Një traditë që po vazhdon në Malësi

Në këtë mbrëmje të pranishëm ishin pothuajse e tërë gjenerata e vitit 1991/92 e mësimit në gjuhën shqipe, ndërsa madhështinë kësaj mbrëmjeje, ia shtuan shokët dhe shoqet nga diaspora, e në veçanti ata nga Plavë-Gucia, Kraja, Ana e Malit, Tivari e Ulqini që në kohën e Ish-Jugosllavisë, shkollimin e mesëm e ndoqën në Tuz

Përvjetorët janë momente kur na rikujtojnë në ngjarje të shënuara të jetës. Na risjellin kujtime, histori të shumta dhe nostalgji. Ndër ngjarjet që viteve të fundit po zgjojnë interesim për t’i kujtuar është edhe përvjetori i maturës, sepse shoqëria e shkollës, pavarësisht rrethanave të jetës mbetet e paharruar, e shpeshëherë edhe e palëkundur.
Vëmendja për t’i kujtuar dhe kremtuar ato është nismë e cila në Malësi filloi para më shumë se dy dekadash, ku gjenerata të ndyshme në mënyrë të organizuar, nga viti në vit, mblidhen dhe së bashku shënojnë përvjetorin e maturës, duke ngrënë, pirë e argëtuar deri në orët e vona të mbrëmjes.
Raste kremtimi të përvjetorit të maturës kishim edhe javën e kaluar në Malësi, ku disa gjenerata, kremtuan nëpër restorante në Tuz.
Njëri ndër të pranishmit e mbrëmjes së përvjetorit të maturës, i gjeneratës 1991/92 ishte edhe këngëtari i mirënjohur, Lekë Dedvukaj, i cili së bashku me shokët dhe shoqet e gjeneratës, kremtuan tridhjetë vjetorin e përfundimit të maturës.
Dedvukaj në një në një prononcim për gazetën “Koha Javore” tregon mbi idenë e organizimit të mbrëmjes, dhe mbi atë se çfarë ka për qëllim shënimi i këtij përvjetori.
“Ne faktikisht edhe para njëzetë vitesh e kremtuan 10 vjetorin e maturës, me një mbrëmje madhështore. Tani, pas 20 vitesh, sërish menduam t’a shënojmë 30 vjetorin, dhe duke biseduar me një grup shokësh para katër-pesë muajve, e hodhëm si ide, dhe kështu formuan një grup në viber dhe komunikuam me të gjithë shokët dhe shoqët e gjeneratës për këtë nismë, dhe më në fund u dakorduam”, shprehet Dedvukaj.
Ai thotë se me njëri-tjetrin u “rinjohën” paraprakisht përmes video-mesazheve që shkëmbyen në grup, duke qenë se kishin kaluar shumë vite dhe, ashtu siç ndryshon çdo gjë në këtë botë, ashtu ndryshon edhe njeriu ndër vite.
“Fillimisht, përpara se të tuboheshim tek restoranti, ne vizituam të gjithë së bashku Gjimnazin “25 Maji” në Tuz, aty ku mbaruam shkollën e mesme, vizituam klasat ku kemi kaluar ditët e bukura të rinisë sonë, u fotografuam dhe sigurisht se, edhe u mallëngjyem për të gjitha momentet që kemi kaluar në ato hapësira të shkollës. Më pas shkuam tek restoranti, ku edhe filluam festën e vertetë deri në orët e para të mëngjesit”, thekson Dedvukaj.
Në këtë mbrëmje të pranishëm ishin pothuajse e tërë gjenerata e vitit 1991/92 e mësimit në gjuhën shqipe, ndërsa madhështinë kësaj mbrëmjeje ia shtuan shokët dhe shoqet nga diaspora, e në veçanti ata nga Plavë-Gucia, Kraja, Ana e Malit, Tivari e Ulqini që në kohën e Ish-Jugosllavisë, shkollimin e mesëm e ndoqën në Tuz.
“Kjo ishte një mbëmje madhështore dhe përshtypjet janë të papërshkrueshme, kur sërish pas tridhjetë vitesh takohesh me të njëjtit që ke mësuar tre dekada më parë. Interesante nga takimi ishte se u njohëm në detaje mbi familjet që ka krijuar secili nga ne gjatë kësaj kohe që s’jemi parë, mbi veprimtarinë që ushtrojmë, e gjithashtu shkëmbyem ide dhe përvoja mbi shumëçka që është shënuar në këtë periudhë tridhjetë vjeçare”, thotë Dedvukaj.
Për atmosferën argëtuese të kësaj mbrëmjeje u përkujdes vetë këngëtari Lekë Dedvukaj me kërkesë të të gjithë pjesëmarrësve të kësaj mbrëmjeje ceremoniale.
Shpenzimet e shënimit të kësaj mbrëmjeje kanë qenë planifikuar të ndahen në mënyrë proporcionale për secilin pjesëmarrës, mirëpo siç tregon Dedvukaj, për individët që jetojnë në Malësi, të gjitha shpenzimet u mbuluan nga shokët/shoqet e tyre që jetojnë në mërgim.
“Shoqërimi me njëri-tjetrin e mban gjallë edhe vendin tonë, e në veçanti ua rikthejnë nostalgjinë për vendlindje të gjithë atyre që jetojnë në shtete të ndryshme të Evropës, SHBA-së dhe gjetiu. Interesant është fakti se ka disa persona të cilët erdhën enkas nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës vetëm për ta shënuar këtë përvjetor të maturës. Gjithashtu erdhën edhe nga Kosova, ku disa shoqe janë martuar atje”, shprehet Dedvukaj.
Organizimi i tubimeve të tilla, të shënimit të këtyre përvjetorëve ka për qëllim afrimitetin me njëri-tjetrin, fuqizimin e shoqërisë dhe të raporteve të ndërsjella, dhe transmetimin e kësaj fryme bashkëpunimi dhe afrimiteti edhe tek gjeneratat e reja.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat