Personat me aftësi të kufizuara i përkasin njërit nga grupet më të rrezikuara nga diskriminimi

Ulqin – Gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara janë ende të diskriminuara pasi që shteti nuk ka krijuar ende kushte të barabarta dhe ky grup për çdo ditë ballafaqohet me sfida të ndryshme, është ky konkluzioni nga tryeza e rrumbullakët të cilën e organizoi para pak ditësh në qytetin e Ulqinit, Organizata Joqeveritare, “Fëmijët e Malit të Zi”.
Drejtoresha ekzekutive e organizatës në fjalë, Sabra Deceviq, në prononcimin për gazetën “Koha javore” shprehet se sfidat dhe rreziqet me të cilat ballafaqohen gratë me aftësi të kufizuara janë pasojë e drejtpërdrejtë e stigmatizimit në shoqëri, gjë që, siç tha ajo, krijon barrë të dyfishtë të diskriminimit mbi këto gra.
“Tryeza e organizuar disa ditë më parë në Ulqin me temë “Pozita e grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara” ishte një mundësi për të paralajmëruar disa iniciativa të reja në nivel lokal, por edhe për të mësuar se cilat janë nevojat dhe rekomandimet për përmirësimin e pozitës së grave dhe vajzat në shoqëri, në të gjitha sferat e jetës” u shpreh Deceviq.
Ndëkohë, ajo thekson se nevoja për të thelluar bashkëpunimin e institucioneve që veprojnë në nivel vendor, pushtetit vendor dhe OJQ-ve që merren me çështjet e të drejtave të PAK, është një udhërrëfyes i mirë për planifikimin dhe fillimin e planeve strategjike për përmirësimin e situatës aktuale, e cila, siç tha ajo, është shqetësuese, duke pasur parasysh mungesën e shërbimeve dhe veprimeve të aktiviteteve konkrete për këtë target grup.
“Përveç vetëqeverisjes lokale, mbështetje për target grupin nga niveli kombëtar duhet të ofrojë edhe ministria përkatëse, e cila, siç u konstatua në tryezën e rrumbullakët, duhet të jetë më e pranishme në nivel lokal” u shpreh Deceviq.
Në këtë kuadër, drejtoresha e Drejtorisë për Mbrojtjen dhe Barazinë e Personave me Aftësi të Kufizuara në Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave, Irena Rakoçeviq, ka paralajmëruar bashkëpunim më të ngushtë me vetëqeverisjen lokale dhe aktivitete të përbashkëta në të ardhmen.
Ndërkaq, Nerma Dobarxhiq, zëvendëse e Mbrojtësit të të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (nga zyra e Avokatit të popullit) për fushën e mbrojtjes nga diskriminimi, grupet e cenueshme dhe barazinë gjinore, foli për kompetencat dhe aktivitetet e institucionit të mbrojtësit të të Drejtave dhe Lirive të Njeriut të Malit të Zi.
“Personat me aftësi të kufizuara ende i përkasin një prej grupeve më të rrezikuara nga diskriminimi”, është shprehur Dobarxhiq.
Ajo më tutje ka theksuar rëndësinë e njohjes së mekanizmave të mbrojtjes nga diskriminimi duke prezantuar strukturën e ankesave të paraqitura, rëndësinë dhe aktivitetet e mekanizmit të pavarur monitorues për monitorimin e zbatimit të Konventës së OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.
Nga Komuna e Ulqinit paneliste ishte Aldina Koliq- Nikoçeviq e cila ndër të tjera theksoi se gratë me aftësi të kufizuara duhet të trajtohen në mënyrë të tillë që t’u rikthehet personaliteti në mënyrë që të perceptojnë veten si subjekte kryesore kur marrin pjesë në vendimmarrje.
Në të njëjtën kohë, drejtoresha ekzekutive e kësaj shoqate, Sabra Deceviq, është shprehur se gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara nuk janë të përfshira në vendimmarrje dhe punësimi i tyre akoma është në nivel të vogël në krahasim me meshkujt, çfarë ndikon edhe në fuqizimin ekonomik të grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara.
Drejtoresha ekzekutive e OJQ-së “Fëmijët e Malit të Zi”, Sabra Deceviq shprehet se për rëndësinë e arsimimit dhe edukimit për përfshirjen e vajzave me aftësi të kufizuara në arsim, flet dhe fakti që arsimi është e vetmja fushë ku është bërë përfshirja dhe kyçja e vajzave me aftësi të kufizuara dhe ku fëmijët me aftësi të kufizuara janë pjesë e shkollimit.
Gjithashtu, Ardita Kovaçeviq, drejtoreshë e SHMP “Vëllazërim Bashkim” Ulqin përkujtoi që përfshirja është mënyrë jetese, dhe vajzat duhet të jenë pjesë përbërëse e sistemit arsimor që më vonë të rriten në gra të suksesshme dhe të fuqizuara.
Tryeza e rrumbullakët “Pozita e grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara” është realizuar në kuadër të projektit “Vizibile-Gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara” të cilin shoqata “Fëmijët e Malit të Zi” e realizon në bashkëpunim me shoqatën “Staze” me mbështetje të Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave në Mal të Zi.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat