
Pranvera buzëqeshi më herët se viteve të tjera. Dielli puthi brigjet e Barbanës. Në mesin e marsit, të thatit iu vërsul fushave, shkrepi thatësia. U peshkua çifti i parë i kublës para stinës së pranverës, para Nevryzit.
“Dikur i dërgohej pashait të Shkodrës. Ai e shijonte çiftin e parë, lejonte peshkimin, hapte sezonin e peshkut”, tregonte xha Murati.
Goja i nxirrte lëng për kublën. Ajo lajmëronte pranverën dhe i thoshte lamtumirë urisë. I gjithë katundi kundërmonte erë kublash. Peshkatarët me lundrat e tyre çanin Bunën dhe duke peshkuar me rrjeta vijaç në Bunë zinin kublat e para, i ndanin falas çiftet e para. Dhe kështu niste sezoni dhe dhurimi sillte fat.
Edhe xha Murati i gëzohej stinës – kulloste kaun për lavër, bënte plane për të gjetur kaun tjetër për ta vënë në parmendë, bënte bilbila nga shelgu, u frynte, më mësonte edhe mua. Rrinte në mendime ngaqë kishte kohë të gjatë që kishte përcjellë djalin në ushtri. I mungonte për të shkuar në peshkim, po ashtu edhe taroçi për ta hedhur në lavër me kaun e tij. Priste të marrë tokë përgjysmë.
Xha Muratit i erdhi djali nga ushtria. U gëzua pa masë, por i biri i tha: “Mos m’u afro, jam i sëmurë, më lëshuan nga ushtria. Vetëm Zoti mund të më ndihmojë dhe shpëtojë”.
E shoqja ishte zverdhur si limon, ishte e gëzuar. Preu gjelin e vetëm për djalin. Era e lëngut kundërmoi në dhomën time. Unë s’kuptoja ç’është sëmundja. Dhe s’pati burrë që të më largojë nga djali i axhës. Ai përpiqej të më largojë, por unë nuk ndahesha nga ushtari.
Filluan vizitat, por të gjithë rrinin larg tij. E ëma qante në heshtje, axha ishte i shkatërruar. Kjo pranverë ishte vonuar për të, asgjë s’po i shkonte mirë, u vonua për peshkim, por s’e gjeti as taroçin e ri për lavër.
Djali i tha: Kam një shpresë. Mjeku ushtarak më tha se mund të më shpëtojë prifti. Ai e ka ilaçin, e merr nga Vatikani. Më ka shkruar një fletë me sqarime për priftin.
Xha Murati u gëzua si fëmijë. Gjyshja shpërtheu nga kënaqësia.
“Do të shesim kaun, do ta blejmë ilaçin. Do të shkosh të bisedosh me priftin. Edhe unazat e dorës do t’i shes për djalë. Unë do t’i bëj ushqimet më të mira. Djali i dëshirit, që na lindi pas pesëmbëdhjetë vjet martese duhet shpëtuar”.
Të nesërmen, posa lindi dielli, xha Murati hipi në lundër. Bashi i saj çau ujërat e Barbanës, rrjedha e saj pas gjysmë ore e çoi në va të Shën Gjergjit. Sapo ranë edhe kambanat e kishës. E lidhi kundrën dhe shpejt mbërriti në kishë. Motra ia hapi derën.
- Urdhëro, – i tha qetë. – Kërkoni priftin?
- Po, dua të bisedoj me të. Kam një hall të madh.
Pa mbaruar fjalën, prifti i dëshiroi mirëseardhje. Murati dridhej dhe mezi i hapej goja dhe s’dinte ta nisë bisedën për të rrëfyer. - Ç’e mirë të solli tek unë? Prej kah je?
Dikur nisi. - Zotëri, kam hall të madh. Djalin ma kthyen të sëmurë nga ushtria. Ma fali i madhi Zot pas pesëmbëdhjete vjetësh martese. Një doktor ia ka dhënë një letër të vogël, i ka thënë me gojë se mund të ndihmojë vetëm prifti nëse je besimtar i mirë. Jam nga Lisna. Po unë atje s’kam besimtarë, as të krishterë. Unë erdha te ti zotëri.
Prifti hapi letrën i befasuar, lexoi ngadalë diagnozën. - Ka tuberkuloz, i duhen së paku 5 injeksione.
- Zotëri, më ndihmo.
Lotët i rrëshqitën ngadalë. - Me çka merrej?
- Me peshkim në Bunë dhe me bujqësi. Kam një ka, marr toka përgjysmë me qira. Të parët e mi zbritën nga mali në fushë çipçinj. S’kemi tokë. Një ka e kam për lavër. Marr zakonisht taroç dhe e mësoj, bëhet i mirë vitin e ardhshëm. Mbaj pak pula dhe pata. Kështu jetoj si gjithë të tjerët.
Prifti e dëgjoi me kureshtje. Fërkonte ballin, skuqej. Ishte zënë pisk. - I the kujt se do të vish tek unë?
- Jo, – u përgjigj Murati.
- Mirë, – i tha ai. – Bjere djalin nesër, në këtë kohë.
Muratit i shpërthyen lotët nga gëzimi. - Të ruajt Zoti!
E përcolli motra deri në oborr. Ai, i zënë ngushtë, harroi ta falënderojë. Doli nga oborri. Hipi menjëherë në lundër, i erdhi një forcë e pabesuar dhe bashi çante rrjedhën e Bunës. Sa mbërriti në shtëpi, djali u gëzua si fëmijë, kurse e ëma qau. - Të ruajt Zoti, o prift.
Filloi të përgatisë ca gjëra për priftin. Nesër djali i saj do të takohej me të. Ai do të jetë në dorë të priftit. Gjilpërat e tij jepnin shpresë. “Më së paku pesë”, i kishte thënë. Të gjithë ishin të lumtur. Në dhomë kishte gëzim dhe shpresë. Dhe nata kaloi shpejt. Djali nuk u kollit shumë.
Në mëngjes, e ëma i fërgoi vezët dhe djali e piu me oreks qumështin. Posa dielli u ngrit një pash në qiell, i ati në kiç rremonte, ndërsa djali në bash. Peshkatarët në Bunë me rrjeta zinin kubla. I dhuruan 3 çifte. Ai i falënderoi. - Çiftin më të mirë ia japim priftit, – tha djali.
Posa doli në breg, Murati i lidhi me xhunkth dy kublat më të mëdha. Ato i mbajti djali në dorë. Prifti e këqyrte ushtarin me dashamirësi. - Ke fat. Je i mrekullueshëm. Doktorin e kam nip. Të lavdëron shumë.
- Pse s’i ruajte kublat?! – tha qetë. – Për djalin janë ushqim i mirë, posaçërisht nëse i zien.
- Kam edhe një çift në lundër. Jeta ime me kubla më shkoi, me pak bujqësi.
Djali i uli pantallonat para se të shtrihej në divan. - Të dhembi?!
- Jo, zotëri. Të lumshin duart!
- T’u bëftë shëndet.
Prifti i bëri injeksionin. - Pi edhe çaj mali. Askujt, asnjë fjalë. Ke ardhur tek unë, më ke sjellë një letër nga Kroacia. Njerëzit në kufi janë në hall, kufiri ka gojë dhe sy. Do të shërohesh. Ke shpresë. Këto injeksione më erdhën para një jave nga Vatikani.
Ushtari, djalë i ri, gati nuk qau nga gëzimi, ndërsa i ati gëzohej, ishte njeriu më i lumtur në botë. - Ky do të ma shpëtojë djalin! Ky dhe Zoti!
I përulej priftit, i cili ishte i lumtur sepse po ndihmonte një fukara, djalin e bujkut dhe peshkatarit. - Nesër në të njëjtën kohë! – porositi prifti, ndërsa motra i përcolli deri te porta e kishës.
E ëma e priste djalin në dritare. Sa e pa, shtroi sofrën. Të tre u gëzuan. Djali nuk kollitej, së ëmës i qeshte nuri. Në sytë e djalit vërehej shpresa dhe lumturia.
Ditën e pestë, kur prifti kishte mbaruar punë, Murati zgjidhi qesen. - Zotëri, s’kam më shumë!
U step, u skuq. - Ti me ilaç, me gjilpëra më shpëtove djalin. Zoti të ndihmoftë! E di që të dhashë pak, se lypset më shumë, më prit deri në fillim të vjeshtës.
Priftit i ndërroi fytyra. Dikur bëri buzën në gaz. - Si e pate emrin?
- Murat, – tha ngadalë.
- Merri këto të holla, blej ushqim për djalë. Unë e bëra se më dhimbsej, për hatër të djalit tënd të ri dhe për Zotin që është i të gjithëve ne. Po dua një dhuratë nga ti.
Murati hapi sytë se çfarë kërkon ky shpëtimtar. - Kur të dalësh këndej në peshkim, dua të më sjellësh një patan dhe një patë.
- Zotëri, me gjithë zemër! Kam pata e patana. Të bij sa të duash.
- Vetëm një patë e patan, – murmuriste prifti.
Ditën e Pashkës së asaj pranvere, që ishte me diell dhe mot të mirë, babë e djalë erdhën te prifti dhe i uruan festën. I sollën dhuratë një strajcë me misër. Ai u gëzua shumë. Motra u solli vezë të festës. Prifti iu uroi shëndet, sidomos ushtarit, i cili kishte filluar ta marrë veten. Thonë se kohën e lirë prifti e kalonte në Bunë, kujdesej shumë për patën e patanin.