Në “Skadarli” të Beogradit

Asllan Bisha

Viti shkollor 1982-1983 nisi me mot të mirë e një të nxehtë të madh. Temperatura ishte e lartë, siç ishte edhe në politikë. Televizioni trumbetonte për demonstratat e shqiptarëve në Kosovë, të cilët donin ta shkatërronin Jugosllavinë… Në mbledhje kërkohej që arsimtarët të japin mendimin dhe t’i vlerësojnë këto demonstrata. Mu këto ditë, në shkollën tonë erdhi një ftesë e jashtëzakonshme për të vizituar Beogradin, konkretisht shkollën vëllamë. Duhej kthyer vizita.
U caktua mbledhja. Të gjithë ishin të interesuar që mbledhja të jetë dinjitoze, t’i përfaqësojë malazezët, por edhe shqiptarët se kanë raporte të mira në shkollë, të cilat gjatë vitit dukej se do të bëheshin të ftohta. Mësimdhënësit shqiptarë nuk ishin të interesuar të shkonin në Beograd. Atyre u pëlqente të mos largoheshin nga Ulqini.
Pala malazeze e zgjidhi shpejt problemin, mirëpo shqiptarët ishin të strukur! Dhe s’më kujtohet se kush më propozoi?! S’prisja propozim të tillë, por isha i zënë ngushtë dhe nuk mund as ta refuzoja. Të gjithë m’u drejtuan: “Mos refuzo!” Në fund pranova.
Ftesa që kishte ardhur nga Beogradi përbënte edhe një kënaqësi për mua, sepse në kryeqytet s’kisha shkelur që dhjetë vjet, kur kisha përcjellë vëllain për Australi. Të gjithë shokët e punës më porositën që të jem i kujdesshëm, sidomos gjatë takimeve, t’i përfaqësoj denjësisht me fjalë pak e me kuptim plot.
“Sido që të flas, ata ta shtrembërojnë, prandaj do të flas sa më pak”, mendoja me vete.
Dhe udhëtimi në Beograd ishte një sfidë me pak lodhje. Në mëngjes na vendosën në hotelin “Srbija”. Isha i lumtur që isha vetëm në dhomë. Në orën 11:00 na ftuan për të pirë kafe. Mua m’u qep një djalë i ri. Vendosëm shpejt lidhje miqësore. Por ai, i pari më pyeti për rrogë.
“Ju s’i paskeni rrogat më të mira se ne?!”
Dikur më tha se më kanë thënë se në delegacionin nga Ulqini është një shqiptar.
“Po”, i thashë.
“Drejtori më ka porositur të jem i kujdesshëm, sepse i keni pritur shumë mirë në Ulqin. Më vjen mirë, por si e pate emrin?”
Unë buzëqesha.
“Unë jam ai shqiptari nga delegacioni”.
Ai qeshi. “E flitni mirë gjuhën tonë”, më tha.
Në tallje i thashë: “Kur s’di anglisht, çka më duhet serbokroatishtja, shqipja ime?!”
“Ke të drejtë”, buzëqeshi tharbët.
“Je nga rrethi i Beogradit?”, e pyeta.
“Nga e di?!”, m’u përgjigj.
“Ashtu pyeta”, i thashë.
Biseduam e çka nuk biseduam. Dukej se është i mprehtë.
“Më kanë thënë se nuk han mish derri!”
“Jo”, i thashë, “por në ushtri kam mbyllur sytë, kam hëngër edhe veshët e derrit”.
Qeshi ai dhe qeshja edhe unë.
“Po të gjithë shqiptarët janë myslimanë?! Ka edhe të krishterë katolikë dhe ortodoksë. S’është e mundur”, fliste ai.
I sqarova se Vuk Karaxhiqi ka thënë se shqiptarët janë vëllezër dhe nuk e urrejnë njëri-tjetrin fetarisht.
“S’e kam ditur”, tha.
“Po, është e vërtetë”, i thashë.
Erdhi grupi tjetër dhe na ftoi të presim delegacionin e Krapinës.
“Unë jam pedagogia e shkollës”, m’u prezantua.
“Ndërsa unë mësimdhënës nga Ulqini”, i thashë.
“Më vjen mirë”.
Një zonjë nga Krapina e Zagrebit m’u afrua.
“Keni nevojë për hamall?”, qesha.
“Po”, buzëqeshi ajo.
Pedagogia me ironi më tha: “S’je kësulëbardhë. S’je kësulëbardhë”.
“Po kësulën e lashë në hotel ‘Srbija’. Aty na keni vendosur”.
Profesori i fizikës e vështronte me kërcënim.
“Mos! Mos! Është mysafiri ynë. Është shqiptar”.
Kroatja u befasua dhe u afrua më me respekt pranë meje. Ndërsa pedagogia ishte stepur dhe zënë ngushtë. S’i kishte vajtur mendja kurrë që një shqiptar di të flasë rrjedhshëm serbokroatisht.
“Më falni, gabova. Sinqerisht gabova”, donte të shfajësohej.
“Nuk befasohem. Keni paragjykime. I frikësohem Simiqit. Ai i ka marrë të gjitha shënimet e mia”, buzëqeshja.
“Mos m’i thoni drejtorit për këtë gabim. Ju lutem!”
“Assesi”, qesha.
“Faleminderit”.
Unë po i tregoja një barsoletë profesorit të fizikës, i cili u befasua me sjelljen time. Natën e tretë të qëndrimit tonë, nikoqirët organizuan në “Skadarlija” një banket të mrekullueshëm, me ushqime dhe pije të ndryshme. Pranë meje qëndronte një mësues që kishte punuar në Kosovë. Ai tërë kohën fliste shqip me mua. Cakërronim gotat, ndërsa tavolinat ishin përplot.
“Na keni befasuar me mikpritje në Ulqin. Keni traditë, qytet turistik, i kulturuar”, fliste ai, derisa atmosfera ishte tepër e ngrohtë. Pak pas mesnatës, mbaroi edhe darka. Na u afrua një mysafir i veçantë.
“Hë, u mërzitët?”, më pyeti.
“Jo, aspak”, iu përgjigja.
“Këta të qesin ushqim boll, por s’të bëjnë muhabet. Edhe unë jam nga Kosova. Kam sjellje shqiptare, as mua s’më duan shumë. S’jam i tyre”, qeshte ai. “Por gruan e kam nga kryeqyteti”.
E ftoi. Ajo erdhi dhe më përshëndeti përzemërsisht.
“Më falni! Unë s’mund të qëndroj më. Po marr taksinë”, tha ajo.
“Mirë”, i tha i shoqi.
Ai u ul pranë meje.
“Jam i befasuar me pritjen që më bëtë në Ulqin. U ndjeva i befasuar kur ju kishit vendosur të më paguani bujtjen në hotelin ‘Albatros’, edhe pse nuk jam mësimdhënës, por mik i shkollës. Banketi sponsorizohet nga unë”.
“Po”, foli me ngulm arsimtari që kishte punuar në Kosovë.
Dikur, pasi vazhduam të pinim, më pyeti: “Si i keni punët ju shqiptarët në Mal të Zi?”
U zura pisk. S’e prisja një gjë të tillë.
“Jemi të vegjël ne”, i thashë.
“E doni ju republikën. Si të them?! Do të shkatërrohet Jugosllavia”, fliste ai. “Nacionalizmi serb. Kosova s’do të ketë republikë, por do të fitojë shtet”.
Unë isha i stepur.
“Mos!”, thashë “Mos na prish qejfin, republikë është mjaft!”
“Jo, të them, Kosova bëhet shtet. Do të më kujtosh se çka të them”.
I ngritëm gotat.
“Unë s’jam shqiptar, por të gjithë serbët s’janë shovinistë”.
Mendoja ishte i dehur, ndoshta ishte i pakënaqur politikisht. Asgjë nuk kuptoja.
U gëzova kur drejtori e mbylli banketin. Na përshëndeti me një fjalim të shkurtër. Unë me delegacionin tonë u kthyem në hotel. Atë natë s’më zuri gjumi nga gëzimi dhe befasia. Asgjë nuk kuptoja.
Pas dreke erdhën përfaqësuesit e shkollës dhe pedagogia ishte e stepur. Më shtrëngoi dorën, më përqafoi, ndërsa profesori i fizikës buzëqeshte me të madhe. Unë isha i lumtur që po largohesha nga Beogradi.
Pas shumë vitesh luftë e grindje, u shkatërrua Jugosllavia. Kosova u bë shtet i pavarur. Profecia e mikut “të panjohur” u bë realitet.

(P.s. Ngjarja nuk është pjellë e imagjinatës, por e vërtetë, pak e pabesueshme!)

Të fundit

më të lexuarat