Ulqin – Organizata Joqeveritare “Horizonti i Ri” organizoi të mërkurën (12 tetor 2022) në Hotelin “Nobel” diskutimin publik me temë “Proceset reformuese në administratën lokale”, ku morën pjesë përfaqësues të pushtetit vendor dhe të organizatave joqeveritare që veprojnë në Komunën e Ulqinit.
Koordinatori i OJQ “Horizonti i Ri”, Nazif Veliqi, ka thënë se e kanë parë të udhës që të organizojnë një takim të tillë si rezultat i nevojës që sektori joqeveritar, shoqëria civile, por edhe publiku i gjerë të informohet për ndryshimet që pushteti i ka ndërmarrë, për proceset e brendshme reformuese në administratën vendore, por edhe për raportin e përgjithshëm që pushteti vendor ndërton ndaj shoqërisë civile.
Ai ka thënë se duke qenë se ka kaluar një kohë e gjatë që përfaqësuesit e organizatave joqeveritare nuk janë takuar ballë për ballë me përfaqësuesit e pushtetit vendor në Ulqin, këtë takim e kanë konceptuar si bashkëbisedim për të gjitha temat duke qenë se kanë ndryshuar shumë gjëra, janë formuar organe të reja, OJQ-të nuk janë më në kompetencë të sekretariatit ku kanë qenë tradicionalisht, por të një sekretariati të ri që është formuar tani.
“Na intereson të dimë se kush është personi kontaktues për OJQ-të, cilat janë hapat që ndërmerren, cilat janë veprimet që janë ndërmarrë gjatë kësaj periudhe, si do të përfundojë ky vit fiskal – me një thirrje publike apo pa shpërndarje të mjeteve dhe shumë çështje të tjera që sot i kemi konceptuar”, ka theksuar Veliqi.
Ai ka thënë se takimi bazohet mbi Strategjinë e reformës së administratës publike për vitet 2022-2026 që ka sjellë Qeveria e Malit të Zi, e cila përfshin si administratën qendrore ashtu edhe administratën lokale.
“Pra, Qeveria e Malit të Zi ka hartuar një dokument i cili në thelb të tij ka transformimin, modernizimin, optimizimin dhe bërjen sa më efikase të administratës publike në shërbim të qytetarit dhe në shërbim të sektorit të biznesit apo të klientëve të tjerë. Neve na intereson se çfarë hapash po ndërmerr administrata vendore e Ulqinit në bërjen sa më efikase, sa më funksionale, sa më të qasshme të shërbimeve për qytetarët? Cilat janë kanalet, metodat, të cilat po ndërmerren në këtë aspekt?”, ka theksuar koordinatori i OJQ “Horizonti i Ri”.
Përfaqësuesit e Komunës së Ulqinit, të pranishëm në takim, kanë premtuar se qeverisja e re do të ketë një qasje tjetër, më bashkëpunuese ndaj sektorit civil.
Nënkryetari i Komunës së Ulqinit, Beqir Sella, ka vlerësuar rolin dhe rëndësinë e organizatave joqeveritare në promovimin e politikave lokale dhe kombëtare.
Ai ka thënë se puna e organizatave joqeveritare, por edhe e çdo qytetari duhet të shpërblehet.
Sella ka theksuar se Komuna e Ulqinit planifikon që në buxhetin për vitin e ardhshëm të rrisë fondin e mbështetjes për organizatat joqeveritare.
“Sugjeroj që të gjithë së bashku të krijojmë një model të mirë bashkëpunimi që t’u shërbejë interesave të ardhshme”, ka thënë ai.
Sekretari për Buxhet dhe Financa i Komunës së Ulqinit, Arian Murati, ka treguar për ndryshimet që janë bërë në organizimin e qeverisjes vendore.
“Për sa u përket shoqatave joqeveritare, ato deri tash komunikimin e drejtpërdrejtë e kanë pasur me Sekretariatin për Administratë. Sekretariati për Administratë, me vendimin e ri të kryetarit të Komunës është ndarë në dy pjesë. Pra, kemi Sekretariatin për Administratë dhe është formuar një sekretariat i ri – Sekretariati për Kulturë, Sport dhe Rini. Kështu që në të ardhmen shoqatat joqeveritare do të jenë nën ingerencat e sekretariatit të ri”, ka thënë ai.
Duke folur për mjetet e parashikuara për organizatat joqeveritare me buxhetin e Komunës së Ulqinit viteve të kaluara, Murati ka thënë se ato kanë qenë qesharake.
Ai ka premtuar se në buxhetin e Komunës së Ulqinit për vitin 2023, mjetet financiare për projektet e organizatave joqeveritare jo vetëm që do të dyfishohen, por madje edhe të trefishohen.
“Sekretariati për Buxhet dhe Financa është duke bërë punimet fillestare për planifikimin e buxhetit për vitin 2023. Ky do të jetë planifikimi i buxhetit më transparent ndonjëherë në Komunën e Ulqinit. Të gjitha shoqatat joqeveritare do të jenë pjesëmarrëse në përpilimin e këtij buxheti. Do të insistojmë që ato buxhete që janë paraparë vitet e kaluara jo të dyfishohen, mirëpo të trefishohen me buxhetin e ardhshëm të Komunës së Ulqinit për vitin 2023”, është shprehur sekretari për Buxhet dhe Financa.
Në diskutim kanë marrë pjesë edhe disa përfaqësues të organizatave joqeveritare, të cilët kanë nënvizuar rolin dhe kontributin e shoqërisë civile në Ulqin për të mirën e përgjithshme të shoqërisë.
Ata kanë theksuar se sektori civil në Ulqin ka kapacitete të mjaftueshme për të kontribuar në të gjitha fushat, por që deri tani Komuna e Ulqinit nuk i ka shfrytëzuar ato dhe se bashkëpunimi me Komunën e Ulqinit nuk ka qenë në nivelin e duhur.
Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare u shprehën skeptikë lidhur me realizimin e konkursit të Komunës së Ulqinit për OJQ-të për vitin 2022, duke qenë se nuk është shpallur akoma.
Megjithëse sipas organizatorit kanë qenë të ftuar, në takim nuk kanë marrë pjesë kryetari i Komunës së Ulqinit, kryeadministratori i Komunës së Ulqinit dhe sekretari për Kulturë. Sport dhe Rini.
Diskutimi tematik “Proceset reformuese në administratën lokale” është organizuar në kuadër të projektit “Reforma që kuptojmë të gjithë”, të cilin “Horizonti i Ri” e realizon me mbështetjen e Ministrisë së Administratës Publike, në kuadër të thirrjes publike për financimin e projekteve të organizatave joqeveritare për vitin 2022, me titull “Së bashku përmes reformës së administratës publike”.
i. k.