Nxitje për hulumtimin e korrupsionit

“Gjatë dhjetë viteve të fundit janë formuar shumë institucione në përmbushje të kapitullit 23, por rezultatet nuk janë të kënaqshme”, ka thënë Dina Bajramspahiq, anëtare e Grupit të Punës për kapitullin 23. Ndërsa gazetarja Vesna Rajkoviq – Nenadiq ka theksuar se “roli i gazetarëve është të tregojnë për korrupsionin eventual, jo të jenë prokurorë apo gjykatës”

Në kuadër të projektit “Parandalimi i korrupsionit dhe promovimi i pjesëmarrjes qytetare”, në mjediset e hotelit “Kalamper” në Tivar të shtunën është mbajtur moduli i tretë dhe përfundimtar i trajnimit për gazetarët e mediave shqipe në Mal të Zi dhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare, me temë “Kuadri ligjor antikorrupsion dhe raportimi mbi korrupsionin”.
Trajnueset Vesna Rajkoviq – Nenadiq, gazetare, dhe Dina Bajramspahiq, anëtare e Grupit të Punës për kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”, kanë trajtuar gjatë seminarit njëditor tema të tilla si: kuadri institucional për luftën kundër korrupsionit, kuadri legjislativ, roli i institucioneve, masat antikorrupsion, roli i mediave në luftën kundër korrupsionit, si të raportohet mbi korrupsionin – zgjedhja e temës, burimet, mjetet, Ligji mbi qasjen e lirë të informacionit në luftën kundër korrupsionit etj.
Sipas Dina Bajramspahiq, duke filluar nga viti 2000 Mali i Zi ka përfshirë në legjislacionin e vet pothuajse të gjitha mekanizmat e luftës kundër korrupsionit, por nuk është bërë pothuajse asgjë në aspektin e zbatimit të tyre.
“Gjatë dhjetë viteve të fundit janë formuar shumë institucione në përmbushje të kapitullit 23, por rezultatet nuk janë të kënaqshme”, ka thënë ajo.
Bajramspahiq ka theksuar se antikorrupsioni ka dy aspekte: masat represive dhe ato parandaluese.
Ajo ka thënë se Mali i Zi e ka aq shumë të zhvilluar korrupsionin saqë ai e ngulfat zhvillimin ekonomik.
Gazetarja Vesna Rajkoviq – Nenadiq është përqendruar në rolin e gazetarëve në luftën kundër korrupsionit.
Ajo ka thënë se nganjëherë ka keqkuptim sa i përket rolit të gazetarëve dhe medias.
“Roli i gazetarëve është të tregojnë për korrupsionin eventual, jo të jenë prokurorë apo gjykatës”, ka thënë ajo.
Sipas saj, rëndësia e hulumtimeve gazetareske të korrupsionit nuk varet nëse tema është e madhe apo e vogël.
Rajkoviq – Nenadiq ka folur për prirjen e mediave sot, bile edhe të redaksive më të mëdha, që për shkak të mungesës së kapaciteteve apo parave, t’i kalojnë hulumtimet për korrupsion tek OJQ-të ose të bashkëpunojnë me to.
Koordinatori i OJQ “Horizonti i Ri”, Nazif Veliqi, ka thënë se qëllimi i përgjithshëm i këtij projekti ishte fuqizimi i kapaciteteve të mediave në gjuhën shqipe në Mal të Zi dhe aktivistëve të shoqërisë civile për të hulumtuar dhe raportuar mbi problemin e korrupsionit dhe për të promovuar qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit.
Ai ka thënë se përmes këtij projekti u ndërtua një partneritet efektiv midis mediave dhe OJQ-ve, si kusht kryesor për një publik më të informuar në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e demokracisë lokale.
Pjesëmarrësit kanë vlerësuar se trajnime të tilla janë të mirëpritura dhe u shërbejnë si nxitje gazetarëve të mediave shqipe për t’u marrë me tema që lidhen me korrupsionin.
Projekti është realizuar nga OJQ “Horizonti i Ri” në bashkëpunim me të përjavshmen “Koha javore”, me mbështetjen e Departamentit të Shtetit të SHBA – Byroja për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL), në kuadër të Programit të Shoqërisë Civile për Drejtësi Penale.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat