Një moment historik

“Kjo nuk është vetëm një datë kalendarike, por dëshmi e një rrugëtimi të gjatë, plot sfida dhe suksese që kanë formuar breza të tërë nxënësish. Gjatë këtyre gjashtë dekadave, shkolla jonë ka qenë vatër e diturisë, e përkushtimit dhe e përparimit. Sot shprehim mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata që kanë kontribuar në rrugëtimin e kësaj shkolle – mësimdhënësit, nxënësit, prindërit dhe miqtë e shkollës, të cilët kanë bashkëpunuar për të ndërtuar një mjedis të denjë për arsim dhe zhvillim”, ka thënë drejtoresha Ardita Kovaçeviq

Ulqin – Shkolla e mesme e kombinuar “Vëllazërim-Bashkim” në Ulqin ka shënuar 60-vjetorin e themelimit të saj me aktivitete të ndryshme, që kanë kulmuar me aktivitetin qendror që është mbajtur të premten mbrëma (21 mars 2025) në Qendrën e Kulturës – Ulqin.
Në fjalën përshëndetëse, drejtoresha e këtij institucioni, Ardita Kovaçeviq, e ka cilësuar 60-vjetorin si një moment historik dhe të rëndësishëm për këtë institucion të dijes.
“Kjo nuk është vetëm një datë kalendarike, por dëshmi e një rrugëtimi të gjatë, plot sfida dhe suksese që kanë formuar breza të tërë nxënësish. Gjatë këtyre gjashtë dekadave, shkolla jonë ka qenë vatër e diturisë, e përkushtimit dhe e përparimit. Sot shprehim mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata që kanë kontribuar në rrugëtimin e kësaj shkolle – mësimdhënësit, nxënësit, prindërit dhe miqtë e shkollës, të cilët kanë bashkëpunuar për të ndërtuar një mjedis të denjë për arsim dhe zhvillim”, është shprehur ajo.
Drejtoresha Kovaçeviq ka folur për suksesin e nxënësve të kësaj shkolle në fusha të ndryshme.
“Nxënësit tanë sot janë profesionistë të suksesshëm në fusha të ndryshme, duke çuar përpara emrin e kësaj shkolle dhe vlerat që kanë marrë këtu. Ky vit shkollor u shqua për sukseset akademike, pjesëmarrjen në aktivitete të ndryshme brenda dhe jashtë shkollës si dhe zhvillimin e një fryme bashkëpunimi, që e bëri shkollën tonë një vend më të mirë për të mësuar dhe për t’u rritur”, ka thënë ajo.
Në këtë kontekst, ajo ka veçuar si një nga arritjet më të mëdha gjatë këtij viti dy vendet e para të nxënësve të SHMK “Vëllazërim-Bashkim” në garat shtetërore në gjuhën gjermane.
“Po ashtu pjesëmarrja e suksesshme në konkurse, projekte, ekspozita, aktivitete kulturore, artistike dhe sportive, të cilët sollën rezultate mbresëlënëse duke na bërë krenarë për talentin dhe punën e palodhur të nxënësve tanë”, ka vijuar Kovaçeviq.
Në fjalën e saj, ajo ka përmendur disa prej projekteve të realizuara me sukses në këtë shkollë, si Ditët e shkencës dhe inovacionit, pastaj bashkëpunimin me dy shkolla të dalluara në Vjenë të Austrisë dhe Ludwigshafen të Gjermanisë, me të cilët kjo shkollë bën shkëmbimin e nxënësve, fitimin e diplomave prestigjoze DSD 1 dhe DSD 2 nga më shumë se dhjetë nxënës, që u mundëson atyre studimin në universitet gjermanishtfolëse etj.
Ndërsa duke folur për të ardhmen, drejtoresha Kovaçeviq ka thënë se do të vazhdojnë të punojnë me pasion dhe përkushtim “për të ofruar arsim cilësor, ambient të sigurt, për të frymëzuar, motivuar dhe përgatitur nxënësit për një të ardhme të suksesshme”.
Më pas për publikun e pranishëm, në mesin e të cilëve kanë qenë edhe përfaqësueset e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, konsulli i përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë, konsulli në Ambasadën e Republikës së Kosovës, deputetë, drejtues të institucioneve vendore, mësimdhënës në pension dhe aktivë, prindër dhe nxënës etj., është shfaqur një program i pasur. Ai ka filluar me shfaqjen e dokumentarit historik “60 – Gjurmët”, ku flitet për rrugëtimin e kësaj shkolle. Kori i shkollës dhe grupi i valleve kanë shfaqur një program festiv, ndërsa është prezantuar kënga e shkollës “Kujtime shkollore”, me tekst të mësimdhënëses Suela Dibra – Kaca, muzikë të Blendi Maxharrit dhe orkestrim të Ardian Hasanagës. Po ashtu, në galerinë e Qendrës së Kulturës është hapur ekspozita e nxënësve të kësaj shkolle.
Aktivitetet për kremtimin e 60-vjetorit të SHMK “Vëllazërim-Bashkim” kanë filluar të martën (18 mars 2025) në mjediset e kësaj shkolle, me shfaqjen teatrale “Sikur t’isha djalë”, e realizuar në bashkëpunim me Teatrin “Teuta”, me regji të Edina Mustafiq – Avdiut dhe skenografi dhe kostumografi nga Jetmira Hoxha. Me lojën e tyre, nxënësit aktorë treguan jo vetëm pasionin, por edhe talentin për aktrimin. Vendosja në skenë e kësaj drame sipas motiveve të romanit “Sikur t’isha djalë” të Haki Stërmillit, ishte një mbrëmje homazh për ish-profesorin e ndjerë të gjuhës dhe letërsisë shqipe, Bajram Rexha, që këtë vepër, si një prej pjesëve të tij më të dashura, e vuri në skenë me nxënësit e tij shumë vite më përpara.
Ndërsa të mërkurën (19 mars 2025), në mjediset e shkollës është hapur ekspozita e titulluar “Gjurmët”, ku janë prezantuar 30 portrete të 30 mësimdhënësve të parë të shkollës së mesme “Vëllazërim-Bashkim”, të punuar nga nxënësit e kësaj shkolle, janë ndarë mirënjohje për mësimdhënësit në pension, është bërë përurimi i fotoalbumit “Gjurmët” dhe janë publikuar fotografitë nga arkivi i shkollës.
Gjimnazi i Ulqinit filloi punë më 1 shtator 1965, ku mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe dhe serbokroate. Gjatë këtyre 60 viteve, ai është përballur me sfida të ndryshme që lidhen me rrethanat politiko-shoqërore të kohës, sidomos gjatë viteve ’80 dhe ’90 të shekullit të kaluar, si dhe e ka ndryshuar disa herë emërtimin zyrtar.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat