Manifestimi i përbashkët tradicional treditor (28-30 shtator 2023) i Takimeve të 46-ta letrare të Plavës dhe i Kolonisë së 21-të figurative “Plavsko jezero” (“Liqeni i Plavës”), i organizuar nën moton “Vjeshta kulturore e Plavës 2023”, filloi në mbrëmjen e të enjtes së kaluar – ditën e parë të manifestimit, në sallën e madhe të qendrës për kulturë “Husein Bashiq” me programin letrar “Zogoviqi ynë” (“Naš Zogović”). Mbi krijimtarinë letrare të shkrimtarit malazez nga Murina e Komunës së Plavës, Radovan Zogoviq, kanë folur: Akademiku Zuvdija Hoxhiq dhe shkrimtari e antologu Bogiq Rakoçeviq, kurse moderatori i programit, gazetari dhe publicisti Bozhidar Proroçiq ka lexuar ca poezi të Radovan Zogoviqit. Manifestimin në fjalë solemnisht e ka hapur kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, i cili mysafirëve të pranishëm, aderueseve të performancave kulturore e artistike dhe qytetarëve prezent, me fjalë: “Fjala është ajo e cila ka krijuar letërsinë, kulturën, shekujt, hapësirat dhe urat lidhëse në mes të popujve. Emrat e famshëm të letërsisë nga Plava, të cilët kanë shkruar ca nga faqet më të bukura të poezisë dhe prozës kanë rrjedhë nga këto hapësira. Për këtë manifestimi jonë tradicional është shtytje (nxitje) e gjeneratave të reja që të fillojnë të krijojnë, të përtërijnë e përkujtojnë paraardhësit e famshëm, Zogoviqin, Rexhepagiqin, Mekulin, Markoviqin dhe të tjerë, emrat e cilëve janë vlerë e përhershme e këtyre hapësirave, por edhe e Malit të Zi”. Duke folur mbi krijimtarinë letrare të Radovan Zogoviqit, akademiku Zuvdija Hoxhiq ka theksuar se letrari Zogoviq i takon asaj plejade të krijuesve, jeta dhe vepra e të cilëve ka shënuar në kohë, por edhe hapësirat ku kanë jetuar. Shkrimtari dhe antologu malazez, Bogiq Rakoçeviq, në vështrimin e vet kushtuar Radovan Zogoviqit ka theksuar se veprimtaria letrare e Radovan Zagoviqit paraqet pjesën e dokumenteve më të suksesshme poetike mbi shpresën e fuqishme të njeriut që t’i kundërvihet të keqes dhe të pushtojë lirinë. Dita e dytë e Takimeve të 46-ta letrare të Plavës dhe e 21-ta e Kolonisë figurative të këtij qyteti ka filluar në orët e paradrekes të ditës së premte, sipas programit të manifestimit, poetët për fëmijë, shoqëruar nga drejtuesi i veprimtarive kulturore e artistike në Qendrën për Kulturë “Husein Bashiq” prof. Alija Alo Rexhematoviq, kanë vizituar së pari Shkollën fillore “Petar Dedoviq” në Murinë me ç’rast poeteshat Sllavejka-Sllava Vojinoviq dhe Shejlla Hoi-Kajiq kanë lexuar vargje nga opusi i begatë i poezive të veta dhe me nxënës kanë zhvilluar biseda të ndërsjella mbi krijimtarinë letrare dhe janë përgjigjur në pyetjet e parashtruara te nxënësve. Takime të tilla të njëjtën ditë janë mbajtur edhe në shkollën fillore “Hajro Shahmanoviq” dhe shkollën e mesme të përzier “Beqo Bashiq”, të dyja në Plavë, në cilat po ashtu është bërë takimi i poetëve me nxënës dhe mësimdhënës, me ç’rast janë mbajtur orë letrare dhe janë zhvilluar biseda të ndërsjella dhe shkëmbyer përvoja e mendime nga aspekti i krijimtarisë letrare. Pas leximit të poezive të veta, poetët për fëmijë Sllavojka-Sllava Vojinoviq, Shejlla Hoti-Kajiq dhe Bozhidar Proroçiq, në mënyrë koncize e konstruktive, janë përgjigjur në pyetjet e parashtruara nga nxënësit e pranishëm. Në orët e vonshme të pasdrekes së ditës së dytë të manifestimit, poeti vendlindas i Plavës, doktori i mirënjohur i mjekësisë dhe multiveprimtari i kulturës, muzikës dhe artit pamor, Senadin Pupoviq, përmes tingujve të kitarës në ambientin e hollit të Qendrës për kulturë, ka performuar dhe reflektuar aftësitë e veta krijuese poetike duke ekzekutuar vargje nga vjershat e veta. Atë e ka shoqëruar poetja sharmante, Shejlla Hoti-Kajiq me recitimin e poezisë së vet kushtuar Plavës. Në orët e hershme të mbrëmjes të po të njëjtës ditë, në sallën e madhe të Qendrës për Kulturë është bërë përurimi i librit “Ndriçuesit në verbull” (“Svjetlovi u kovitlacu”) i autores nga Bosnja e Hercegovina – akademikes Elbisa Ustamujiq, në të cilën bëhet fjalë mbi figurën dhe veprimtarinë e begatë letrare të Husein Bashiqit, emrin e të cilit e mban Qendra për Kulturë në Plavë. Mbi veprimtarinë letrare-poetike të Husein Bashiqit, shkrimtarit dhe poetit të madh, kanë folur akademikët Elbisa Ustamujiq e Zuvdija Hoxhiq, prof. dr. Allija Piriq dhe drejtori i Allmanahut, Atvija Keroviq, derisa vjershat e Senad Gaçeviqit nga Antologjia e Husein Bashiqit i ka performuar shkëlqyeshëm grupi muzikor “O’ DIVE BELL CANTO”. Drejtori i Allmanahut, Atvija Keroviq, në fjalën e rastit ka përkujtuar se revista “Allmanah”, themelues i së cilës ka qenë Husein Bashiq, paraqet informuesin (lajmëtarin) reprezentues kulturo-historik të Boshnjakëve, ndërkaq prof. dr. Allija Piriq në elaborimin e vet ka konfirmuar se shkrimtari Husein Bashiq gjatë jetës së vet ka rrumbullakuar veprimtarinë letrare si poet, tregimtar, romancier e definitivisht si rregullues dhe koncipues i ca antologjive të krijimtarisë popullore gojore të boshnjakëve nga Sanxhaku. Si eseist guximtar dhe publicist i denjë, ka siguruar vend të rëndësishëm në historikun letrar të Mali të Zi, por edhe asaj të Bosnje e Hercegovinës. Autorja e librit, akademikja Ellbisa Ustamujiq ka theksuar se Bashiqi dhe Krllezha që moti kanë kaluar kufijtë teorik, njëri në kuadër të Monarkisë Hasburshkane e tjetri në kuadër të Perandorisë Otomane. Ndërkaq akademiku Zuvdija Hoxhiq ka bërë me dije se shkrimtari Husein Bashiq ka qenë dhe ka mbetur, jo vetëm njëri nga shkrimtar më të frytshëm e më të rëndësishëm, por edhe më energjik, të cilët kanë qenë të vetëdijshëm se jeta është një, kurse arti i përjetshëm. Dita e tretë e manifestimit në orët e pasdrekës ka filluar me hapjen e ekspozitës së pikturave të piktorëve pjesëmarrës të Kolonisë së 21-të figurative në ballinat e hollit të Qendrës për kulturë “Husein Bashiq”, pjesëmarrës të së cilës ishin piktorët e mirënjohur të artit të bukur pamor: Zharko Pllavshiq e Vuk Marseniq nga Mali i Zi, Isllam Hasiq nga Serbia dhe Mirsada Masall nga Bosnja e Hercegovina. Piktorët vendas, Hilmo Feratoviq dhe Kaltrina Hoti, për shkaqe të panjohura nuk iu përgjigjën ftesës për pjesëmarrje. Piktorët, aktivitetet e veta të punës pikturale i performuan në ambientet e lokalit të Qendrës për kulturë, sheshit të qytetit, bregut të Liqenit të Plavës, etj. Ekspozitën e pikturave të Kolonisë figurative në fjalë e shpalli të hapur drejtori i Institucionit publik Qendra për kulturë “Husein Bashiq”, Vlladimir Vllado Knezheviq. Në orët e hershme të mbrëmjes së ditës së tretë vazhdoi programi i manifestimit me përurimin e librit me titull “Lumi ynë” (“Naša rijeka”) i autorit Esad Koçan, mbi të cilin në mënyrë analitike, koncize dhe konstruktive folën: prof. Senada Gjesheviq, teologu islam prof. Xhemo Rexhematoviq dhe prof. dr. Millan Popoviq. Por padyshim, tema qendrore dhe primare e programit të Takimeve të 46-ta letrare të Plavës, ka qenë prezantimi i poetëve me poezitë e veta nga opusi i gjerë dhe i begatë i krijimtarisë së tyre nga Plava, Mali i Zi dhe rajoni. Prej 21 poetëve të ftuar nga vendi dhe rajoni, ftesës i janë përgjigjur 15 sish, të cilët të pranishmëve u janë prezantuar me nga dy poezi të zgjedhura nga opusi i krijimtarisë së tyre letrare-poetike në gjuhën malazeze, shqipe boshnjake dhe serbe: nga Mali i Zi: Jellena Bozhoviq (edhe moderatore e programit të manifestimit), Sllavojka-Sllava Vojinoviq, Shejlla Hoti-Kajiq, Dijana Tiganj, Jellena Jovetiq, Senadin Pupoviq, Sasha Leshkoviq, Bozhidar Proroçiq, Sullejman Beqa Kujeviq, Tijana Radulloviq dhe Hajredin Kovaçi, nga Kosova: Prof. dr. Shyqri Galica dhe Prof. Agim Berisha, dhe nga Serbia: Gollub Jasheviq dhe Sllavica Jovanoviq. Theksojnë se poetët: Zuvdija Hoxhiq, Bogiq Rakoçeviq e Kaltrina Hoti nga Mali i Zi dhe Emina Sellinoviq nga Bonja e Hercegovina nuk iu përgjigjën ftesës për pjesëmarrje. Këtë vit në Takimet letrare të Plavës nga dy poezi të vetat në gjuhën shqipe i kanë përformuar dy poete nga Kosova: Prof. dr. Shyqri Galica dhe Prof. Agim Berisha dhe Hajredin Kovaçi nga Ulqini – Mali i Zi. Manifestimi i përbashkët tradicional – Takimet e 46-ta letrare të Plavës dhe Kolonia e 21-të figurative “Liqeni i Plavës”, të cilin në fund të programit e shpalli të mbyllur moderatorja Jellena Bozhoviq, u organizua nga Qendra për Kulturë “Husein Bashiq” e Plavës, nën patronazhin e Ministrisë për Kulturë dhe Media në mandatin teknik të Malit të Zi dhe nën mbikëqyrjen, mbështetjen e përkrahjen e Komunës së Plavës.
Shaban Hasangjekaj