
Rrëfimi 1.
Matija. Në dekadën e pestë-gjashtë transporti i mallrave ka qenë më tepër nëpër rrugën detare.
Një rol të veçantë e kanë pasur anijet dhe barkat e vogla. Ato për t’u strehuar kur deti ishte i trazuar, shpeshherë janë lidhur në Bunë, në Shënkoll.
Në afërsi të lumit kanë qenë disa shtëpi të vendasve. Njëra prej tyre ishte edhe shtëpia e Mati Çataliqit.
Hasan Karamanaga dhe Jakup Idrizaga kanë punuar atëherë në një barkë dyvagonësh. Nganjëherë kanë ndalur te Matija. Nga Ulqini i kanë sjellë vaj guri për drita (atëherë në këtë vend nuk kishte drita elektrike), vaj ulliri dhe ndonjë gjë tjetër nga tregu. Matija me bashkëshorten Lezen, kanë qenë mikpritës të mirë. Baba me Jakupin vinin duke ecur në këmbë deri në Kala. Baba thoshte:
“Kemi ecur mirë, por Jakupi ishte më i gjatë dhe hapat i tij ishin më të mëdhenj”.
Kaluan ato kohra, barkat e vogla mbetën të lidhura në Shënkoll.
Pas disa viteve ato u kalbën dhe u zhdukën.
Kështu filloi një epokë tjetër e transportit – lundrimi dhe udhëtimi.
Shumë më vonë,vëllai Shyqyri-Çylo, ka sjellur material ndërtimor te shtëpia e Çataliqve, në Shtojin e Epërm. Matija kishte ndërruar jetë, por bashkëshortja e tij Lezja ishte e moshuar dhe e kishte humbur pamjen e syve. Çyli i foli plakës. Ajo menjëherë i tha:
“A j, ti djali i Canit!? (Hasan Karamanagës).
Plaka e kishte mbajtur në kujtesë zërin e babait tonë.
Rrëfimi 2.
Këto ditë ishim në vizitë te Lena dhe Nikollë Çataliqi, në shtëpinë e re të ndërtuar në Shtojin e Epërm. Ata kanë punuar një kohë të gjatë në Amerikë.
Me Lenën kam bashkëpunuar prej vitit 2007-2009 lidhur me ardhjen e mjekëve nga Nju Jorku për ndihmesë në Shtëpinë e Shëndetit. Ishim së bashku me mikun tim Nikë Selçaninin.
Me ne së bashku ishte dhe Rrok Selçanini. Biseduam dhe kur u tregova Lenës edhe Rrokut për miqësinë e babait tonë me Matinë, Rroku më tha:
“Unë jam djali i Matisë, tash jemi miq edhe më të mirë”.
E pyeta:”Ku ka qenë kasolla e vjetër e Matisë?
„Në vend të kasollës sot është garazhi”, ishte përgjigjja e Nikollë Çataliqit.
Rrëfimi 3.
Prej vitit 2007 fillon bashkëpunimi i Shtëpisë së Shëndetit – Ulqin me mjekët nga Amerika. Nismëtari i këtij projekti ishte Prof. Alan Ros nga Univerziteti „Collumbia“ dhe “Jacobi Hospital Center“ nga Bronksi, Nju Jork si edhe Dr. Evia Nano, mjeke shqiptare e cila punon tash 17 vite në SHBA.
Para 10 viteve në kuadër të „Jacobi Medical Center“ u themelua Qendra e Mjekësisë Familijare “Illiria”, Jacobi Medical Center, në Pelham Parkuei Sauth, Bronks, Nju Jork 10461.
„E drejta e gjithkujt është që të komunikojë në gjuhën e vet amtare”. Ky qe mendimi i Prof. Alan Ros për të arsyetuar hapjen e kësaj klinike të parë për mjekimin e emigrantëve shqiptarë në Nju Jork.
Drejtoreshë e këtij spitalit ishte Lena Çataliq, e cila para shumë viteve emigroi në Nju Jork – SHBA.
Iniciatore për këtë bashkëpunim ishte Lena Çataliq e cila një vit më parë më vizitoi në Shtëpinë e Shëndetit në Ulqin. Ajo foli për gatishmërinë e mjekëve nga Amerika për të ndihmuar shëndetësinë, konkretisht Shërbimin e Emergjencës së Ulqinit.
Rrëfimi 3.
Biografia
Lena Çataliq u lind në fshatin Reç në afërsi të Lumit Buna. Atëherë Reçi ishte me shumë shtëpi, kurse sot aty jetojnë tri ose katër familje. Tjerët kanë emigruar kryesisht në SHBA.
Lena dy klasë të shkollës fillore i mbaroi në Reç. Ishte vajza e parë e cila vazhdoi shkollimin në shkollën e Shtojit.
Martohet në moshë të re me Nikollë Çataliqin. Së shpejti emigrojnë për Amerikë. Atje fillon jetë tjetër dhe Lena vazhdon emancipimin dhe shkollimin. Me propozimet e Prof. Alan Ros vazhdon dy vite shkollimi për menaxhere.
Si kuriozitet: Në një aktivitet për drejtat e kombit shqiptar u takua me presidentin e SHBA-së Bill Klinton.
Kështu Lena Çataliq do të zgjidhet drejtoresha e parë në spitalin i cili u themelua në kuadër të “Jacobi Hospital Center”. Ky spital ishte vendstrehimi i të sëmurëve, por edhe i të gjithë atyre që kishin problem me letra për qëndrimin në SHBA, ose problem papunësie, familjare etj. Lena ishte e hapur për të gjithë emigranët shqiptarë, por edhe të tjerët.
Më 9 qershor të vitit 2009, ishim në festimin lidhur me 10-vjetorin e punës të Spitalit “Illyria”në Bronks – Nju Jork. Aty ishin mërgimtarët tanë, përfaqësuesit e Nju Jorkut bashkë me majorin, përfaqësuesit e konfesioneve fetare. Takuam shumë të njohur: shokun tim nga shkolla e mesme për infermieri në Cetinë Zef Gojçaj me bashkëshorten, vajzën e Prenkë dhe Age Ivanaj nga Shtoji, Mark Shkrelin, imamin Edin Gjonin, Etrita Ibroçin…
Në këtë tubim madhështor, fjalën përshëndetëse e ka pasur edhe Lena Çataliq. Ajo shprehet:
“Për Jacobi Hospital kam punuar tepër. Për popullin tim shqiptar gjthmonë jam angazhuar pa lidhur çfarë feje, ose çfarë ngjyre janë… Njërëzit më kanë besuar shumë… Zoti më ka çua shëndet që të qëndroj në këto angazhimet e mia…”.
Para dy viteve Nikollë Çataliqi ndërroi jetë. Shkaku ishte sëmundja e pashërueshme.
Lena vjen dy herë në vit në Shënkoll, ku kanë ndërtua shtëpi të bukur. Por djemtë e Lenës janë amerikan dhe rrallë vijnë në Ulqin.
Kur u kthyem nga Nju Jorku në vitin 2009 mikut tim Nikë Selçaninit i fola për Lenën. Ai më tha:
“Lena ishte nga fshati jonë, më vjen mirë që ka përparua, që i ndihmon popullit tonë dhe të gjithë të tjerëve…”.
Në fund.
Lena ka pasur shumë takime lidhur me ndihmesën e popullit shqiptar. Nuk e harron vendlindjen. Është luftëtare e madhe për të drejtat e kombit shqiptar. Disa herë e ka vizitua edhe Vatikanin lidhur me Ditët e Nënë Terezës.
(Nga libri në dorëshkrim “Mërgimtar”)