e Shkodrës, të Kishës së Krajës dhe të Rumisë. Nga viti 1998-2001 ishte kryetar i Bashkësisë Vendore në Ostros.
Për shkaqe ekonomike edhe politike, prof. Muharremi zemërthyer, si shumë bashkëvendës të tij, në vitin 2001, u detyrua ta braktisë Krajën e dashur dhe të emigrojë në SHBA (Nju Jork). Edhe atje në dhe të huaj ai vazhdoi veprimtarinë e tij atdhetare. Ndër të tjera, ishte nënkryetar i asociacionit të shqiptarëve nga Mali i Zi me banim në Amerikë, “Atdheu na bashkon”, punoi në Qendrën Islame Shqiptaro-Amerikane në Quenns të Nju Jorkut etj. Ai vërtetë emigroi në SHBA, por kurrë nuk e harroi vendlindjen e tij, as nuk u shkëput nga ajo. Veç vizitave të shumta që bëri në vendlindje, pothuaj çdo vit, ai u mor edhe me studimin, hartimin dhe publikimin e veprave (librave, broshurave), kryesisht për Krajën e krajanët, të cilët i deshi aq shumë, siç janë: “Vëllezërit martirë, Abdyl e Xhelal Hardolli”, “Fisi Hardolli ndër shekuj”, “Mori Kraja nën Rumi”, “Kranjanët në Amerikë” (2006), “Shkolla shqipe në Krajë” (2008), “Historianët që kanë shkruar për shqiptarët në Mal të Zi.” Kështu, ai punoi shumë për vendlindjen e tij dhe e bëri të pavdekshëm emrin e tij.
Në respekt të amanetit të tij prej atdhetari, prof. Muharremi u varros në Krajën e Shkodrës nën Rumi, aty në vendprehjen shekullore të Hardojve, i përcjellë me shumë dhimbje, por edhe me krenari për veprën dhe personalitetin e tij, nga familjarët e pikëlluar, të afërmit e shumë miq, shokë e dashamirës të tij, jo vetëm nga Kraja, por edhe nga trevat e tjera shqiptare në Mal të Zi, nga Shkodra etj.
I paharrueshëm qoftë kujtimi yt, o Muharrem Hardolli! Do të na mungosh shumë. U pjekshim në amshim!

Të fundit

më të lexuarat