Podgoricë – Qeveria e Malit të Zi ka miratuar një sërë masash të reja në luftën kundër përhapjes së koronavirusit, të cilat hynë në fuqi nga e hëna më 15 nëntor në të gjitha komunat e Malit të Zi, e që do të zgjasin deri më 30 të po këtij muaji.
Siç kumtohet, përveç tjerash, me masa të reja parashikohet që tubimet masive/sociale mund të mbahen duke poseduar çertifikatë digjitale nacionale mbi kovidin, ose njërën nga këto dëshmi: se personi është vaksinuar plotësisht me dozat e parashikuara të vaksinës kundër llojit të ri të koronavirusit të lëshuar nga institucioni i autorizuar shëndetësor; të ketë test negativ PCR të Sars Cov-2, jo më i vjetër se 72 orë; të ketë dëshmi se personi e ka kaluar Kovid 19- (të kenë kaluar jo më pak se 10 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë nga testi PCR, ose nga testi i shpejtë antigjen) ; të ketë test të shpejtë antigjen, jo më të vjetër se 48 orë.
Me masa të reja, ndalohen tubimet në ambiente të mbyllura dhe të hapura: pritja dhe festimi i Vitit të Ri 2022 në ambient të hapur; organizimi i ngjarjeve publike, të natyrës politike apo manifestime të tjera në ambiente të hapura publike, përveç në prani të më shumë se 50 personave, duke respektuar masat në fuqi; ndalohen dasmat, datëlindjet dhe festimet e tjera private në ambiente të hapura dhe të mbyllura publike; ndalohet organizimi i mbrëmjeve dhe festivaleve muzikore në ambiente të mbyllura dhe të hapura publike në të cilat nuk mund të ushtrohet ose është e vështirë të ushtrohet kontroll mbi posedimin e dëshmive të përfshira në çertifikatën digjitale nacionale.
Gjithashtu, me masa të reja, ndalohet tubimi i banorëve në ambiente të mbyllura publike (në ngjarje publike, tubime politike dhe në manifestime të tjera), përveç në aktivitete profesionale, shkencore dhe veprimtari zyrtare, krahas respektimit të rekomandimeve të Institutit për Shëndet Publik.
Vizitat nëpër institucione kulturore (në teatër, kinema, muze, galeri dhe të ngjashme), mundësohet vetëm me anë të njërës nga katër dëshmitë e sipërpërmendura të miratuara me masa të reja.
Ndërkaq, ndalohen vizitat personave të cilët ndodhen në trajtim klinik nëpër institucione shëndetësore. Ndalohet prania dhe qëndrimi së bashku i mbi 50 personave të moshës mbi 18 vjeç në ambiente të hapura publike (në trotuare, sheshe, rrugica, shetitore, plazhe dhe të ngjashme), në përputhje me masat e përcaktuara, masë e cila nuk vlen për personat të cilët kryejnë detyrat e rregullta të punës.
Bashkësitë fetare janë të obliguara që aktivitetet e tyre t’i harmonizojnë me situatën aktuale epidemiologjike. Ritet fetare në prani të besimtarëve në objektet fetare, të kryhen duke siguruar të paktën 10 metër katror hapsirë për person.
Ndërkaq, në rastet mortore ndalohet pranimi i ngushëllimeve, me prani të më së shumti 10 personave, me përdorim të detyrueshëm të maskës mbrojtëse.
Ndër të tjera, shoqëritë ekonomike dhe sipërmarrësit të cilët ushtrojnë veprimtari hoteliere (bare, restorante, kafeteri, restorante hotelierike, etj) obligohen që punën e tyre ta organizojnë nga ora 7 e mëngjesit deri në mesnatë, duke respektuar masat e reja epidemiologjike në fuqi.
t. u.