Tuz- Drejtoria e Gjimnazit “25 Maji” në Tuz, në bashkëpunim me Këshillin e Shkollës, Këshillin e Profesorëve dhe Këshillin e Prindërve, në seancën e fundit të përbashkët, kanë votuar unanimisht për të përjashtuar dymbëdhjetë nxënës të kësaj shkolle nga procesi i rregullt edukativo-arsimor.
Ky vendim është ndërmarrë pas incidentit të ndodhur dy javë më parë në këtë gjimnaz, ku grupe nxënësish u përleshen mes njëri- tjetrit, për arsye banale ashtu siç i tha drejtoresha e këtij institucioni “Kohës Javore”, Miliana Daboviq, e cila dënoi fuqishëm këto akte të dhunshme dhe vandale të cilat për dy ditë rresht u bënë turbullues i situatës në këtë mjedis shkollor.
“Pasi arritëm t’i shpërndajmë nxënësit e irrituar nga kjo përleshje, së bashku edhe me forcat e policisë, ata përdorën kundrejt nesh edhe fjalë fyese dhe banale teksa shoqëroheshin në polici për të dhënë deklarata. Sapo janë identifikuar të gjithë ata që janë përfshirë në këtë incident, ne kemi miratuar vendimin për përjashtim të dymbëdhjetë nxënësve, ndërsa njëzetedy të tjerë kanë marrë vërejtje, (paralajmërim për përjashtim) pasi në shkollë nuk ka vend për dhunë. Ky është dhe slogani ynë”, u shpreh drejtoresha Miliana Daboviq teksa lavdëroi vullnetin e treguar të njerëzve për ta normalizuar situatën.
“Për daljen nga këto situata aspak të këndshme për shkollën, kemi mbështetjen edhe të Këshillit të Prindërve të cilët i dënojnë të gjitha format e dhunës, të Këshillit të Shkollës por dhe mbështetje nga Parlamenti i Nxënësve të cilët kanë marrë pjesë aktive deri në sqarimin e gjendjes dhe normalizimin e plot të kësaj ngjarjeje. Gatishmëria dhe bashkëpunimi i treguar duhen përshëndetur dhe përgëzuar pasi pa ndihmën e tyre, nuk do të mund të bënim pothuajse asgjë”, përfundoi Daboviq.
Në pyetjen e “Koha Javore” nëse administrata e shkollës ka ndërmarrë ndonjë nismë që në vazhdim në këtë shkollë të jetë i pranishëm një polic kujdestar ashtu siç ka qenë para dhjetë vjetësh në këtë shkollë, Daboviq tha se kanë bërë kërkesë për këtë, në mënyrë që të monitorohen lëvizjet dhe të ushtrohet kontroll ndaj nxënësve nga një polic kujdestar, por sipas saj pritet nëse kjo do të realizohet në vijim ose jo.
Urojmë që incidentet e tilla të marrin fund, ndërsa shkollës t’i kthehet një imazh më i mirë duke pasur parasysh se të gjitha institucionet edukativo- arsimore duhet të shërbejnë si shembull dhe pasqyrë e mirësjelljes, të çrrënjosin e të shmangin të gjitha fenomenet negative të cilat njollosin dhe cenojnë autoritetin e një institucioni që edukon gjenerata të tëra. t. u.