Plavë/Guci – Ambasadori i Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Johan Satler, të mërkurën, më 2 prill 2025, qëndroi në vizitë zyrtare njëditëshe në komunat e Plavës dhe Gucisë.
Në Komunën e Plavës, ambasadorin Satler e pritën dhe i dëshiruan mirëseardhje kryetari i Komunës, Nihad Canoviq, kryetari i Kuvendit të Komunës, Allen Balliq, administratori kryesor, Adnan Shaboviq dhe menaxheri i Komunës, Merdin Purishiq, të cilët biseduan mbi temat lokale aktuale, potencialet zhvillimore dhe mundësitë për forcimin e bashkëpunimit me BE-në.
Kryetari Canoviq e ka njoftuar ambasadorin Satler me situatën momentale në Komunë, nxitjet zhvillimore dhe përparësitë në punën e administratës lokale, ndër të cilat janë avancimi i infrastrukturës, zhvillimi i qëndrueshëm, mbrojtja e potencialeve natyrore, forcimi i bashkëpunimit ndërkufitar, si dhe roli i rëndësishëm i institucioneve lokale në procesin e integrimeve evropiane.
Pas takimit, delegacioni ka inspektuar lokalitetin e projektit “Promovimi i qëndrueshmërisë së përdorimit të bimëve mjekuese dhe aromative për avancimin e ekzistencës jetësore dhe ruajtjen e biodiversitetit”, të cilin Komuna e Plavës e realizon në partneritet me Komunën e Tropojës të Republikës së Shqipërisë, si dhe me organizatat joqeveritare Qendra për Integrime Demokratike e Zhvillim dhe Alpet Shqiptare.
Projekti në fjalë ka për qëllim valorizimin e potencialeve natyrore përmes promovimit të shfrytëzimit të qëndrueshëm të bimëve mjekuese dhe aromatike, me çka i kontribuohet ruajtjes së biodiversitetit dhe përmirësimit të standardit jetësor të banorëve lokalë.
Në Guci, ambasadori Johan Satler u takua me kryetarin e Komunës Sanell Balliq dhe kryetarin e Kuvendit të Komunës, Edvin Bektesheviq.
Gjatë bisedës kryetari Balliq e njohu ambasadorin Satler me karakteristikat themelore të Komunës së Gucisë, duke kyçur numrin e banorëve, bukuritë e natyrës dhe projektet e realizuara në bashkëpunim me BE-në, me theks të veçantë në projektet IPA, veçanërisht ato të orientuara në ruajtjen e mjedisit jetësor.
Ai potencoi rëndësinë e projekteve të BE-së për zhvillimin e Gucisë, ka shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin e deritashëm duke theksuar pritjet për bashkëpunim edhe më të mirë në të ardhmen. Me nënshkrimin e memorandumit në mes të BE-së dhe pesë ministrive, bashkë me të gjithë përfaqësuesit e komunave, krijohen kushtet për shfrytëzim më të mirë të fondeve të BE-së dhe avancimit të projekteve të përbashkëta.
Gjatë bisedës, ambasadori Satler e ka ftuar kryetarin Balliq të marrë pjesë në konferencë, e cila do të mbahet në muajin maj, ku Komuna e Gucisë do të prezantojë projektet e realizuara. Po ashtu është propozuar që Komuna e Gucisë deri atëherë të emërojë ambasadorin për mbrojtjen e mjedisit jetësor.
Në takimin dypalësh është biseduar edhe mbi memorandumin, mbi fuqinë e bashkësive lokale në procesin e integrimeve të BE-së, të nënshkruar në dhjetor të vitit 2024, i cili ka për qëllim afirmimin e vlerave evropiane dhe standardet e qytetarëve përmes veprimit të vetëqeverisjes lokale. Theks i veçantë është vënë në përfitimet e anëtarësimit të Malit të Zi në BE, me fokus në fondet strukturore të BE-së. Është konkluduar se vetëqeverisjet lokale duhet të intensifikojnë përgatitjet për shfrytëzimin e fondeve evropiane përmes fuqizimit të kapaciteteve të burimeve njerëzore dhe trajnimin e tyre për të siguruar zbatim sa më efikas të projekteve zhvillimore.
Vizita e ambasadorit Johan Satler vërteton përkushtimin e BE-së ndaj komunave të Malit të Zi në rrugëtimin e tyre evropian.
Ajo po ashtu konfirmoi mbështetjen e fuqishme të BE-së me nisma lokale, të cilat bashkojnë mbrojtjen e natyrës me fuqizimin ekonomik të bashkësive dhe forcojnë bashkëpunimin në mes të komunave të Plavës e Gucisë dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Shaban Hasangjekaj