Tuz- Organizata Joqeveritare “Fëmijët e Malit të Zi”, në bashkëpunim me Komunën e Tuzit, organizoi të premtën më 25 mars 2022, tryezën e rrumbullakët mbi temën: “Harmonizimi i rregulloreve me Ligjin mbi ndalimin e diskriminimit të personave me invaliditet”.
Në këtë tryezë të rrumbullakët fjalën hyrëse dhe prezantimin e projektit e bëri koordinatorja, njërherësh edhe drejtoreshë ekzekutive e OJQ “Fëmijët e Malit të Zi”, znj. Sabra Deceviq.
Në fokus të kësaj tryeze të rrumbullakët ishte gjetja e mekanizmave për zgjidhjen e disa problematikave që ende ekzistojnë edhe në nivelin shtetëror, kur bëhet fjalë për mosdiskriminim dhe mbështetjen e personave me aftësi të kufizuara.
Drejtoresha e OJQ “Fëmijët e Malit të Zi”, Sabra Deceviq duke u prononcuar për gazetën “Koha Javore”, thotë se ajo çfarë duhet akoma më tepër të bëhet është angazhimi në nivelin lokal për t’u ardhur në ndihmë nevojave dhe kërkesave që kanë personat me aftësi të kufizuara.
“Duhet punuar shumë më tepër në terren që të avancohen të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. Mediat janë partnerët tanë kryesorë që do të na ndihmojnë edhe në të ardhmen për të transmetuar informacionet e tilla se çfarë është bërë dhe çfarë duhet të bëhet akoma”, shprehet Deceviq.
Ajo me këtë rast apeloi tek populli dhe tek personat me aftësi të kufizuara që të ngrisin zërin për të realizuar të drejtat e këtyre personave, sepse shprehet ajo ne nuk i dimë të gjithë problematikat, pavarësisht se ekziston zyra për personat me invaliditet në Komunën e Tuzit.
Deceviq thotë se realizimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara e kanë kërkuar nëpër institucione, si në ato lokale ashtu edhe shtetërore, mirëpo siç tha, akoma nuk kanë hasur në një mbështetje të duhur në këtë drejtim.
“Kur bëhet fjalë për shërbime gjysmëditore në nivel shteti për këtë vit nuk kemi gjetur mbështetje nga Ministria e Financave, sepse nuk na ka kaluar projekti”, shprehet Deceviq.
Drejtoresha ekzekutive e kësaj shoqate, thekson se as mbështetja që i është bërë kësaj shoqate në nivelin lokal nuk është e mjaftueshme për të realizuar të gjitha nevojat që kanë personat me aftësi të kufizuara.
“Shuma e të hollave prej 3 mijë e 800 eurosh që ka ndarë Komuna e Tuzit për vitin 2022 për shoqatën tonë është e pamjaftueshme, sepse me ato të holla mund të realizojmë dy muaj punë, pasi që në shoqatën tonë angazhojmë dy logopedë, psikologen, punonjësit socialë dhe asistentet personale”, shprehet Deceviq.
Ajo tha se nga një takim që ka pasur së fundmi me kryetarin e Komunës së Tuzit, nga ky institucion i është premtuar që këto shërbime të kësaj qendre ditore të mos fiken, pasi që ky është shërbimi i vetëm në territorin e Komunës së Tuzit që merret me asistencën e personave me aftësi të kufizuara.
“Numri i këtyre personave nga dita në ditë rritet. Dhe nga vetë fakti që shumica e këtyre fëmijëve janë shqipfolës, shërbimet në Podgoricë ata nuk mund t’i shfrytëzojnë për arsye të gjuhës. Prandaj, duhet gjetur mënyra që këtyre fëmijëve t’u mundësohen shërbimet në kontinuitet dhe në mënyrë permanente”, thotë Deceviq.
Në këtë qendër ditore të Shoqatës “Fëmijët e Malit të Zi”, aktualisht ka 25 fëmijë me aftësi të kufizuara.
Mbi strategjinë e personave me invalididet nga diskriminimi dhe promovimi i barazisë 2022-2027, harmonizimi me kuadrin strategjik lokal dhe nacional, ligjëroi drejtoresha e përgjithshme e Drejtorisë për Mbrojtjen dhe Barazinë e Personave me Invaliditet në Ministrinë e Drejtësisë, të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, znj. Aleksanda Popoviq.
Ndërkohë, zëvëndësja e Mbrojtësit të të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Nerma Dobarxhiq, foli mbi kuadrin e veprimtarisë së institucionit të Avokatit të Popullit dhe zbatimin e Ligjit mbi ndalimin e diskriminimit.
Ndërkaq, Marina Ujkaj, sekretare e Sekretariatit për Vetëqeverisje Lokale në Komunën e Tuzit, diskutoi mbi mbështetjen e realizimit të planit lokal të veprimit për mbrojtjen nga diskriminimi të personave me invaliditet në Tuz, dhe mbi modelin e efikasitetit dhe qëndrueshmërisë.
Konsulentja në këtë projekt, znj. Lidija Brnoviq, u ndal tek prezantimi i arritjeve të realizimit të planit lokal të veprimit për mbrojtjen nga diskriminimi të personave me invaliditet në Tuz (grupi punues për monitorimin e implementimit të këtij plani).
Këtë projekt e financon Bashkimi Evropian, Qendra për Edukim Qytetar, Friedrich Ebert Stftung (FES), OJQ “Qendra për Kërkimin dhe Mbrojtjen e Zogjve (CZIP), Rrjeti POLITIKON dhe M’BASE.
t. u.