Prenkë Jakova – Kujtimi për Ulqinin, Katërkollën dhe Ostrosin

Luljeta Avdiu – Cura

Në vitin 2012 në oborrin e shkollës së vjetër në Katërkollë, mbajtëm një takim me nxënës dhe me profesorin e ndjerë Gëzim Uruçin. Qëllimi takimit ishte që profesori në fjalë nxënësve t’u flasë për shënimet në ditarin e kompozitorit Prenkë Jakova. Në ditarin e tij personal ka shkruar për vizitën që i bëri Ulqinit në fillim të pranverës së vitit 1930, ndërsa në vitin shkollor 1941/42, kur Italia i çliroi këto troje, kompozitori Prenkë Jakova kthehet në këto troje si mësues.
Profesor Gëzim Uruçi pas rënies së komunizmit në Shqipëri dhe me hapjen e kufinjve, pati tentuar ta vizitojë shkollën e vjetër ku ka punuar Prenkë Jakova, por pa sukses. Ëndrra e tij u bë realitet në prill të vitit 2012 në një mjedis të ngrohtë me nxënësit e Shkollës Fillore “Bedri Elezaga”- Katërkollë.
Materiali nga ditari i Prenkë Jakovës, më është dorëzuar në vitin 2012 nga profesor Gëzim Uruçi. Ditari është i shkruar në dialektin gegnisht dhe të kënaq shpirtin në çdo aspekt.

Kujtime per Ulqinin
“Ishte fillimi prendverës, të vitit 1930. Nisja për në Ulqin, për mue ishte diçka, tepër e papritur dhe emocionuese, pasi kisha dëgjuar shumë për këtë qytet, plot histori e legjenda nga ma të ndryshmet.Tanë natën nuk më zuni gjumi e sillesha në dyshek, si dashi n’hell, tuj fantazue e tuj e imagjinue, se si ka me na u duk, Ulqini, n’at ditë të bukur të majit. Të nesërmen, prej tek Kisha e Madhe e deri tek Ura e Bunës e bame pothuajse me vrap me shokët e mi të Shkollës “ILLYRICUM”, saqë At Martin Gjoka dhe disa të tjerë, na e tërhiqnin vëmendjen, per me ecë, ma ngadalë. Por unë edhe pse isha, ma i ngathti, entuziazmi i shokëve teë mi, më merrte me vehte.
Ne orën 05.00 te sabahit, kur po rralloheshin ki-ki-teë, e gjelave, na me klasen, të prim prej mësuesve tonë, kishim mbrri, tek Gjymryku i Moles, ku kishte tri a kater barka, të mdhaja Ulqinake, e nja kateërdheteë, lundra te vogla, prej Krajet, Shestanit, Zog’jet, Shiroket e ku po di une…… Maje do dengave, me lekura, që i vinte era, ma e keqe se tharkut te thive, po flenin disa djem e burra, prej malsijet, qi për nga veshja ishin prej Dukagjinit, që ne, në Shkodër ju thojmeë, hamaj e do barrtar. Tallalli i Bashkisë, ishte ulë te Mullini i Zjermit dhe me nje bedel, te Gjymrykut po piqshin nga nji kafe me do krande, që po ja mblidhte bedeli. Ne tanëve, na u dukte, si nji gja rromantike, tuj pi kafe në rruge te madhe. Në kët kohë, kapidani i barkës ulqinake, “SCANDERBEG”, Musa Beg Diçi, na bani za, qi dalngadalë, të afroheshim, tek mola, në krahun e majtë, të Urës së Bunës, se e kishte lanë barken, pa u futë në Urë, se aq heret, nuk kishte hamaj, për me na e hapë. At’here nji nga nji, tuj ba kryq e tuj ju lut zotit, filluem me hyp, në barken, me tanë ato vela e konope e do rraqe të tjera, si me kënë, barka e Kristofor Kolombit. Kapidani Ulqinak, ishte një burrë i fortë e trupmadh, me do sy blu, ma blu se qilli n’ prendverë.
Me t’hypun në barken ulqinake. Kapidan Musaja, mori në dorë, nje bori e tipit (plicorno), të vjetër, qysh në kohën e turkut dhe pasi e vuni në buzët e tija, filloj që ti binte, me nje teknikë shumë të lartë. Ky ishte sinjali, që ai u jepte udhëtarëve, për ne Ulqin e Tivare, se Barka “Scanderbeg”, ishte gadi, për udhëtim. At Martini e kishte mik të vjetër dhe na tha, se kapidani, në kohë te turkut, kishte qenë borizant edhe ne fanfaren e Flotës Detare të Tripolit. Edhe sot, që po i shkruej, këto pak rrjeshta, më duket se e kam parasyshe, burizantin Musa. Në këtë kohë, erdhen edhe dy gra të reja ulqinake, të shoqëruara nga një djalë, nja 20 vjeçar, të cilët hypen, me shpejtësi, ne kuverten e barkës. Nje muço i quajtun Ali, zezak, filloj të çonte sperancen, tuj sjell një çikrik, ne kiçin e barkës. Tash ma motorri ishte ndez, e manovrat po e drejtonin barkën, drejtë, ishullit të Dajlanit. Udhëtimi nëpër lumin e Buenes, që i mrekullueshem. Shpesh, At Martini, na i ilustronte me shpjegimet e tregimet e tija, të mrekullueshme, prej historjanit e gjeografit, të sprovuem, gja të cillën, mbas muzikës e kishte gjanë, ma të dashtun. Sapo kishim mbrritë, në dalje të Buenes, Kapidani Ulqinak, na thirri, që ta ndihmonim, muçon Ali, për të çue velat e barkës, e ne tanë kujdes, filluam, që te kapim konopet e trashë, të velave, të lyem, me dyll e voj peshkut, për mos me u kalb.
Në këtë kohë, At Martini, kishte hyp, mbi kashu te kapidanit e na pyeti, tanë seriozitet.- A e dini pse, jena nisë sot, për në Ulqin, me këtë Barkë e jo, me ndoj tjetër? Heshtje….! Ndigjohej vetëm era qi perplasej, lehtë ne velat e barkës misterioze, si me kënë barka e Piratit Ulqinak, Ali Haxhisë.
Askush nuk bani përseri za. Ati mu drejtue mue.- Hë more Prek vocrraku, a po e din ndopak? Unë mbeta, si i habitun, ashtu si mocatarët e mij, e aj tanë solemnitet, na tha. Se kjo barkë mbanë, emrin e herojt tonë kombetar Scanderbegut, e qi ju, kur ta kujtoni, këtë vozitje, të kujtoni edhe Gjergj Kastriotin, Skanderbegun tonë legjendere. Në keto biseda e tregime, të improvizueme prej tij, kishim arritur, në afërsi, të Molit të vogël, të Ulqinit, që per ne, ishte një andërr, qi sot po bahej, një realitet dhe po na e shtonte dashninë, për këtë vend të lirisë tonë, vendin e kapidanave trima.
Mundem me thanë, se në Ulqin, filluen me më ardhe, frymzimet e para, për historine e Skanderbegun, e shumë kujtime, të tjera. Pritja që na u ba nga Ulqinakët, qe e mrekullueshme. Shumë fëmij e të rritun, na shoqnuen, për në Kalanë e Ulqinit, tuj na mbajt, për doret, si me kënë vllaznit tonë. Në jetën time, nuk kisha, pa njerz ma paqesorë e të dashtun.
E kështu sëbashku,dolme në maje, të Kalasë, prej ku, deti e malet e Tiranës e deri Kalaja e Lezhit e malet e Shkodrës, Fusha e Zadrimes, na dukeshin, si ne pllamë të dorës…… Këtë ditë, të paharrueme, nuk mundena me e hjek, prej kujtimeve, ma të bukura, të jetes tonë. Në Shkodër u kthyem, tuj falenderue Zotin e tuj bekue, me fjalët ma të shenjta edhe At Martin Gjokën, Gjeografin e Historianin e levduem, që na organizoj, këtë piknik, të bekuem, në Ulqinin tonë të lirisë. Por falenderim patem edhe per Kapidanin e Scanderbegut, Musa Diçin, etj.

Nga Katerkolli në Ostros
E kam kujtue, këtë udhëtim shpesh, e nuk ma merrte mendja, se ndonjë ditë me punue, në kto vise, të bekueme, të Shqipnisë. E rasti e solli qi për do kohë, me kën edhe unë mësues, ndër disa vende, të Anës së Malit e në Krajë.

Ishte korriku i vitit 1942
Një ditë, tek po lexojshe diçka, në revistën, HYLLI DRITËS, në odën e vogël, u fut Nana Rozë, me duert e saja tanë shkum sapunit e tane preokopim, e më thot, se ka ardhë një mik i shtëpis tonë, Jaho Domnori, që ishte Drejtor i shkollës fillore të Ulqinit. Unë tuj e njoftë mirë Jahon, lash librin e dola, me një herë, në oborrin tonë, të vogël, ku Nana Rozë e kishte vendue, në nji karrike thuprash. Pasi u falme, me njëri tjetrin, ai më propozoj, që të shkojshe, si mësues, në katundin e Katërkollit, në Anë të Malit, se në atë zonë, kishte marrë edhe mësues, të tjerë prej Shkodret, si Viktor Kiçin, Prenkë Shirokën, Shuk Shllakun, Ramadan Millen, Zef Berishen e shumë të tjere. Unë si me marifet ja hodha fjalën, për me më marrë, në Ulqin, e aj, plot dëshirë, më premtoj, se do ta rrealizonte, këtë dëshirë timen, por në të ardhemen. Meqë të gjithë mësuesit, që më përmendi Zotni Jahoja i njifshe mirë, pranova, pa ma të voglin hezitim. Nana tuj i pru nji kafe tarnake, e tuj fluturue prej gëzimit e falënderonte, Zotni Jahon, për interesimin e tij. Ajo ju lut edhe për vellaun tim, Çeskun, për me i gjetë një vend edhe atij, se i pëlqente natyra dhe puna si mësues.
Në Katerkollë, gjeta vetëm 62 nxanës, të mrekullueshëm e të bindun, e jo si ato të Bërdicës, që edhe në Kishë, nuk rrinin rehat, e nuk e lejshin priftin, me çue mesh. Këtu në Katerkollë punova shumë mirë me Viktor Kiçin e Prenkë Shirokën. Shkolla e Katerkollit, ma përpara ka qenë, në katundin Selitë, në ndërtesen e Mejtepit, e ma vonë, u ba kjo e reja, në vitin 1924. Këtu thuhet se këto shkolla, të reja u hapen, me inisiativen e Lanush Nuzit ‘Perajve të Shasit e të Tahir Ramajt t’Çapriqeve, ish Kryetar Komunje e të Rexhep Ahmetit të Gjonajve te Selitës, që i dha tokë, për shkollën e Selitës.
(vazhdon)

Të fundit

më të lexuarat