Në njëvjetorin e vdekjes së kryetarit të saj, mësuesit dhe veprimtarit Dritan Kurti, Shoqata “Ora” organizoi të dielën mbrëma në Shkollën Fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë mbrëmjen përkujtimore “Një vit pa Dritanin”.
Mbrëmja përkujtimore, e cila ka filluar me një minutë heshtjeje, ishte konceptuar si një homazh për jetën dhe veprimtarinë e Dritan Kurtit, ku disa prej shokëve, kolegëve dhe përfaqësuesve të shoqatave e institucioneve me të cilat ai ka punuar e bashkëpunuar kanë evokuar kujtimet e tyre dhe nënvizuar kontributin e tij në fushën e arsimit, kulturës, folklorit, trashëgimisë etj.
Në fjalën e rastit, anëtari i Shoqatës “Ora”, Astrit Kurti, njëherazi shok i ngushtë i Dritanit, ka folur për jetën e tyre të përbashkët që nga fëmijëria, duke veçuar virtytet që Dritanin e bënin të rrallë për shoqërinë.
“Ti ndave kohën tënde për neve. Për shumë nga ne, të madh dhe të vogël, ishe i papërtueshëm dhe me shumë vëmendje dhe dashuri për të gjithë. Asnjëherë nuk u mërzite, sepse ti kështu ishe, i rrallë dhe me një zemërgjerësi, ku do të kujtojmë gjithmonë deri në fund të jetës”, ka thënë ai.
Në mënyrë emotive Kurti ka përkujtuar se dita e fundit e jetës së Dritanit ishte një ditë e zezë për të dhe për të gjithë, ishte një përshkrim i jetës së tyre.
“Dua të flas, sepse do më dëgjosh dhe për këtë jam i sigurt, sepse shumë amanete edhe m’i ke lënë në heshtje, por unë e di dhe do të bëj akoma më shumë, siç do të bëje edhe ti për mua dhe siç do t’i lija edhe unë ty”, ka thënë ai.
Profesori i koreografisë dhe valltari i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, Besnik Grajçevci, ka thënë se secili nga ne kemi për të folur shumë për Dritanin, për ta përkujtuar vetëm për gjëra pozitive dhe të mira.
Duke e quajtur atë vëlla, Grajçevci ka thënë se çdokush e vëren mungesën e Dritanit dhe vlerën që ai ka pasur.
“Dritani ka qenë një misionar për çështjen kombëtare, i cili ashtu siç e kishte emrin ndriçoi kulturën, traditën rreth identitetit të kësaj zone. Dritani më ka kontaktuar vazhdimisht për të kërkuar për të punuar, për të bërë gjëra të mira rreth ‘Traditës’ dhe këtyre ngjyrave të kostumit që e mbante në trup, në mënyrë që kjo zonë të mos e shuante asnjëherë aktivitetin kulturor-artistik, që ai e kishte dëshirën më të madhe dhe më të fuqishme”, ka theksuar ai.
Kujtime nga puna dhe bashkëpunimi me Dritanin kanë evokuar edhe Mustafë Bardhi, drejtor i Shkollës Fillore “Bedri Elezaga”, Kabil Kurti, kryetar i Biznes Klub Ana e Malit dhe Ilir Loku, udhëheqës artistik i Ansamblit “Ilirida” nga Shkupi. Po ashtu janë lexuar mesazhet e dërguara nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe drejtori i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve“Shota”, Shefqet Gjocaj.
Pjesën kryesore të mbrëmjes përkujtimore e ka zënë dokumentari kushtuar Dritan Kurtit, kësaj figure të arsimit dhe kulturës sonë, i përgatitur nga Shoqata “Ora”, sipas skenarit të Gazmend Kovaçit. Në dokumentar paraqitet portreti i Dritanit dhe kontributi i tij shumëdimensional për shoqërinë.
Në emër të familjes së Dritan Kurtit, të pranishmit e shumtë në numër i ka përshëndetur dhe falënderuar bashkëshortja e tij, Arjeta Kurti.
“Faleminderit që e deshët dhe e respektuat Dritanin. E këtë gjë më së miri po e dëshmon prania juaj në këtë numër kaq të madh. Veprimtaria e Dritanit më së miri është paraqitur në këtë dokumentar që ndoqët. Por do të doja vetëm të thoja se Dritani edhe kohën që e kishte për të kaluar me familjen, ia kushtonte vendit, vendlindjes së tij”, ka thënë ajo.
Kurti ka thënë se ajo ishte përkrahëse e çdo nisme dhe çdo projekti të Dritanit, sepse e dinte dhe ishte e sigurt se çdo dalje e tij nga shtëpia ishte një kontribut i çmuar për vendin dhe vendasit e tij.
“Dritanin e kisha krah të djathtë, forcë dhe shtysë në jetë. Besuam fort te njëri-tjetri dhe shumë sfidave iu bëmë ballë deri në këtë humbje. Dritani besoj aq fort tek unë sa mbi supet e mia hodhi barrën më të rëndë – që të jem edhe biri i Avniut dhe i Minires, të jem edhe vëlla për Dritën, të jem edhe baba për Borën dhe Erën”, ka thënë ajo.
Kurti ka falënderuar të gjithë që një vit më parë i janë gjetur pranë familjes së Dritanit, duke u shprehur ngushëllime me anë të mesazheve, telefonatave e në mënyra të ndryshme, edhe financiare.
“Kur njeriu pësoka humbje kaq të mëdha dhe sheh që pas ka shumë miq, shokë, respekti për Dritanin është shumë i madh, më besoni që dhimbja kthehet në forcë dhe krenari”, ka thënë ajo.
Me rastin e njëvjetorit të vdekjes, Shoqata “Ora” ka ndarë mirënjohje për kryetarin e saj, Dritan Kurti, me motivacionin “për kontributin në themelimin, organizimin e aktiviteteve, drejtimin me sukses të Shoqatës ‘Ora’ dhe veprimtarinë e gjithanshme në të mirë të shoqërisë”. Po ashtu, Shoqata “Ora” ka marrë vendim që turi çiklistik Anë e Malit – Shkodër, prej Liqenit të Shasit deri në Liqenin e Shkodrës, i inicuar prej Dritanit, të bëhet tradicional në kuadër të manifestimit “Pranvera në Anë të Malit” dhe të quhet turi çiklistik “Dritan Kurti”. Me këtë rast, Shoqata “Ora” i ka dhuruar familjes një portret të Dritan Kurtit, të realizuar nga piktori vendas Agron Ujkashi.
Të dielën paradreke, anëtarët e Shoqatës “Ora” së bashku me shokët dhe miqtë e tij bënë homazhe te varri i Dritan Kurtit, në varrezat në fshatin Sukubinë.
Dritan Kurti vdiq më 24 tetor 2020, në moshën 42-vjeçare, nga Covid-19, duke këputur përgjysmë ëndrrat e tij. Ai punoi mësues në Shkollën Fillore në Katërkollë, ishte kryetar i Shoqatës “Ora” dhe i Bashkësisë Lokale – Sukubinë, anëtar i kryesisë së Ansamblit “Tradita”, veprimtar shoqëror etj.
i. k.