Thirrje për drejtësi

Çështja e të vrarëve nuk duhet të mbetet plagë e heshtur, por të trajtohet si obligim historik, politik dhe njerëzor. Nuk mund të këtë paqe pa e ditur të vërtetën e më të dashurve! Gjatë viteve të kaluara, të gjitha përpjekjet për të sjellë para drejtësisë përgjegjësit janë palosur në mure heshtjeje, paaftësi institucionale dhe harresë të qëllimshme

Rozhajë/Pejë – Ditën e premte u bënë bashkë banorë nga Mali i Zi dhe Kosova në 26-vjetorin e dhjetëra masakrave të qindra fëmijëve, nënave, motrave, të rinjve, burrave, pleqve të vrarë në Kosovë nga forcat ushtarako-paramilitare e policore serbe. Kjo e keqe i gjeti edhe shumë prej atyre që ia kishin mësyrë Malit të Zi. Në momentin e përgjakshëm, në pranverën e dhembjes e të lavdisë, kur forcat e NATO-s kishin filluar maratonën e kur popullata kishte mbetur nën mëshirën e qiellit e të Zotit, pikërisht në prillin e thyer dhe në majin e përgjakshëm, një numër i madh i qytetarëve të pambrojtur të Rrafshit të Dukagjinit u dëbuan dhunshëm nga bandat paramilitare serbe.
Të dëbuarit, me duar mbi kokë, me qefin në gji e me sy të trishtë, ia mësynë Bjeshkëve të Thata, Ishtedimit, Hajlës nëpër rrugë të cilat edhe për dhitë ishin të pakalueshme, duke arritur të futen në Mal të Zi. Të mbijetuarit edhe sot flasin me zemrat copë-copë se sa të zorshme ishin ato shtigje, kurse për borën e bardhë thoshin se kishte marrë ngjyrën e kuqe prej viktimave të pafajshme që ishin larë gjak.
Mali, bjeshka dhe verriri po gjëmonin, kurse orët e bardha, ato që me shekuj na kanë ruajtur nga zezona, nga trishtimi e nga ploja që po përjetonin gjithë ajo popullatë që kishte ra në duart e xhelatëve, të cilët Kosovën e kishin kthyer të gjithën në thertore, tani ishin bërë bashkë me qyqet, sepse ishin të pafuqishme të përballen me bajlozat e me korbat e Serbisë vrastare.
Në ditën e 18 prillit, në Husaj vranë 6 civilë, ndër të cilët Labinotin 13-vjeçar, i cili banonte te vëllau im në Husaj si refugjat. Aty u vra Nemka (Demiq) Brahimaj, bijë e Rozhajës, 72-vjeçare, me tre djemtë e saj – Sherif, Rexhep, Mursel Brahimaj dhe Milazim Pelaj. Po në Husaj u plagosën rëndë edhe shumë të tjerë, ndër të cilët më së rëndi ishte Haxhi Ahmetaj. Ai ruan orën e dorës, të ndalur saktësisht në orën 16 e 20 minuta nga goditja e plumbit të pushkës.
Pas Hajle u vranë Sokol Lajçi, Ramë Lajçi, Tone Husaj, Ramiz Brahimaj, në fshatin Bukel i Epërm u vranë Afrim Xhuraj, Selim Kelmendi, në Fushë të Gilit (Gilevo Polje) u vranë Musa Rexhaj, Ajet Rexhaj, Mehmet Rexhaj, Hetem Rexhaj, Faruk Murati, Arif Hysenaj, Arif Arifaj, Muhamed Blakaj dhe Sadik Ramçaj, ky i fundit lidhur për ah, në moshën 72-vjeçare (trupi i tij i pajetë është zhdukur). Edhe i riu Ali Beqiraj, i cili kishte arritur të shpëtojë nga kthetrat e çetnikëve, kishte përjetuar katrahurën më çnjerëzore si i lidhur bashkë me Sadikun.
Gjithë këta shpirtra të pafajshëm e gjithë ky gjak i derdhur u bëftë dritë për Kosovën!
Gjatë viteve të kaluara, të gjitha përpjekjet për të sjellë para drejtësisë përgjegjësit janë palosur në mure heshtjeje, paaftësi institucionale dhe harresë të qëllimshme. Derisa kujtimi për ta mbetet i paharrueshëm, i pathyeshëm mbetet edhe momenti për drejtësi nga ana e çdo nëne, çdo babai, motre e vëllai që për 26 vjet me radhë presin për të marrë përgjigjen që ju takon, të cilët deri më sot kanë mbetur pa shpresë, sepse fajtorët nuk janë dënuar nga ana e organeve gjyqësore të Malit të Zi. Ata që ishin denoncuar si fajtorë nga avokati Velija Muriq u liruan dhe sot shëtisin pa kurrfarë droje!
Çështja e të vrarëve nuk duhet të mbetet plagë e heshtur, por të trajtohet si obligim historik, politik dhe njerëzor. Nuk mund të këtë paqe pa e ditur të vërtetën e më të dashurve!
Prandaj ne si shqiptarë nuk do të heshtim asnjëherë. Edhe ky përvjetor nuk është vetëm përkujtim i të vrarëve, por është edhe thirrje për drejtësi nga ana e familjarëve për më të dashurit e tyre.
Jo larg nga Husajt, poshtë në kryqëzimin e rrugëve ku me shpresë për të arritur në Rozhajë janë ndërthurur rrugët e të dëbuarve me dhunë nga Kosova, së shpejti do të ngritet një memorial, jo vetëm si shenjë nderimi për viktimat, por si një paralajmërim që një krim i tillë të mos përsëritet më kurrë dhe askund.
“Secili njeri ka lindur të jetojë vetëm një herë, turpi dhe poshtërimi jetojnë përgjithmonë”, ka thënë Njegoshi.
Drejtësia nuk është çëshjte kohe, ajo është çështje e vullnetit të shtetit. Vendi ku para 26 viteve ndodhi masakra, ky është shteti i Malit të Zi, i cili pretendon t’i bashkohet Evropës së lirë dhe demokratike.
Lavdi dëshmorëve dhe drejtësi për viktimat, nderim dhe përulje për familjet që nuk u ndalën së kërkuari të vërtetën për më të dashurit e tyre!

Haxhi Lajçi

Të fundit

më të lexuarat