Fillimi i ndriçimit të një faqeje të errët të së kaluarës së Tivarit

Kryetari i KKSH-së, Faik Nika, ka thënl se bashkë me Këshillin e Boshnjakëve planifikojnë që gjatë këtij viti të organizojnë edhe një konferencë shkencore për Masakrën e Tivarit. “Besojmë se janë plotësuar kushtet që të hapen edhe dokumentet arkivore, të organizojmë bashkë me Këshillin Boshnjak një konferencë shkencore, ku do të jenë të pranishëm figurat më eminente të shkencës nga i gjithë rajoni dhe të bëjmë ndoshta edhe disa përfundime dhe botimin e një libri të përbashkët, ku do të botohet në dy gjuhë, dhe do të jetë i qasshëm për publikun me argumente dhe fakte të reja”, ka theksuar ai

Tivar – Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve dhe ai i Boshnjakëve në Malin e Zi kanë shënuar të mërkurën e kaluar (2 prill 2025) në mënyrë simbolike 80-vjetorin e Masakrës së Tivarit, kësaj ngjarjeje tragjike në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, ku disa mijëra shqiptarë dhe dhjetëra boshnjakë nga Kosova janë vrarë në Tivar.
Ceremonia e shënimit është zhvilluar para godinës së ish-monopolit të duhanit në Tivar, ku mendohet se janë ekzekutuar pjesa më e madhe e të vrarëve.
Ajo ka filluar me një minutë heshtjeje për viktimat e kësaj masakre dhe vendosjen e kurorave me lule.
Në fjalën e rastit, kryetari i KKSH-së, Faik Nika, ka thënë se kjo ngjarje nuk bën të harrohet për vetë faktin se janë ekzekutuar në mënyrë më makabre të rinjtë nga Kosova, të cilëve iu është premtuar se do të shkojnë në frontin e luftës dhe këtu iu është organizuar një pritë, ku janë ekzekutuar dhe kanë qenë të paarmatosur, në mënyrën më makabre, në disa vende në qytetin e Tivarit.
“Ne vendosëm që ta shënojmë pikërisht këtu, sepse këtu është një nga vendet ku ka nisur e gjithë kjo ngjarje, e cila nuk bën të harrohet, që brezat e ardhshëm dhe kurrë më mos të përsëritet në të ardhmen. Ky është qëllimi i përkujtimit në këtë 80-vjetor”, ka theksuar ai.
Nika ka thënë se bashkë me Këshillin e Boshnjakëve planifikojnë që gjatë këtij viti të organizojnë edhe një konferencë shkencore për Masakrën e Tivarit.
“Besojmë se janë plotësuar kushtet që të hapen edhe dokumentet arkivore, të organizojmë bashkë me Këshillin Boshnjak një konferencë shkencore, ku do të jenë të pranishëm figurat më eminente të shkencës nga i gjithë rajoni dhe të bëjmë ndoshta edhe disa përfundime dhe botimin e një libri të përbashkët, ku do të botohet në dy gjuhë, dhe do të jetë i qasshëm për publikun me argumente dhe fakte të reja”, ka treguar ai.
Ndërkaq, kryetari i Këshillit të Boshnjakëve, Sulo Mustafiq, ka thënë se shënimi i 80-vjetorit të Masakrës së Tivarit përbën fillimin e ndriçimit të një faqeje shumë të errët të së kaluarës së Tivarit.
“Ky është një kujtim për krimin e tmerrshëm në të cilin vdiqën qindra njerëz të pafajshëm, u pushkatuan pa faj, pa gjyq dhe shumica e tyre u varrosën pa emra dhe shenja”, ka thënë ai.
Sipas Mustafiqit, në Tivar ku është dashur të flitej më së tepërmi për këtë masakër, është folur më së pakti.
“Njollën e errët të masakrës së të rinjve të pafajshëm kosovarë e mbuloi velloja e heshtjes, sepse rendi komunist i pasluftës mbështetej në idilin e vëllazërisë dhe bashkimit, ndaj ishte e padëshirueshme dhe e ndaluar të flitej për këto tema. Pritej që, si në shumë raste të tjera, një vello harrese të mbulonte gjithçka. Personat që shkruanin apo flisnin për këtë ishin të rrallë dhe jo pa pasoja. Vetëm në mënyrë sporadike, në tridhjetë vitet e fundit, janë shfaqur botime dhe vepra që janë përpjekur të flasin për këtë temë në një mënyrë disi të bazuar shkencore”, ka thënë ai, duke shtuar se pasi që këto ditë bëhen 80 vjet nga kjo ngjarje tragjike, e kemi obligim që të ndërpresim heshtjen shumëdekadëshe.
Në emër të familjarëve të viktimave, Rexhep Osmani, ish-ministër i Arsimit i Kosovës, ka thënë se kujtimi për të humburit është respekti më i madh që mund t’i bëhet njeriut.
“Kujtimi për të vdekurit është respekti më i ndjeshëm dhe më emocional për çdo familjar, për çdo shtëpi, jo vetëm të atyre që kanë humbur të afërmit, por edhe të gjithë popullatës, strukturave të ndryshme. Shpresoj se në të ardhmen, do të mbahet një tribunë, një konferencë shkencore lidhur me këtë ngjarje, të bashkërenditen qëndrimet e organeve përkatëse, komunale dhe të shtetit malazez, në mënyrë që të nxirret një mesazh njerëzor që e kaluara e errët dhe vrasjet e natës të mos përsëriten kurrë”, ka thënë ai.
Duke përkujtuar se lufta e fundit në ish-Jugosllavi ka dhënë shembullin më të keq se si popujt dikur të vëllazëruar u ndeshën me konflikte të përgjakshme, Osmani ka thënë se sot kemi nevojë për dhënien e një mesazhi për të ardhmen.
Disa prej familjarëve të tjerë pjesëmarrës në shënimin e 80-vjetorit të Masakrës së Tivarit kanë hedhur idenë e ngritjes së një pllake përkujtimore për viktimat e kësaj masakre.
Përpos anëtarëve të KKSH-së dhe Këshillit të Boshnjakëve, pasardhësve të viktimave, në shënimin e 80-vjetorit të Masakrës së Tivarit kanë marrë pjesë edhe Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Malin e Zi, Ariana Zherka – Hoxha, kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, deputeti Ilir Çapuni, aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të medias etj.
Masakra e Tivarit konsiderohet një prej masakrave më të mëdha të kryera ndaj shqiptarëve nga pushteti komunist në përfundim të Luftës së Dytë Botërore dhe një ndër më të mëdhatë në historinë e popullit shqiptar.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat